Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Arta Rexhepi
“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen çdo javë personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja. Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut.
Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme, Arta Rexhepi, gazetare dhe broker e sigurimeve nga Nova Scotia, por me shpirt e zemër nga Gjilani i bukur.
- Arta nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?
Ngjyra e kaltër, ndihem e qetë, në paqe.
- Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?
Kur je e angazhuar shumë, vitet rrjedhin shumë shpejt, sidomos kur i ke fëmijët që janë duke u rritur e që vërtetojnë kalimin e kohës.
- Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?
Guximi i prindërve të mi të vazhdojmë jetën në Kanada.
- Humbja më e vogël?
Humbjet e vogla janë ato materiale.
- Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?
Covid-19 e ka trazuar gjithë botën. Një rast tjetër që me ka trazuar shpirtin ishte një ngjarje në Nova Scotia në Shkurt të vitit 2018, kur një familjeje refugjatësh nga Siria iu dogj shtëpia nga zjarri që mori jetën e 7 femijëve të tyre. Kjo ngjarje besoj ma ka këput shpirtin edhe pse nuk i kam njohur personalisht.
- Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?
Situatave që nuk më bëjnë të ndihem e qetë.
- Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?
Nuk ka njeri që ndonjëherë nuk ndihet i/e mërzitur. Por mërzia afatgjatë të ndalon të jetosh ashtu siç e meriton. Mërzinë afatgjatë më shumë do e quaja depresion dhe shpresoj që një ditë edhe në kulturën shqiptare t'i këpusim kufijtë dhe të flasim më lehtë për shëndetin mendor dhe t’i inkurajojmë ata që kanë nevojë për ndihmë të ndihen të përkrahur nga rrethi shoqëror.
- Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?
Shkrimi, leximi dhe udhëtimi.
- Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?
Më duhet të punoj më shumë për formën fizikë, ndaj dhe mundohem të gjej kohë me shoqet e mia të dashura të shkojmë në spa, çka më bën të ndihem mirë edhe fizikisht edhe shpirtërisht.
- Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?
E lehtësuar. Gjërat e mira vijnë ngadalë.
- Si i dallon njerëzit e mënçur?
Nga thjeshtësia e tyre, pasioni i tyre për ndryshim, ndikimi i librave në jetën e tyre.
- Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?
Për udhëtime, për rritjen e fëmijëve, ngjarje të përditshme në botë të cilat na ndikojnë kudo që jemi.
- Profili i “mikut” të padëshiruar?
Nuk kam asnjë mike në listën e padëshiruar. Kujdesem mirë kur e pranoj një.
- Cila është formula e njeriut të mirë?
Buzëqeshja, pozitiviteti, bamirësia.
- Përkufizimi i budallallëkut?
Budallallëku nuk ka kufi.
- Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?
Humbjen e fëmijës.
- Një rast tipik kur të vjen për të sharë?
Kur jam duke ngarë makinën dhe dikush më pret rrugën keq dhe kur nuk mund të përmbush një punë në kohën e duhur, kur kalojnë afatet.
- Më thuaj një fjalë të veçantë dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?
Më ka pëlqyer fjala Erudit e sugjeruar nga vjehrri im dhe atë ia kam falë emër djalit tim të vogël. "Miku i mirë njihet në ditë të vështirë" është një fjalë e urtë shqipe që më pëlqen dhe mundohem t’ia mësoj fëmijëve të mi rëndësinë dhe kuptimin e saj.
- Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?
Vendlindja.
- Po libri i fundit që ke lexuar?
"Surviving the white gaze", nga Rebecca Carroll.
- Kënga që do këndoje në një karaoke?
Edhe pse vij nga një familje muzikantësh, mua nuk më shkon muzika dhe gjithmonë ky fakt i ka çuditur shumë njerëz. Unë as do kisha provuar karaoke.
- Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?
Kemi pasur një studente vitin e kaluar nga Japonia, e cila na mungon shumë. Shpresojmë që brenda 5 viteve do ta realizojmë një udhëtim në Japoni dhe shtete fqinje.
- Pema që të kënaq syrin?
Më pëlqen shumë natyra ndaj nuk veçoj. Të gjitha.
- Nata perfekte e dimrit kanadez?
Më pëlqen të shikoj filma ose të lexoj, të provoj verë dhe djathëra të ndryshme lokale me pamjen drimërore që kam.
- Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?
Mielli dhe djathi.
- Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?
Ushqimin e mamit dhe babit.
- Zakoni që do doje mos ta kishe?
Kur shoh lajme të dhimbshme, prekem shumë shpirtërisht dhe do doja mos t’i përjetoja kaq shumë të gjitha ngjarjet e trishta.
- Aftësia që do doje të kishe?
Të luaj më mirë Tenis.
- Projektet e tua profesionale për të ardhmen ?
Të botoj librin tim autobiografik personal në anën e shkrimit, ndërsa në profesionin e përditshëm të përfundoj programin e sigurimit dhe të marr titullin që njihet si "CIP designation".
- Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?
Pjesëmarrja në Festivalin e filmit me dokumentarin “North Preston: A look past stigma”.
- Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?
Ndihem mirë. Faleminderit për këtë projekt unik!
17 Prill 2021
©FlasShqip.ca












