Njoftime

Ambasadori Lulzim Hiseni takon Senatorin Art Eggleton

Ambasadori Lulzim Hiseni, ka takuar Senatorin Art Eggleton, ish-Ministër i Mbrojtjes në Kanada, në periudhën e luftës në Kosovë. Me këtë rast, Ambasadori Hiseni, falenderoi Senatorin Eggleton, për mbështetjen e tij ndaj çështjes së Kosovës. Në kapacitetin e Ministrit të Mbrojtjes, z.Eggleton ka qenë shtyllë qëndrore së bashku me ish-Ministrin e Jashtëm Dr.Lloyd Axworthy, në mbështetje të ndërhyrjes humanitare të NATO-së, për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë. Të dy kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për të bindur spektrin politik në Kanada, por dhe homologët e tyre në NATO, për domosdoshmërinë e ndërhyrjes humanitare, duke u bërë më vonë kampion të inicimit të parimit “Përgjegjësia për të mbrojtur” (Responsibility to Protect), parim të miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2005, në të cilin jo rrallë i referohet rastit të suksesshëm të ndërhyrjes humanitare në Kosovë. Ish-Ministri Eggleton, ka pasur rol kyç në pranimin në Kanada dhe sistemimin e shtatë mijë refugjatëve nga Kosova, në vitin 1999.

Kosova është dhe do të jetë përgjithmonë, falenderuese ndaj mbështetjes së pakursyer të Kanadasë dhe do të vlerësojë përherë miqtë e saj të palëkundur, si Senatori Art Eggleton. 

Burimi: Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottawa