Profil & Intervista

Maskat kuq e zi të studentes shqiptare në Montreal

Nga: Flasshqip

Pasi u diplomua shkëlqyeshëm në Shqipëri në degën e Financës, Brunilda Hoxhalli fluturon drejt Kanadasë me vizën në xhep si studente internacionale duke realizuar kështu ëndrrën e saj të fëmijërisë. Si shumë të tjerëve pandemia ia ngadalësoi planet por nga ana tjetër i dha frymëzim për projekte të pamenduara më parë. Shumë shpejt Brunilda tërhoqi vëmëndjen e FlasShqip përmes një postimi në Facebook të kësaj fotoje.

FlasShqip: Brunilda, FlasShqip ka vërejtur në postimet e tua në Facebook maska kuq e zi me shqiponjë, ku ti fton ndjekësit të porosisin maska të tilla. Si është historia?

B.H. Maska me flamur ishte një rastësi. Ishte një ide e natyrshme që u realizua në kohë rekord. Shumë të rinj që e panë e pëlqyen shumë dhe mendova njësoj si unë do e duan dhe të tjerë.

FlasShqip: Si mund të kenë një maskë të tillë bashkëatdhetarët tanë në Kanada?

B.H. Të gjithë personat që duan mund të më kontaktojnë në Facebook ose në Instagram-in tim personal (Brunilda Hoxhalli). Numri i porosive nga shqiptarë në Kanada, Amerikë dhe Europë i kaloi pritshmëritë e mia dhe kam marrë shumë falenderime dhe mesazhe pozitive.

FlasShqip: Pse të intereson të angazhohesh me çështjet e komunitetit?

B.H. Jam befasuar me komunitetin e mrekullueshëm shqiptar në Montreal. Kam njohur njerëz dashamirës, intelektualë, punëtore dhe mikëpritës sigurisht, që mbështesin njëri-tjetrin dhe ndajnë të njëtin mall për Shqipërinë. Kam dëshirë të kontribuoj në komunitet me aq sa mundem. Kjo ishte një ndër arsyet që u angazhova si mësuese e gjuhës shqipe në shkollën ‘Nënë Tereza’ këtu në Montreal. Mendoj është një interes i përbashkët për të ruajtur kulturën dhe traditat tona. Jam befasuar se sa shumë të rinj që kanë lindur në Montreal ose që kanë ardhur shumë të vegjël arrijnë ta flasin gjuhën shqipe rrjedhshëm dhe bukur. Bravo prindërve që ia kanë mësuar!

FlasShqip: Pandemia të gjeti në Kanada larg familjes, si po i përballon vështirësitë?

B.H. Vështirësia më e madhe në këtë pandemi është të qënurit larg familjes. Këtë vit nuk munda të shkoja në Shqipëri dhe sigurisht që nuk është e thjeshtë. Gjithësesi, unë kam një vullnet të madh për të përballuar vështirësitë dhe preferoj t’i orientoj mendimet drej pozitivitetit. Të paktën përpiqem të bëj më të mirën me aq sa kam në dorë. Edhe pse pandeminë nuk e kisha imagjinuar kurrë përpara se të vija në Kanada, mendoj se arrita ta menaxhoj mirë; do e mbaj mend si një periudhë reflektimi dhe rritjeje nga ana profesionale sepse pata shumë kohë në dorë për të investuar në informacione dhe plane që do më shërbejnë në të ardhmen.

FlasShqip: Nga pozitat e studentes, si po të duket menaxhimi i situatës në Quebec?

B.H. Personalisht jam shumë e kënaqur se si situata është menaxhuar. Edhe pse unë nuk kam dokumenta kanadeze si rezidente permanente jam trajtuar si një e tillë. Më kanë kontaktuar punonjës të shtetit nëse mund të më ndihmonin me çfarë do që mund të kisha nevojë. U ndjeva me fat kur përfitova nga programi i Ministrisë së Emigrimit i cili më ofroi mundësinë për të marrë kurse të gjuhës franceze, madje edhe më pagoi për ta mësuar atë.

FlasShqip: Cilat janë planet e tua pas fundit të pandemisë?

B.H. Pasi pandemia të mbarojë, patjetër që do shkoj të takoj familjen dhe miqtë në Shqipëri. Gjithsesi, jam duke ndërtuar një të ardhme shumë të bukur në Kanada dhe tashmë planet e mia janë të lidhura ngushtë më të dyja shtetet.

 

Montreal, 2021

©FlasShqip