Jorgji Qiro-shqiptari me 3 medalje në muaj në Calgary
- Nga: Jeta Dedja
Duket se muaji mars për shqiptaro-kanadezin 17-vjeçar Jorgji Qiro, i cili ushtron sportin e Jiu-Jitsu prej vitesh në Calgary, Kanada ka sjellë veç fitore. Pas medaljes së artë në London Winter Open, pas medaljes së bronxtë në Shtetet e Bashkuara, vjen dhe medalja e argjendtë nga Italia.
Shqiptaro-Kanadezi Jorgji Qiro garoi në kategorinë e të rriturve mes 24 sportistëve duke u renditur i dyti në Atos Jiu-Jitsu në Kampionatin Europian Jiu-Jitsu No-Gi IBJJF 2018, zhvilluar në Romë, Itali. Kujtojmë se vitin e kaluar Jorgji Qiro fitoi medaljen e artë në këtë kampionat.
Pas shpalljes së rezultateve të kampionatit të 23-24 marsit 2018 në Romë, ja çfarë shkruan 17-vjeçari në profilin e tij në facebook.
“Nuk ishte rezultati që prisja këtë vit në Europianet 2018 në Romë, Itali. Dola i dyti. Falenderoj prindërit që ma kanë mundësuar gjithë këtë. Falenderoj sponsorët dhe profesorët e mi.
Ky është viti i parë që unë garojë në seksionin e të rriturve. Jam 17 vjeç dhe do jap provat se e meritoj të jem me më të mirët në botë. Bëra disa gabime trashanike në finale që më kushtuan medaljen e artë, por do e përmirësoj gjithçka. Tani do fokusohem në objektivin e rradhës”.
Jorgji Qiro i ka treguar ambiciet e tij në artet marciale që në moshë të hershme. Kur ishte 15 vjeç ai doli në vendin e parë në Brazilian Jiu-Jitsu, i cili konsiderohet tashmë në botë si një nga artet luftarake më efikase.
Jorgji Ilia Qiro është me origjinë nga Kuçova. Ai jeton në Calgary të Kanadasë. Ndjek mësimet Robert Thirsk High School.



©Flasshqip.ca












