Njoftime

Hamilton - Pikniku familjar sivjet edhe me karakter humanitar

Shoqata Shqiptare e Hamiltonit që nga viti 2011 organizon çdo qershor Piknikun Familjar, në të cilin mblidhen rreth gjashtëqind shqiptarë nga ky qytet dhe qytetet përreth.

Pikniku i sivjetëm do të mbahet më 24 qershor dhe përsëri në Bled Hall, 4650 South Service Rd, Beamsville, ON.

Aty do të zhvillohen lojëra sportive, kryesisht futboll, volejboll dhe basketboll. Gjatë gjithë ditës do të shërbehet ushqim tradicional shqiptar, ndërsa në mbrëmje do të ketë muzikë "live" dhe do të ndahen çmimet për turnetë sportive.

Kryesia e Shoqatës në njoftimin e saj ka bërë me dije se sivjet, nga të ardhurat e piknikut, 20% e tyre do të shkojnë për familjet në nevojë në Shqipëri ose Kosovë. Për të qenë më transparente, kryesia ka vendosur që ditën e piknikut të zgjidhet me short bashkia apo komuna ku do të shkojnë ndihmat.

Më poshtë po sjellim edhe një kolazh fotografish nga vitet e kaluara.

@FlasShqip.ca