Genc Tirana, ish-konsulli dhe gazetari i njohur që kandidon për në Këshillin e Diasporës
Genc Tirana është kandidat për në Këshillin Koordinativ të Diasporës, i propozuar nga Shoqata RH Scholarship e Torontos. Genci është një emër dhe personalitet i njohur dhe i respektuar jo vetëm në fushën e gazetarisë, por edhe të aktivizimit qytetar në Shqipëri e Kanada.
Në fillimin e viteve 80-të Genc Tirana u diplomua në Universitetin e Tiranës si inxhinier mekanik e më pas si gazetar. Menjëherë pas studimeve universitare ai nisi punë si gazetar në sektorin ekonomik të gazetës “Bashkimi” ku punoi aty për pesë vjet.
Ndryshimet e mëdha në vitet ‘90 e gjetën atë në radhën e parë të gazetarëve që përkrahën pluralizmin politik në Shqipëri. Ai së bashku me disa kolegë të tjerë themeluan gazetën e parë opozitare “Rilindja Demokratike” duke sjellë te publiku për herë të parë fakte dhe argumenta për ndryshimet politiko-shoqërore që duhet të ndërmerrte Shqipëria. Pas disa vite pune aty ai mori detyra drejtuese si kryeredaktor i gazetës “Republika” dhe kryeredaktor i revistës “Spektër”. Krahas këtyre detyrave ai u angazhua për një kohë të gjatë në lëvizjen e gazetarëve që promovonin lirinë e fjalës dhe shtypin e lirë duke themeluar me disa emra të tjerë të njohur nga shtypi i shkruar Shoqatën e Gazetarëve të Shqipërisë ku Genci mori rol drejtues duke i përfaqësuar gazetarët shqiptarë në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve si dhe forume të tjera ndërkombëtare.
Në fillimin e viteve 2000-jë Genc Tirana emigroi me familjen e tij në Kanada. Gjatë viteteve të para ai punoi për disa organizata të mediave në Toronto si Canadian Media Guild, Canadian Broadcasting Corporation, Canadian Journalist for Free Expression. Krahas punës në këto institucione ai u angazhua si gjithnjë me aktivitete shoqërore paralele duke u bërë anëtar i organizatës së shkrimtarëve “PEN Canada” dhe drejtoi për disa vjet organizatën “Journalist in Exile” me qendër në Toronto.
Pas një viti pune në mësimdhënie në University of Kings College në Halifax, Nova Scotia më 2006, ai iu rikthye studimeve duke u diplomuar nga University of Windsor si mësues, Bachelor of Education. Pas studimeve ai u punësua në fillim si mësues në Lynn Rose Heights School dhe më pas e deri më tani si mësues i matematikës në Blyth Academy.
Nga ana tjetër Z. Tirana për disa vjet me radhë u angazhua në aktivitete shoqërore brenda komunitetit shqiptar në Toronto duke marrë vullnetarisht detyrën si Konsull Nderi i Shqipërisë në këtë qytet. Gjatë mandatit të Konsullit të Nderit në Toronto ai u angazhua në një seri projektesh dhe aktivitetesh si promovimi i festave dhe ngjarjeve kombëtare (ai bëri të mundur për herë të parë ngritjen e flamurit kombëtar në sheshin para Parlamentit të Ontarios me rastin e 28 Nëntorit që më pas u kthye në traditë të përvitshme), përkujtimin dhe nderimin e figurave të spikatura të kombit tonë si dhe në bashkëpunimin interaktiv me institucionet dhe përfaqësuesit e komunitetit si Shoqatën Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, Shoqatën Kosova, RH Scholarship, etj.
@FlasShqip.ca