Dritan Topuzi - Karriera brilante e një inxhinieri shqiptar në Kanada

Intervistoi: Taulant Dedja
“Duhet ndërtuar një marrëdhënie besimi dhe respekti reciprok midis Diasporës dhe qeverisë e shoqërisë civile në Shqipëri”- shprehet inxhinieri Dritan Topuzi.
Modest, fjalëpak e mëndjehapur, atdhetar e me dëshirë për të kontribuar në komunitet, njëherazi poliglot e profesionist i shkëlqyer, Dritani është inxhinier me dy dekada përvojë i formuar në Shqipëri dhe i kualifikuar në SHBA (Master) dhe Kanada ku ka fituar edhe gradën shkencore PhD. Manaxher produkti për Amerikën e Veriut i një kompanie gjermane, pedagog universiteti dhe autor artikujsh shkencorë, ai vjen sot në Flasshqip me një rrëfim rreth jetes personale e profesionale. Dëshira e tij për të emigruar në Kanada, ku jeton aktualisht sëbashku me bashkëshorten dhe vajzën, duket se ka qenë e hershme, që nga vitet e para të studimeve në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. “Ishte një kombinim i dëshirës për të emigruar në një vend të zhvilluar dhe provuar një eksperiencë të re”- pohon ai. Megjithatë, për shkak të angazhimeve të njëpasnjëshme profesionale qëndron në Shqipëri edhe për 7 vjet pas diplomimit. Gjatë kësaj kohe punon si inxhinier për kompani të ndryshme dhe paralelisht me kompaninë e tij konsulente në projektimin e pallatave dhe objekteve civile e industriale. Ndërsa në momentin e levizjes në Kanada ishte i angazhuar edhe me një kompani gjermane në projektin e aeroportit të Rinasit si dhe pranë Institutit të Ndërtimit. Për Dritanin lëvizja ishte vendim i vështirë, pasi sipas tij gjithçka po shkonte mirë në Shqipëri, por gjithsesi nuk ndihet i penduar aspak.
Flasshqip: Si u stabilizove? Cilat ishin punët e para, kontaktet e para?
Dritan Topuzi: Stabilizimi nuk qe shumë i vështirë, pasi ardhja në Kanada ishte pjesë e një plani konkret. Unë erdha si student doktorature (PhD) në Departamentin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Waterloo-së. Mjedisi universitar krijoi dhe mundësinë e kontakteve të para profesionale dhe puna e parë ishte në profesionin tim, tre vjet pas ardhjes në Kanada. Kontaktet me industrinë m’u mundësuan nga prezantimi i rezultateve të studimeve në seminare e konferenca.
Flasshqip: Çfarë të ndihmoi më shumë në integrimin tënd?
Dritan Topuzi: Arsimimi në Kanada dhe kontaktet e para profesionale nga Universiteti; jo vetëm në aspektin praktik, por dhe në përforcimin e vetëbesimit për t’ia dalë mbanë. Koha në universitet krijoi dhe mundësine e përshtatjes me realitetin e ri pa qenë nën presionin e gjetjes së punës etj, pasi bursa nga universiteti më ndihmoi të fokusohesha në prioritete afatgjata.
Flasshqip: Cilat ishin vështirësitë që hase, nëse mund të flitet për të tilla në rastin tënd?
Dritan Topuzi: Vështirësitë nuk kanë qenë të mëdha relativisht, për shkak të ndihmës nga eksperienca dhe kontaktet në universitet. Mbi të gjitha, ardhja në Kanada si student dhe angazhimi me çfarë prisja që në fillim, pa surpriza, lehtësoi ndjeshëm vështirësitë e fillimit. Megjithatë, liçensimi profesional, përshtatja me tregun e punës, si në aspektin teknik ashtu dhe kulturor, ishin sfida të konsiderueshme. Deri diku, përshtatja mbetet sfidë e përhershme në një proces të vazhdueshëm integrimi…
Flasshqip: Dritan, na trego pak për arritjet profesionale dhe punën aktuale…
Dritan Topuzi: Gjatë këtyre 10 viteve kam punuar në pozicione të ndryshme si inxhinier dhe paralelisht jam angazhuar dhe në mësimdhënie në kolegj dhe universitet (Waterloo, George Brown, Norwich). Aktualisht punoj si Menaxher Produkti për Amerikën e Veriut me një kompani gjermane që ofron produkte e zgjidhje inovatore në fushën e ndërtimit. Pozicioni im është një kombinim teknik dhe biznesi dhe përfshin shumë udhëtime. Gjithashtu, kam filluar dhe biznesin tim në fushën e konsulencës inxhinierike (liçensuar në Ontario, British Columbia, Alberta, Quebec dhe Nova Scotia), si dhe jap mësim si pedagog i jashtëm në Universititetin e Norwich, VT, SHBA.
Flasshqip: Sa i interesuar je për politikën kanadeze në të tre nivelet?
Dritan Topuzi: Ndjek kryesisht zhvillimet politike në nivel federal, por thjesht në menyrë pasive. Në nivel bashkie dhe province interesi kufizohet në periudhën e fushatës zgjedhore.
Flasshqip: Po me problemet apo aktivitetet e komunitetit a je angazhuar?
Dritan Topuzi: Jam angazhuar disi, së pari me Shoqatën Shqiptare në Kitchener-Waterloo e më pas me ACE në Toronto. Mbetet më shumë për të bërë në këtë drejtim dhe rritja e kontributit personal në komunitet është një nga qëllimet e mia në të ardhmen.
Flasshqip: Cilat janë sipas teje problemet më të mëdha të shqiptarëve të Kanadasë?
Dritan Topuzi: Problemet e shqiptarëve janë si ato të shumicës së emigrantëve në Kanada. Përveç emigrantëve nga vende anglisht apo frengjishtfolëse dhe me formim nga universitete prestigjoze në nivel ndërkombetar, problemi kryesor i emigrantëve mbetet integrimi profesional dhe shoqëror. Duke qenë një komunitet i vogël, na mungon dhe mbështetja që një rrjet më i gjerë do të ofronte, sidomos në hapat e para të integrimit.
Flasshqip: Si e percepton të ardhmen e komunitetit shqiptar këtu?
Dritan Topuzi: Komuniteti shqiptar është një komunitet relativisht i ri në Kanada. Kjo bën që akoma të mos ketë shumë anëtarë në pozicione të larta në biznes, politike etj. Me kalimin e kohës, do të ketë më shumë individë të suksesshëm, të cilët do të ndihmojnë anëtarë të tjerë, jo vetëm direkt por dhe duke rritur vetëbesimin tek anëtarët e tjerë të komunitetit. Me jep shpresë dhe fakti që jemi komunitet mendjehapur dhe me shumë dëshirë për t’u integruar. Pra, jam optimist. Ditë më të mira na presin.
Flasshqip: Cili, sipas teje, duhet të jetë roli i Diasporës në atdhe?
Dritan Topuzi: Diaspora mund dhe duhet të japë kontribut më të madh në atdhe. Ky kontribut është më i dobishëm dhe i pranueshëm nëse ofrohet në përputhje me rrethanat aktuale në Shqipëri në vend të zgjidhjeve të eksportuara nga Kanadaja. Duhet theksuar që së fundmi ka pasur disa lëvizje pozitive nga qeveria shqiptare në këtë drejtim, por shumë mbetet për t’u bërë për rezultate të prekshme. Mendoj se së pari duhet ndërtuar një marrëdhënie besimi dhe respekti reciprok midis diasporës dhe qeverisë e shoqërisë civile në Shqipëri.
Flasshqip: Si i ruan marrëdhëniet me Shqipërinë?
Dritan Topuzi: Në Shqipëri shkoj shpesh. Për këtë më kanë ndihmuar dhe udhëtimet e shpeshta të punës në Evropë. Natyrisht që mbaj lidhje me familjen dhe shoqërinë e vjetër nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit. Në një plan më të përgjithshëm, marrëdhëniet me Shqipërinë i ruaj nëpërmjet ndjekjes së rregullt të mediave shqiptare.
Flasshqip: Me çfarë gjërash e kujton atdheun në shtëpinë tënde në Kanada?
Dritan Topuzi: Përveç suvenireve nga Shqipëria, ato që ma kujtojnë atdheun janë programet televizive shqiptare, si emisionet talk-show apo ato argëtuese.
Flasshqip: Çfarë të mungon nga Shqipëria?
Dritan Topuzi: Kam kaluar tre të katërtat e jetës në Shqipëri dhe rrjedhimisht ka shumë gjëra që më mungojnë; familja e shoqëria së pari, por dhe gjithçka tjetër që është skalitur në memorien fëminore e rinore, përfshirë më pas dhe eksperiencat e para profesionale. Dhe, besoj si kujtdo tjetër, më mungon klima dhe ushqimi mesdhetar. Së fundmi po shikoj me kënaqësi një interes në rritje nga turistë të huaj për të kaluar pushimet në bregdetin apo vargmalet e Shqipërisë.
Flasshqip: Falemnderit dhe suksese të mëtejshme Dritan!
@Flasshqip.ca