Julinda Basha, infermierja shqiptare në Montréal flet për Covid-19
Intervistoi: Jeta Dedja
Pandemia Covid-19 ka përfshirë në luftë profesionistë të fushave të ndryshme, por ata që janë në frontin më të vështirë dhe përballen drejtpërdrejtë me rrezikun janë punonjësit e shëndetësisë. Profesionistët e përparëseve të bardha, jeshile a blu, janë të të gjithë kombësive e shtetësive. Ata janë aty në përpjekje të shpëtojnë jetë e të reduktojnë dëme. Një prej tyre është edhe infermierja shqiptare në spitalin e kardiologjisë në Montreal Julinda Basha, e cila ndan me FlasShqip disa informacione e këshilla mbi aktualitetin me emrin Coronavirus.
- Julinda, të lutem më trego me pak fjalë punën që bën aktualisht?
Unë punoj me ekipin e parandalimit të infeksioneve në Spitalin e Kardiologjisë të Montréal-it. Konkretisht ne vlerësojmë rrezikun e përhapjeve të infeksioneve për të gjitha sëmundjet ngjitëse, si dhe momentin se kur rreziku i përhapjes së virusit nuk ekziston më dhe nuk është më i rrezikshëm për të tjerët. Aktualisht në spitalin tonë nuk ka të sëmurë me Coronavirus. Por spitali jonë merr përsipër të gjitha kirurgjitë kardiake që janë urgjente për të liruar qendrat shëndetësore që janë të dedikuara për të marrë përsipër rastet e prekur me koronavirus. Nëse rastet shtohen atëherë do lindin probleme administrimi dhe rregullat do duhet të riformulohen.
- Si paraqitet situata në Montreal? A ka shtim a rënie të rasteve?
Në Montréal situata nuk është shumë e mirë për momentin dhe rastet sa vijnë dhe shtohen në gjithë qytetin. Këtu janë mbyllur dhe parqet publike pasi ka disa njerëz që nuk i respektojnë rregullat që ka vendosur shërbimi publik. Aktualisht ka një shtim të rasteve pozitive me koronavirus dhe kjo për shkak të dendësisë së popullsisë në Montréal, gjë që është jo në favor të situatës.
- Sa të sigurt ndiheni ju si punonjës të sektorit të shëndetit në punën e përditshme?
Momentalisht për punonjësit e shëndetësisë gjendja është pak më mirë dhe nën kontroll. Në fillim, të gjithë profesionistët, mjekët, infermierët dhe gjithë stafi mjekësor ishin nën një stres të madh, për shkak të përballjes me të panjohurën. Është logjike që diçka e re, kërcënuese për shëndetin të shkaktojë frikë dhe ankth. Detyra jonë ishte të shpjegonim të gjitha detajet e virusit dhe mënyrat e transmetimit të tij. Ne kemi një qëllim që të gjithë punonjësit të tregojnë kujdes në përdorimin e pajisjeve për mbrojtjen nga virusi si xhaketat, maskat, dorëzat etj.. Mënyra si vishen dhe si zhvishen me qëllim që të mos kontaminohen nga veshjet. Ne survejojmë që çdokush të ketë praktikën më të sigurt.
- A keni mungesa në pajisje respiratore dhe mjete të tjera të nevojshme?
Deri tani nuk ka mungesë me pajisje shëndetësore dhe rekomandimet që të përdoren me kujdes dhe pa shpërdorim kanë qenë që në fillim të krizës. Megjithatë kemi ndjerë solidaritet shumë të madh këto ditët e fundit. Disa klinika dentare që janë mbyllur kanë marrë të gjithë stokun që kishin në magazinat e tyre me doreza dhe me maska dhe i kanë dhuruar për spitalet.
- A ka patur raste me shqiptarë të infektuar me virusin Covid-19?
Deri tani te puna ime apo në shoqërinë që njohim nuk kemi hasur asnjë rast të bashkëatdhetarëve tanë të sëmurë. Dhe shpresoj që të mos të dëgjojmë.
- Në dijeninë tuaj, çfarë është bërë për ndërgjegjësimin e shqiptarëve të Montrealit lidhur me zbatimin e masave mbrojtëse ndaj virusit, në nivel komunitar e kam fjalën?
Disa komunikime të rëndësishme në lidhje me rregullat të vendosura nga organet e shëndetit publik i kam postuar në faqen time të Facebook, dhe shumë këshilla i kam dhënë për shoqërinë që më shkruajnë dhe më pyesin. Kam bërë publik dhe numrin e telefonit të urgjencës shëndetësore në Montréal. Kam postuar linkun për ndihmën e urgjencës që ka postuar qeveria e Kanadasë, ajo lokale dhe provinciale. Të gjitha këto për të ndihmuar sado pak komunitetin këtu në Montréal. Nuk di ndonjë informacion konkret në nivel më të organizuar. Ndoshta më ka shpëtuar pasi jam e zënë me punë.
- Si profesioniste që je në vijën e parë të luftës me epideminë, çfarë këshille mund t’i jepje komunitetit shqiptar në Quebec, pse jo dhe më gjerë?
Do t’ju lutesha të gjithë shqiptarëve ngado që ndodhen nëpër botë të jenë të fortë dhe të kujdesshëm. Të fortë dua të them të fortë psikologjikisht, ta marrim këtë periudhë të vështirë si një pushim për të qenë afër familjes, komunitetit, njerëzve që na rrethojnë dhe të zbatojnë të gjitha udhëzimet që jep shërbimi publik.
Janë të njëjtat udhëzimë, të cilat përsëriten shpesh sepse janë të rëndësishme. Prandaj ju lutem dëgjoni dhe zbatojini këto rregulla për të qenë këtu dhe pas disa vitesh dhe t’u themi fëmijëve e nipërve tanë që kemi kaluar sakrifica të mëdha.
Dëgjoj shumë miq dhe shokë që më thonë “nuk u rrika në shtëpi”! Po ju ftoj një ditë të vini në spital dhe pastaj jam e sigurt që do më jepni të drejtë. Nëse mundeni, rrini në shtëpi! Harrojini për ca kohë festat, shokët e të ftuarit në shtëpi, por mos harroni të merrni lajme nga ta dhe t’i pyesni nëse kanë nevojë për ndihmë. Kjo është sipas meje të vësh në punë zemrën e madhe në këtë periudhë të vështirë. Duke ndenjur në shtëpi ti shpëton jetë njerëzish.
Nëse mundeni, bëni një shëtitje vetëm, duke mbajtur distancë me njerëzit përreth. Pra jini të kujdesshëm. Mbani distancat 1-2m larg nga njerëzit që ju rrethojnë. Po ju jap një shembull të thjeshtë për t’u kujtuar (hap krahët anash dhe bëni një rreth me krahët të hapur, te ky rreth nuk duhet të hyjë njeri). Kjo është mbrojtja sociale.
Lajini duart përgjatë 20 sekondash me ujë të vakët sa herë jeni në kontakte me sipërfaqe që nuk janë pastruar nga ju. Teshtini ose kollituni te bërryli për të evituar përhapjen e pikave të pështymës. Nëse keni températurë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje mos ngurroni të kontaktoni numrin e télefonit lokal për pandeminë, mos ikni vetë në urgjencë por merrni paracétamol ose tylenol dhe prisni instruksionet lokale. Nuk ju këshilloj të ikni vetë në urgjencë. Jini të kujdesshëm dhe njëherë për veten, familjen tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj.
5 Prill 2020
©FlasShqip.ca