Diaspora flet- Konferencë në Prishtinë
Për herë të parë në Kosovë do të bëhen bashkë mbi 100 profesionistë të fushave të ndryshme nga diaspora shqiptare e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, përmes konferencës Diaspora Flet, e cila mbahet nga data 17 deri 20 maj 2018 në Prishtinë.
Diaspora historikisht ka luajtur rol kyç në zhvillimet ekonomike dhe politike si në Kosovë, po ashtu edhe në rajon. Vlen të theksohet kontributi i diasporës përgjatë krizave në vitet ’80-të dhe ’90-të.
Qëllimi i konferencës Diaspora Flet është që të krijojë mekanizma efektiv dhe mundësi për angazhimin e diasporës shqiptare, si grupin më të madh social jashtë vendit, në procese të rëndësishme për vendin e tyre amë por edhe vetë diasporën. Konferenca po ashtu do të shërbejë si një hapësirë për anëtarët e diasporës që të lidhen, të angazhohen dhe të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me institucionet publike, si dhe të avokojnë për të drejtat e tyre ekonomike, shoqërore, edukative dhe politike.
Në sesionin e dytë të hapjes së konferencës 4-ditore “Diaspora Flet”, do të diskutojnë edhe ministrat e diasporës së Ballkanit Perëndimor. Ministri për Diasporën për Kosovën, Dardan Gashi, homologu i tij nga Shqipëria Pandeli Majko, si dhe ministri Edmond Ademi nga Maqedonia.
Paneli i ministrave do të paraqesë edhe parimet e politikat kryesore drejt angazhimit të diasporës nga secila Qeveri, si dhe do të diskutojë dhe do të përgjigjet në pyetjet dhe çështjet me interes të pjesëmarrësve nga diaspora në këtë konferencë.
Konferenca Diaspora Flet organizohet në kuadër të programit Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës.
Burimi: Albinfo.ch












