Njoftime

Toronto - Koncert i violinistit Agustin Simoni dhe pianistit Rudin Lengo

Së shpejti në Toronto, pikërisht në datën 10 qershor 2018, do të zhvillohet një koncert recital i dy nga emrave më të njohur nga radhët e muzikantëve shqiptaro-kanadezë, violinistit Agustin Simoni dhe pianistit Rudin Lengo.

Programi i koncertit do t’i ofrojë publikut artdashës një repertor të përzgjedhur me kujdes, me vepra nga më të njohurat, që nga epoka e muzikës barok, romantizmi e deri tek periudha e impresionizmit të shekullit XX.

Agustin Simoni në fillim do të interpretojë Çiakonën e famshme të Bahut, nga Partita Nr. 2 në Re minor për violinë solo. Më pas, nën shoqërimin e Stella NG, ai do të  luajë  Rapsodinë  Cigane të  kompozitorit francez Maurice Ravel si dhe Malaguena Opus 21, Nr. 1 të kompozitorit dhe violinistit spanjoll Pablo de Sarasate.

Ndërsa pianisti Rudin Lengo, në programin e tij do këtë 7 pjesë nga suita Tablo nga një ekspozitë, me autor kompozitorin rus Modest Mussorgsky si dhe Baladën në formë variacionesh me temë nga njëkëngë folklori norvegjez të Edvard Grieg.

Agustin Simoni është një nga emrat më të njohur të shkollës shqiptare të violinës dhe për shumë vite ka qenë koncertmaestër i Orkestrës Sinfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Prej dy dekadash ai jeton në Toronto ku e ka vazhduar aktivitetin e tij solistik dhe të mësimdhënies. Një nga CD-të e tij, të regjistruara më vepra nga kompozitorë shqiptarë, është tashmë pjesë e koleksionit të CBC Radio-Canada.

Edhe 32 vjeçari Rudin Lengo, pianisti virtuoz, është një emër shumë i njohur dhe i suksesshëm e me karrierë solistike shumë të spikatur. I diplomuar Master në Manhattan School of Music në New York, fitues i disa çmimeve prestigjioze, ai së shpejti do të përfundojë edhe ciklin PHD pranë Universitetit të Torontos.

Koncerti i datës 18 qershor, do të luhet në ora 5 p.m. në Victoria College Chapel të UFT.

Adresa: 91 Charles Street West, 2nd floor, Toronto, ON M5S 2C7 (Museum Station).

@FlasShqip.ca