Njoftime

Merret vendimi se si do të zgjidhen përfaqësuesit e Diasporës dhe kush do të marrë çmimin Ambasador i Kombit

Qeveria shqiptare, në mbështetje të Ligjit për Diasporën ka miratuar dy vendime me interes për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit; atë për “Përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të Këshillit Koordinues të Diasporës” dhe për ‘Kriteret dhe mënyrën e ndarjes së çmimit “Ambasador i Kombit”.

Vendimi i parë lidhet me ngritjen e Këshillit Koordinues, për përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve me diasporën.  Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili do të përbëhet nga 15 anëtarë, identifikon problemet e diasporës, i propozon Ministrit përgjegjës për diasporën veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën; etj. 

Ndërkaq, vendimi i dytë bazuar në Nenin 15 ka të bëjë me çmimin vjetor të Diasporës të quajtur “Ambasador i kombit”, i cili do t’u akordohet pjesëtarëve të suksesshëm të diasporës. Në vendim janë përcaktuar kriteret dhe mënyra e ndarjes së këtij çmimi. Personave që do t’u akordohet çmimi duhet të kenë dhënë kontribut në fusha të tilla si; veprimtari humanitare; arsim, shkencë e teknologji, kulturë etj. Propozimet lidhur me përfaqësuesit e suksesshëm të cilëve do t’u jepet çmimi, do të bëhen nga Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë të akredituar jashtë vendit.

©FlasShqip.ca