Njoftime

Toronto - Krijues shqiptarë ekspozojnë në 70 vjetorin e Don Valley Art Club

Nga data 2 deri më 13 maj, Don Valley Art Club (DVAC) ka hapur në Toronto ekspozitën vjetore në ambientet e Todmorden Mills Heritage Site, 67 Pottery Road.

Në ekspozitën e sivjetme, që përkon edhe me 70 vjetorin e Don Valley Art Club, mes më shumë se 90 artistëve të origjinave të ndryshme, kanë marrë pjesë me punimet e tyre edhe dy krijuesit piktorë shqiptarë, Petro Dhimitri dhe Ardian Radovicka. Ata kanë paraqitur secili nga dy tablo, njëra nga të cilat në zhanrin e portretit (P. Dhimitri) ndërsa 3 të tjerat në zhanrin e peisazhit. Teknika që përdorin dy artistët është vaji mbi kanavace.

Petro Dhimitri, A Yong Woman Dressed in Pink (Oil on Canvas)

Don Valley Art Club e ka zanafillën në vitin 1940, kohë kur një grup piktoresh nga East-York, nisën të mblidheshin në shtëpitë e njeri-tjetrit për të pikturuar dhe diskutuar mbi artet figurative. Ekspozita e parë është hapur në vitin 1949 dhe qysh prej atëherë organizohen të tilla dy herë në vit.

Në programin e sivjetëm, parashikohet që sot, më 6 Maj, të organizohet Dita e Artit për komunitetin. Nga Ora 12:00 deri më 17:00, artistët e DVAC do pikturojnë në zhanret portret me model dhe pejsazh, në parkun përreth Todmorden Mills, në prani të vizitorëve të ekspozitës.

Ardian Radovicka, Emotion (Oil on Canvas)

@FlasShqip.ca