Njoftime

Rrjeti i Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze përkrah idenë e Bankës për Diasporën

Nga: Shani Pnishi

Gjatë një vizite kësaj jave në Prishtinë, delegacioni i Rrjetit të Bizneseve Shqiptaro-Amerikane i kryesuar nga kryetari Nazar Mehmeti, ka paraqitur planin për mundësinë e investimeve në sektorin bankar të Kosovës.  

Gjatë takimit që kanë patur me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, bizensmenët nga SHBA-ja kanë shprehur gatishmërinë për fillimin e procedurave për hapjen e Bankës së Diasporës në Kosovë.

Sipas gazetës Bota Sot, Guvernatori i BQK-së mirëpriti një iniciativë të tillë dhe informoi përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke.

Përmes një deklarate për FlasShqip, kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Kanadasë, Naser Berisha, bëri me dije se institucioni që ai drejton "është mbështetës i fuqishem i iniciativës për themelimin e Bankës së Diasporës dhe për themelimin e një fondi të veçantë për investime në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, fond i cili mund të ndihmojë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla në bashkëpunim me bizneset e diaporës që janë të shumta." 

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Kanada beson se po të jetë prioritet vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit, do të ketë edhe më shumë iniciativa të diasporës në funksion të zhvillimit ekonomik të vendlindjes.

Kryetari Berisha u shpreh gjithashtu se "është momenti që klasa politike shqiptare ta shohë diasporën si një partner serioz e jo si servile ndaj pushtetarëve apo si bankomat".  

Ideja e hapjes së bankës për diasporën, e para e këtij lloji në Kosovë, mund të pritet me entuziazëm nga bashkëatdhetarët tanë duke pasur parasysh kontributin e madh që diaspora shqiptare ka dhënë në të kaluarën dhe po vazhdon ta japë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përfshirë këtu nevojën e madhe që të hyrat nga diaspora të transformohen nga konsumi në investime që do kontribuonin direkt në zhvillim ekonomik të vendit.