Profil & Intervista

Albana Melyshi Lifschin: Patriotët më të mëdhenj kanë jetuar në mërgim

Intervistoi: Jeta Dedja

Albana Melyshi Lifschin në kujtesën time për shumë kohë ishte konfiguruar si gazetarja e TVSH-së me kaçurrela, serioze  në ëmbëlsinë e saj, e cila për shkak edhe të mbiemrit identifikohej në ato vite edhe si mbesa e Heroit të Popullit Pal Melyshit. Më vonë rastisa në një librari të shihja emrin e saj në kopertinën e një libri, e më tej të një tjetri, e më vonë si përkthyese e librit “Të martat me Morin”, tepër të pëlqyer jo vetëm prej meje. E gjeta Albanën ashtu siç shumë prej nesh kanë gjetur dikë në rrjetet sociale dhe prej asaj dite e kam quajtur si një thesar që duhet ta nxjerr në dritë herë pas here në FlasShqip. Prej vitesh Albana jeton në SHBA por nuk e ka ndërprerë në asnjë moment të shkruarit letërsi e publicistikë. Ajo bashkë me të tjera gazetare në diasporë i kanë dhënë një dimension të ri gazetarisë në mërgim.

Albana unë di se ke shumë vite tashmë larg Shqipërisë. Por jam kurioze se si arriti të largohet aq shpejt nga Shqipëria një gazetare si ty, e cila kishte një vend për t’u patur zili në Televizionin Shqiptar?

Atë vit, në 1992, unë e mora avionin për në Amerikë në rrethana të jashtëzakonshme familjare dhe aspak me mendimin për të ndenjur përgjithnjë atje. U nisa për t’i qëndruar pranë gjyshit tim, Nikoll Melyshit, në ditët e tij të fundit. Ai po mbyllte sytë larg familjes, mungesën e të cilës e kishte vuajtur për 45 vjet rresht. Isha e vetmja “përfaqësuese” e familjes nga Shqipëria.

Pse ndodhej në mërgim Nikoll Melyshi, babai i Heroit të Popullit Pal Melyshi?

Im gjysh ishte një nacionalist dhe antikomunist i betuar. Ai iu bashkua brigadave partizane për të luftuar okupatorin, por duke u vënë një kusht: “Dorën grusht nuk e bëj dhe yllin e kuq në kapelë nuk e mbaj, sepse ato s’janë shenja shqiptare”. Vinte nga një familje bajraktare e nderuar e Mirditës. Kur u kthye nga lufta, u ndesh me një zhgënjim të paimagjinueshëm. E gjeti shtëpinë e tij (kullën) të djegur nga shokët partizanë, si edhe të gjithë familjen të internuar. Sado e pabesueshme të tingëllojë kjo, është plotësisht e vërtetë. Tek vështronte harkun e mermertë të derës, me emrin e të atit “Gjon Melyshi-bajraktar”, e asnjë këmbë njeriu, ai ndjeu tradhëtinë e madhe që i ishte bërë. Në këto rrethana, u detyrua të arratisej, e ta linte atdheun e vet, për lirinë e të cilit luftoi, e ndoshta do të kishte rënë dëshmor.

Nikoll Melyshi

Ku u vendos fillimisht dhe a pati aktivizim si antikomunist edhe në mërgim?

Ka banuar fillimisht në Kanada, (Toronto) pastaj në vitet ’60-të kaloi në Nju Jork. Ka qenë anëtar i vjetër i organizatës panshqiptare “Vatra”. Mjaft nga miqtë që e kanë njohur, janë ende gjallë. Po, qe antikomunist dhe kishte shkruar libra kundër qeverisë së Tiranës, ku numëronte fakte të vrasjes e eliminimit pa gjyq të shumë kundërshtarëve të saj nga krahinat e veriut, veçanërisht Mirditës, përfshirë këtu edhe 8 pjestarë nga familja e tij.

Dihet që për familjarët fillonte kalvari i vuajtjeve nëse dikush u arratisej dhe sigurisht komunikimi mes palëve mbetej pothuajse një ëndërr. Sa komunikim pati familja jote që prej arratisjes së Nikollës?

Nga ajo ditë duhej të kalonin 45 vjet rresht, me kujtimin e familjes së tij si relikte të shtrenjtë në shpirt. Gjyshi kishte shtetësinë amerikane, por kokën e zemrën e kishte në Shqipëri. Asnjë komunikim nuk iu lejua nga qeveria me familjen, edhe pse ishte baba heroi. Pas 45 vjetësh, në 1989, i ndarë nga familja në atdhe, na dërgoi një telegram ku thuhej: “Mbusha 90 vjeç, a mund të vij të vdes në vendin tim? Baba.”  

Dhe…cila ishte përgjigja e qeverisë “Alia”?

Familja i kërkoi leje Qeverisë, që ta pranonte babanë në atdhe. Mirëpo, përgjigja erdhi negative. Ai burrë i vjetër, kërkonte një copë varr në vendin ku kishte lindur, por edhe kjo iu mohua nga qeveria e Ramiz Alisë. Në fund të vitit, pa i marre leje askujt dhe  i vendosur për të parë familjen e tij pas 45 vjet ndarjeje, mbërrin në aeroportin e Tiranës, Qe tronditje e madhe emocionale për familjen,  ndërsa për Qeverinë duket qe tërmet, se na solli Sigurimin në shtëpi për t’i dhënë urdhër plakut 90-vjeçar, babait të heroit,  të kthehej menjëherë nga kishte ardhur, si person  “non grata”. Im gjysh u kthye në Nju Jork, i detyruar për herë të dytë të linte atdheun.

Si u ndjeve ti si një gazetare e TVSH në atë kohë?

Qe hera e parë që pashë me sytë e mi fytyrën mizore të diktaturës. 

Ç’ndodhi me gjyshin më pas?

Pas kësaj që ndodhi, im gjysh u sëmur me kancer në pankreas.

Shumë shpejt pas ardhjes së Nikollë Melyshit në atdhe, Shqipëria u hap me botën dhe u vendosën marrёdhënie diplomatike me SHBA. Besoj se ke qenë ndër të parët që iu drejtove ambasadës amerikane për të marrë vizë, apo jo?

Po, unë isha nga të parat që mora vizë dhe erdha në Amerikë. Erdha, siç thashë që në fillim, për t’i qëndruar pranё gjyshit tim, në ditët e fundit të jetës së tij. I detyrohesha, në emër të familjes. Mbi këtë ngjarje shkrova tregimin “Shamia e zezë”, tregim i cili mori vlerësime maksimale nga kolegë dhe lexues, dhe u bë bazë për romanin “Yjet nuk janë të Kuq”-Saga e Melyshajve, (2013) që pati një sukses të madh. Kur shkova në Rrëshen, në bibliotekën e qytetit takova një zotëri pensionist i cili më tha:

-Zonjë, libri juaj nuk është vetëm për familjen e nderuar të Melyshjave por me të ke nderuar tanë Mirditën”.

Po ti je rritur në Tiranë, a ke patur rast ta njohësh Mirditën më parë?

E njihja vetëm nga tregimet e gjyshes sime, nënës së Palit. Ajo tek më rrëfente ngjarje historike, ngjarje trimash e trimëreshash, të traditës, dhe veçanërisht për familjen bajraktare ku qe martuar, për mua tabloja u shtri në kufijtë e legjendës. Rrëshenin e njoha mirë dy vite rresht kur banova nga 7-8 muaj atje.  Atje njoha nga afër pjesën tjetër të familjes, të pemës së madhe të Melyshajve. Qe një trung i rëndë, i ndarë në dysh nga rrufeja politike, i shkatërruar e përçarë nga lufta e klasave. Librin nuk do ta kisha shkruar dot pa këtë njohje. Natyrisht ndihmë shumë të madhe me dhanë librat e gjyshit që gjeta në NYC. Ai nga ana e tij kishte botuar libra me vlera njohëse të pazëvendësueshme. Mbi librat e tij qe ndërtuar kohët e fundit një shkrim mbi “Toger babën” dhe krimet e tij në Mirditë.

Togeri i urryer, një figurë e ringjalluar sërish kohët e fundit nga media në Shqipëri sa i përket dokumenteve të krimeve të tij në Mirditë. E meqënëse përmenda median, le t’i kthehemi çështjes së gazetarisë. Para pak ditësh ishte Dita botërore e Lirisë së shtypit, thuhet nëpër ambientet e gazetarëve shqiptarë se po të hysh në TVSH ke gjasa të dalësh në pension aty. Pra nuk të ngacmon njeri mjafton që të mos shkelësh vijën qeverisëse. Cili ka qenë perceptimi yt sa i përket ndërhyrjes ose jo të politikës në lirinë e fjalës gjatë kohës kur punoje në TVSH?

Kohën kur kam punuar në TVSH, e kujtoj me kënaqësi si kushdo që e dashuron profesionin e vet, por edhe si një periudhë tensioni edhe stresi të vazhdueshëm. Stresi ishte i lidhur jo vetëm me procesin e dorëzimit në kohë të programeve për transmetim, por më shumë me censurën dhe vetcensurën. Gjatë punimit të një emisioni televiziv, ne, krijuesit, i njihnim mirë kornizat brenda të cilave nuk mund të lëviznin as edhe një milimetër. Emocionet personale të redaktorit nuk gëzonin asnjë ndjenjë lirie. Nëse do të shtonim një paragraf  të lirë në tekst, për kënaqësinë tonë, ishim 100 për qind të sigurtë që do të na e hiqnin para transmetimit, gjatë kontrollit. Censura kalonte deri në ekstrem. Kur erdha në NY, habitesha se sa të lirshëm ishin drejtuesit e emisioneve të ndryshme në ekranin televiziv; ishin krejt te natyrshëm.

Më trego ndonjë rast konkret censure, nga ato raste sidomos që të bëjnë të shkulesh gazit prej injorancës apo hijes së gjatë të diktaturës. 

Një herë më pat thirrur në zyrë Drejtori i Përgjithshëm i RTSH për të më kërkuar llogari, se përse në një koncert fëmijësh në Durrës, kishim nxjerrë fëmijë pa dhëmbë," “Sikur të jenë pleq!”-tha ai. Guxova t'i kujtoja që është mosha e ndërrimit të dhëmbëve. Një herë tjetër, po i njëjti drejtor më thirri duke më tërhequr vërejtjen që regjisorja e redaksisë sonë nuk kishte nxjerrë në ekran mbesën e kryeministrit (Mehmet Shehut).

"I ka mendtё në vend kjo regjisorja juaj? Shkon në kopshtin e fëmijëve ku është mbesa e kryeministrit, e nuk e nxjerr në ekran? Nise menjëherë me shërbim të bëjë emision tjetër!”

E vërteta ishte që mbesa e kryeministrit atë ditë nuk kishte vajtur fare në kopësht, e kur kishte parë në mbrëmje koncertin e shokëve të saj në ekran, kishte zënë të qante, sepse ajo nuk qe atje bashkë me shoqet. Natyrisht, nipërit e mbesat janë të ëmbël për gjyshërit, por bubullima e gjyshit të saj shkundi televizionin.  

Me kolegët e TVSH

Në një rast na hoqën nga transmetimi një përallë të huaj me kartona, pasi elefanti që u shkatëroi shtëpitë kafshëve të pyllit duhej nënkuptuar si superfuqia. Kur kishte një censurë të tillë tek fëmijët, mendo ç’bëhej më lart. Sa herë zbuloheshin “grupe tradhëtarësh” aq herë pastrohej arkivi i televizionit shtetëror”. Madje edhe ndonjë sekuencë fotografie e varur në mur nga dikush ish-udhëheqës partie apo shteti. E shkreta histori ç’pësonte!

Më pëlqen mënyra jote e të treguarit. Por Albana, a e di që ka zëra në rrjete sociale që thonë se shqiptarët e diasporës, sidomos opinionistët a gazetarët në mërgim nuk kanë të drejtë të shkruajnë a të japin mendim nga larg për ngjarjet në atdhe pasi ata i kanë lënë shëndenë, e kanë braktisur vendin, etj. dhe janë jashtë realitetit?

Kush na i ka hequr këtë të drejtë? Apo mediat e politizuara? Gazetarët e aktivistët këndej ndjekin me vëmendje ngjarjet në atdhe, dhe madje shkruajnë më shumë për to, se sa për ngjarjet politike e aktuale këtu. Mërgimi bëhet në situata të vështira ekonomike dhe politike dhe është e dhimbshme dhe e padrejtë t’i thuash të mërguarit që e ke braktisur atdheun. Mërgimin nuk e shpikëm ne.  Ai ka qenë shekuj e shekuj më parë dhe me sa duket do të vazhdojë edhe shumë të tjerë sa kohë që në botë ka varfëri ekonomike e shtypje sociale. Malli për atdhe mbetet deri sa vdes. “Emigrant quhet ai që trupin e ka në Amerikë dhe qafa i rri zgjatur mbi Atlantik”. Ky ‘përkufizim’ është bërë që me emigrantët e parë që erdhën nga Evropa. Patriotët më të mëdhenj kanë jetuar në mërgim, por natyrisht janë kujtuar e nderohen nga vendlindja më shumë pas vdekjes. Mjaft prej tyre e kanë lënë amanet përcjelljen e eshtrave në atdhe. Kujtoj gjithnjë gjyshin tim që kërkoi të vdiste në atdhe dhe e përzunë udhëheqësit e vendit, ata që bëjnë ligjin. Në SHBA njerëzit gjejnë pikërisht atë që u mungon në atdheun e tyre.

Në gjykimin tim je një intelektuale e kompletuar, produktive jo vetëm në krijimtarinë letrare si autore e shumë librave, por edhe aktive në komunitet, gazetare, përkthyese, e ndihmëse ligjore gjithashtu. Nga e ka burimin potenciali yt i shprehur në kaq drejtime?   

Besoj që kjo ka të bëjë me natyrën e njeriut.  Sa kërkues është ai ndaj vetes, sa i shkathët, dinamik dhe këmbëngulës është në jetë. Mbaj mend që e vogël që ngrihesha herët në mëngjes për të përsëritur mësimet. Të dielave torturohesha në shtrat duke pritur të zgjoheshin edhe të tjerët nga gjumi, që të mos u bëja zhurmë. Mëngjezet i pëlqej, më hapin kraharorin kur bëj ecjen e përditshme përreth. Kthehem në shtëpi e frymëzuar, vë kafen dhe kam gjithë ditën përpara. Sa më shumë gjëra të përmbush, aq më mirë ndihem në mbrëmje.  Amerika ka qenë një frymëzim dhe  njohje e pafund për mua. Fillimisht më dukej e pamundur se si do ta “mundja këtë vend të madh” Kur ecën në Manhattan të duket vetja askush. Më vonë isha unë ajo që nxitoja nga Bruklini në Manhattan për të arritur në kohë në fakultet (Universiteti i NYC) ku shokët e klasës i kisha gjysma e moshës sime, apo sa mosha e tim biri. Mbaja shënime dhe njëkohësisht regjistroja çdo leksion që merrnim. Më kishte mbetur merak që në atdhe krahas fakultetit të gazetarisë nuk mbarova edhe për juridik. Këto dy profesione i shkonin natyrës sime.  Ndërkohë adoptohesha me botkuptimin e ri amerikan, merrja leksionet e jetës çdo ditë. Frymëzim i pafund e pa anë.  Ka kaq shumë për të folur këtu. 5 libra cilësorë njëri pas tjetrit me temën e mërgimtarit të Amerikës. Ishin përjetimet e mia dhe të personazheve që kisha njohur. Kam pasur fatin të punoj në qendra pune të tilla ku jam njohur me halle emigrantësh, kërkimin e punës, regullimin e statusit etj, dhe i kam ndihmuar. Kam një galeri të tërë portretesh në librat e mi me tregime e novela. Madje i nderuari Profesor Piter Prifti, nolisti ynë i fundit, që banonte në San Diego, Kalifornia, e ndiqte krijimtarinë time nga gazeta “Iliria” dhe në një letër përshëndetjeje më shkruante: “Albana, me librat e tu ke fituar të drejtën të quhesh “pionere e letërsisë së emigrimit në Amerikë”. Tashmë janë bërë 15 libra të karakterit letrar e dokumentar. Oh, bashkë me librin e fundit “Bota me një sy”, bëhen 16.

Nga ky libër kam lexuar pak fragmente të cilat i ke postuar në Facebook dhe do doja të rezervoja të drejton e publikimit të tyre në FlasShqip. Ndërkohë jam kurizoze të di se cilin nga librat e tu veçon apo ke më përzemër?

Më i rëndësishmi për nga vlerat në shërbim të shoqërisë shqiptare në Amerikë dhe në atdhe ka qenë libri voluminoz “Udhëtim në Historinë e Amerikës”, botuar në 2003 dhe ribotuar edhe dy herë të tjera, 2007, 2010. Herën e fundit ribotuar nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës e sporteve të Kosovës. Është konsideruar kontributi më i madh që i kam dhënë lexuesit të diasporës. Vlerësimet maksimale i ka marrë nga personalitetet e historisë, këtu, por edhe në atdhe. 

Çdo vend në botë duhet ta dijë historinë e Amerikës. Amerika lindi si një eksperiment i kërkuar nga njerëzit që erdhën në botën e RE, që u bë i suksesshëm dhe u kthye në një magnet të madh që thith njerëzit nga të gjitha vendet, sepse është vendi i mundësive të hapura nëse ke dëshirë të punosh e të ecësh përpara. Eshtë vendi i lirisë por edhe i rregullave pa të cilat nuk mund të qeveriset një vend i madh, 50 shtetesh. Dhe puna këtu të vlerësohet.  Njeriu ka një motivim për të ecur përpara. Amerika u jep liri të madhe komuniteteve, të mbajnë gjallë e zhvillojnë traditat e tyre.   

Vlerë të madhe historike përmban edhe libri “Children of Kosova…”, treguar përmes syrit të fëmijëve, viktima të luftës. 

Po, për nga vlerat sociale është i rëndësishëm edhe libri dokumentar i ilustruar “Children of Kosova- stories of horror-a view from Fort Dix, refugee camp”. Këtë e shkrova qëllimisht në anglisht për anglishfolësit, që ta shikonin genocidin serb në Kosovë nga një këndvështrim i paanshëm, ai i fëmijëve të Kosovës. Kjo qe eksperienca ime nga koha kur punova në kampin e refugjatë ku qeveria amerikane kishte vendosur rreth 5000 familje kosovare të përzëna nga shtëpitë e tyre nën bajonetën sërbe. Fëmijët rrëfyen ngjarjet ashtu siç i kishin parë e përjetuar, pa komente. Ky libër u vlerësua nga Bordi i Edukimit i NYC si tekst shkollor për studimet sociale, klasat 6-12 dhe madje u bë shkas të takohesha me presidentin Klinton. Kam një foto me të nga ai takim.

Hmmm foto me presidentin Klinton. Më fol pak për këtë takim. Si ndodhi?

Në mbrëmjen e organizuar nga Komiteti shqiptar-amerikan i NYC, për nderimin e Presidentit Klinton, shpëtimtarin e Kosovës, ku merrnin pjesë 800 vetë, libri im “Children of Kosova- stories of horror-a view from Fort Dix, refugee camp”, qe vendosur në çdo tavolinë, para çdo të ftuari. Qe dhurata ime për komunitetin. Libri ndodhej edhe në tavolinën ku qe ulur Presidenti Klinton, përpara tij. Gjatë darkës një nga shoqëruesit e presidentit m’u afrua e më kërkoi që ta firmosja librin me nënshkrim për presidentin. U emocionova shumë. Dy minuta më pas më ftuan të ulesha pranë tij. Qe një takim i shkurtër por emocional që mbeti i paharruar për mua. Presidenti Klinton më përgëzoi për librin dhe më pyeti se me se po merresha atë kohë. Nisa t’i tregoj për librin tjetër që kisha në dorë “Udhëtim në historinë e Amerikës”. Ai po më dëgjonte  me një vështrim në profil, por me veshin afruar nga unë. Salla ishte e madhe dhe ndihej zhurmë. Nuk di pse një moment nuk isha e sigurtë nëse po më dëgjonte apo jo, dhe heshta... Atëherë ai u kthye plotësisht nga unë dhe tha: “Go on, I am listening!” U çlirova përfundimisht nga emocionet dhe vazhdova bisedën. Madhështia e njerëzve të mëdhenj qëndron pikërisht në thjeshtësinë e tyre. Atë moment dikush na bëri një fotografi. Është pikërisht fotografia që shihni dhe ju.

Pas më shumë se dy dekadash në NYC, dhe pas gjithë kësaj pune krijuese, keni gjetur kohë të bëni përkthime për lexuesit shqiptar, mes të cilëve edhe unë që kam përpirë librin e përkthyer mrekullisht prej teje “Të martat me Morin”? 

Me thënë të drejtën kohën nuk e kam llogaritur asnjëherë. Kur kam dashur të bëj diçka të nevojshme, s’e kam parë asnjëherë sahatin. Librin e mrekullueshëm “Të Martat me Morin (Tuesdays with Morrie) te gazetarit Mitch Album-bestseller dhe i njohur e shpërndarë në tërë botën. Une ia dhashë lexuesit shqiptar si libër shumë të nevojshëm për kohën me vlera morale të larta.  Më pas përktheva librin voluminoz “Qyteti i Pejtonit” nga Grace Metalius. Ndonjëherë me duket se e gjithë jeta ime ka qënë një vrap gjithnjë me një destin dhe pa stacione.  

A nuk është më bukur dhe emocionuese të mos i dish stacionet? Ndoshta prandaj dhe krijues të pëlqyer janë ata që jeta i ka sprovuar në fronte të ndryshme. Albana të falenderoj që ndave momente të vyera nga jeta dhe krijimtaria jote me lexuesit e FlasShqip.

 

Maj 2019

©FlasShqip