Nga kullat e Tiranës tek kullat e Torontos - Julian Dyrmishi, jo vetëm një menaxher model
- Nga: Taulant Dedja

Biznesi i menaxhimit të godinave condominium është nga më të zhvilluarit në Kanada. I rregulluar deri në detaje me ligje të posaçme. Në këtë sektor, janë integruar prej vitesh me shumë sukses, një numër i konsiderueshëm profesionistësh shqiptarë. Madje, ka nga ata që kanë krijuar dhe menaxhojnë kompanitë e tyre, mes të cilave spikat DUKA Property Management, me qendër në Mississauga. Rreth saj në fakt, kemi zgjedhur të flasim një herë tjetër.
Ky shkrim mori shkas nga një ngjarje e përjetuar drejtpërdrejt të cilën na e solli në vëmendje një bashkëkombas i yni. Diku nga fundi i vitit të kaluar, DEL Property Management, një nga kompanitë më të mëdha ontariene të sektorit condominium (administron më shumë se 67.000 apartamente) me qendër në Toronto, organizonte ceremoninë e vlerësimit të karrierës për punonjësit e saj.
Në momentin kur një nga Zv. presidentët po prezantonte një prej atyre që do të vlerësoheshin për 10 vite kontribut, nga goja e tij doli një deklaratë e thënë gjysëm me humor e gjysëm e vertetë. “Brenda DEL ekzistojnë tre grupe”- u shpreh Allan Rosenberg. “Të parët shqiptarët, të dytët persianët dhe të tretët, gjithë pjesa tjetër”. U thirr një emër dhe në atë moment në podium u ngjit mes duartrokitjeve Julian Dyrmishi, një nga 11 district managers të kompanisë të krijuar qysh më 1968. Në ekipin e DEL sot ka me dhjetra shqiptarë në të vërtetë. Mes tyre, Juliani është ai që falë aftësivë dhe vullnetit që zotëron ka avancuar më shumë në karrierë dhe jo vetëm. Ai ka ndihmuar me dhjetra të punësohen apo promovohen, e shumë të tjerë të progresojnë në biznesin e tyre, të lidhur drejtpërdrejt me property management.

Julian Dyrmishi, ka lindur dhe është rritur në Çorovodë të Skraparit, në një familje intelektualësh. Babai i tij, Nebiu, është një nga emrat më të njohur të mjedisit artistik të qytetit rrethuar me bukuri të mahnitshme natyrore. Aty, Juli (kështu e thërrasin shkurt miqtë dhe shokët) përfundoi dhe shkollën e mesme për të vazhduar më tej Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, ku dhe u diplomua në pranverën e vështirë 1997.
Vitet e para pas diplomimit inxhinier rrokullisen shpejt në një Shqiperi ende të trazuar, periudhë kur ai vendosi dhe të krijojë familjen e vet. Ato vite e gjejnë Julin në një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit të metropolit shqiptar, atë me emrin “Gora”, siglën e të cilës sot e mbajnë një numër jo i vogël kullash shumëkatëshe në Tiranë. Asokohe, si shumë të tjerë syresh, me bashkëshortën e tij ekonomiste Gentianën, sot me profesion CPA/CGA, ata marrin vendimin të emigrojnë në Kanada.
“Kanadaja ishte një vend që ofronte mundësi për emigrim të përhershëm dhe me kritere lehtësuese” – kujton sot Juli – “ndaj dhe nuk hezituam aspak”. Natyrisht periudha e fillimit nuk ishte i lehtë. Punët e para ishin për mbijetesë në kushtet kur gjuha ishte barriera e parë në komunikim, në një vend ku dihet, nuk vdes për bukë, por në të cilin duhet shumë vullnet e vendosmëri për të bërë përpara. Në rrethana të tilla njeriu mund të pësojë edhe zhgënjim për një moment.
Në rastin e Julit, përveç dhuntive të tij të padiskutueshmë personale, duket se dy janë faktorët kryesorë që kanë luajtur rol në progesin e karrierës. Vendimi për të punuar dhe studiuar paralelisht deri në fitimin e titullit Registered Condominium Manager (RCM) dhe marrjen e General Licence si Condominium Manager, si dhe inkurajimi që pati në mjedisin brenda DEL. Prej katër vitesh, ai është njëri nga 11 District Managers të kompanisë.
Në punën e tij të përditshmë, Juli supervizon një skuadër prej 50 vetësh, të cilët nga ana e tyre administrojnë gati 30 Condominium Corporations me rreth 6000 apartamente banimi dhe buxhet total mbi 100 milionë dollarë. Tamam një bashki e vogël me të paktën 25.000 banorë. Kjo është gjëja e parë që të vjen ndërmend kur dëgjon këto shifra. Një profesion që kërkon jo vëtëm njohjen e ligjeve, financave dhe infrastrukturës së godinave por mbi të gjitha kërkon durim dhe artin e komunikimit. Nje profesion ku “përshtypja e parë” qe ti lë tek tjetri, është kushti i parë i suksesit. Dhe Juli ka dëshmuar më të gjitha arritjet e tij të qenit një manaxher i suksesshëm dhe jo vetëm.

Julian Dyrmishi mbetet krenar për identitetin e tij shqiptar. Babai i dy vajzave, Christa dhe Danielle, është njeri që me të gjitha mënyrat që mundet kontribuon edhe për komunitetin, qoftë financarisht, qoftë edhe në fushën e ndihmës për integrim profesional të bashkatdhetarëve. Ai ka iniciuar idenë dhe po lobon pranë autoriteteve të bashkisë Mississauga për realizimin e projektit për vendosjen e bustit të Heroit tonë Kombëtar në një nga parqet e qytetit. Ai ka qenë gjithashtu pjesë grupit që përfaqësoi Toronton në Samitin e I-rë të Diasporës në Nëntor 2016.
Për gjithë angazhimin dhe përkushtimin e tij komunitar, Juli është vlerësuar me titullin "Anëtar Nderi" nga Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze me qendër në Toronto. Kjo shoqatë para pak ditësh e propozoi atë edhe si kandidat për në Këshillin Koordinativ të Diasporës.
Për FlasShqip, Julian Dyrmishi është një model referimi për të gjithë. Arritjet e tij flasin shumë më tepër se një portret i shkruar nga një gazetar apo çdo lloj titulli vlerësimi. Thjesht bravo Julian! Ti frymëzon!

@FlasShqip.ca












