Njoftime

Ontario - Ambasadori Muça takohet me Kryetarin e Bashkisë London

Me ftesë të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria”, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, ka zhvilluar këtë fundjavë një vizitë në qytetin London të Ontarios, ku jeton dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të vendosur atje sidomos në dy dekadat e fundit.

Të premten, Ambasadori Muça ka qenë fillimisht mysafir në Bashkinë e qytetit ku dhe ka zhvilluar një takim zyrtar me Kryebashkiakun Matt Brown. Gjatë vizitës ai u shoqërua nga drejtues të shoqatës “Iliria”, përkatësisht Kryetari Besnik Rexhvelaj dhe Zv.Kryetarja Rabi Rrafshi. 

                     

“Të frytshëm dhe shumë miqësor”, e ka konsideruar Ambasadori takimin në një komunikim të drejtpërdrejtë me FlasShqip. Ndërkohë mësohet se objekt diskutimi mes përfaqesuesit të Shqipërisë në Kanada dhe qytetarit të parë të London, kanë qenë disa tema. Ndër to, shtrirja e bashkëpunimit në nivel vendor, promovimi i Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, nxitja e mëtejshme e investimeve kanadeze në Shqipëri, mbështetja e autoriteteve vendore ndaj komunitetit tonë si dhe mundësia e realizimit të një binjakëzimi mes Bashkisë London dhe një bashkie shqiptare. Ideja e binjakëzimit ka terhequr në veçanti vëmendjen e mikpritësit.

Ambasadori Muça dhe Kryebashkiaku Brown kanë qenë në të njëjtin mendim për sa i përket faktit që komuniteti shqiptaro-kanadez është një urë shumë e rëndësishme lidhjeje mes dy vendeve tona.  

Pas Bashkisë, programi ka vazhduar me disa takime me anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez në London si dhe disa vizita në ambiente biznesesh të drejtuara nga bashkatdhetarët tanë.

                 

Stacioni i parë ka qenë Poliklinika mjekësore e Dr. Lulzim Rrafshi, një investim afro 10 milionë dollarë. Më pas vizitat kanë vijuar tek Aroma Expresso Bar me pronare Zj. Eni Jasa, Eurostar Soccer Academy e themeluar dhe drejtuar nga ish-futbollisti i Partizanit dhe përfaqësueses shqiptare, Pëllumb Shaqiri, si dhe në zyrat e Mortgage Intelligence-South Western Ontario, me pronar Besnik Rexhvelaj.

                                   

Qyteti London, gjendet në jug-perëndim të Ontarios. Në rang province, për nga numri i popullsisë renditet i pesti me 385.000 banorë, nga të cilët 80% me origjinë europiane. Aty jetojnë rreth 3,000 shqiptarë.

Ekomomia e London dominohet nga kërkimet mjekësore, kompanitë e sigurimeve, manifakturat dhe bizneset e teknologjisë së informacionit. Shumica e kërkimeve në fushën e shkencave dhe bioteknologjisë udhëhiqen dhe mbështeten nga Universiteti Western Ontario. Ky sektor injekton çdo vit në ekonominë e qytetit rreth 1.5 miliardë dollarë. Ndërkohë, punëdhënësi kryesor i London me një personel prej 10,555 personash, është London Health Science Centre.

 

@FlasShqip.ca