Profil & Intervista

Miltiadh Prifti nga Lukova, importuesi i vajit të ullirit shqiptar në Kanada - Nga Taulant Dedja

Nga: Taulant Dedja

 

Ky shkrim është vijim i një cikli shkrimesh të mëparshme lidhur me rrugët dhe mundësitë që mund të eksplorohen për depërtimin e produkteve shqiptare, produkte që mund të jenë sa më interes po aq edhe konkuruese në tregun kanadez. Kësaj radhe do të rrefej për Miltiadh Priftin, shqiptarin nga Lukova, importuesin e vajit të ullirit prodhuar nga varieteti autokton Kalinjot “Made in Albania” në Kanada. Mësova për të rastësisht, përmes rrjeteve sociale. Qysh në komunikimin e parë me të e ndjeva pasionin dhe dashurinë e tij për vendlindjen, por edhe krenarinë e ligjshme për faktin që siç shprehet ai, ka arritur të sjellë një “copëz Shqipëri” në Kanada, përmes një produkti eskelence. Me kënaqësi ai iu përgjigj ftesës time për të ndarë një pjesë të historisë së jetës dhe aktivitetit të tij me lexuesit e Flasshqip. Dhe unë e falenderoj që në krye të herës dhe e përgëzoj me gjithë zemër për arritjet e tij.

Miltiadh Prifti ka lindur në Lukovë të Sarandës në vitin 1983. Pranë ullinjve që brez pas brezi pat trashëguar familja e tij. Si shumë të tilla shqiptare, edhe familja e tij u bë pjesë e emigrimit masiv që përfshiu Shqipërinë pas rënies së sistemit komunist. Siç rrëfen vetë ai, pozicioni gjeografik i Lukovës duhet të ketë qenë motivi përse prindërit e tij zgjodhën Greqinë, si fqinji më i afërt për të emigruar. Në Greqi Miltiadhi qëndroi rreth 10 vite, deri në përfundim të gjimnazit. Në vitin 2002, 19 vjeçar, ai vendos të emigrojë i vetëm në Kanada, me synim kryesor kryerjen e studimeve universitare. Sigurisht, rruga nuk ishte e shtruar e duheshin sakrifica. Ai vendoset në Toronto, ku jeton edhe sot, nis të punojë si gjithë të ardhurit rishtaz e me perpjekje e vullnet, objektivi që e motivoi drejt Kanadasë realizohet në vitin 2012, vit kur diplomohet Bachelor of Commerce në degën Business Management (më focus në Marketing Management) të Rayerson University.

Më pas, në vitin 2013, ai hap biznesin e tij “Purple Raindrops”, me vendndodhje në Mississauga, aktivitet i fokusuar në Signs, Printing dhe Graphics Applications.  Po atë vit kthehet në vendlindje me pushime dhe aty zë fill dhe ideja për t’iu përkushtuar ullirit dhe produkteve derivate të tij. Dihet që kultivimi i kësaj bimë në viset tona ka një traditë qindravjeçare.

Siç shprehet vetë Miltiadhi, “shtysa për t’u rikthyer te rrënjët, te origjina, kërkimi i vetvetes, ishin malli, nostalgjia dhe kujtimet e shumta nga fëmijëria”. Si përherë, gjatë qindra viteve, edhe në vjeshtën e 2013 në Lukovë nisi sezoni i ullirit. Ashtu si gjyshërit dhe stërgjyshërit, Miltiadhi i rikthehet traditës së mbledhjes së ullinjve. Teksa punon i kujtohen rrëfenjat e nënës e cila kur ishte fëmijë u çonte drekën punëtorëve dhe familjarëve në ullishte, apo koha kur gjatë diktaturës komuniste, gjyshi i tij përgatistë fshehurazi vaj në shtëpi duke i shtypur ullinjtë me këmbë.

E kështu, ai Tetor i parë i rikthimit në vendlindje pas 22 vitesh pranë ullinjve shekullorë, ringjalli tek ai lidhjet me tokën, traditën, prejardhjen dhe nxiti e frymëzoi një pasion prej të cilit ai nuk është ndarë më. Rregullisht çdo vit, periudhën e vjeljes së ullirit ai e planifikon ta kalojë në Lukovë. Koha që kalon aty nuk i dedikohet vetëm prodhimit të vajit apo përgatitjes së ullinjve për përdorim në tavolinë por edhe leximit, studimit, kërkimit, eksplorimit dhe eksperimentimit për sa i përket recetave dhe mënyrave të përpunimit, të përqendruara te varieteti i ullirit Kalinjot. Ulliri Kalinjot është varitetet autokton shqiptar. Numërohen më shumë së 5 milionë rrënjë të këtij varieteti në Shqipëri, çka përbën gati gjysmën e totalit të numrit të përgjithshëm të pemëve të ullirit në vend. Mbi 550,000 rrënjë të varietetit Kalinjot janë më shumë se njëshekullore nga mosha.

Në vitin 2018, Miltiadhi dhe familjarët e tij themelojnë shoqërine e prodhimit NenaFarm dhe arrijnë ta realizojnë produktin e parë pas sezonit të vjeljes të vitit 2019. Synimi, sipas tij, “ishte ngritja e një biznesi me mentalitet perëndimor që gërsheton traditën me teknologjinë e sotme moderne, një biznes që prioritet të kishte ekselencën”. Dhe frytet e para të punës këmbëngulëse dhe suksesi nuk vonuan. Pas një konkurimi, NenaFarm fitoi edhe mbështetjen nga EU4Innovation, një program i posaçëm i Bashkimit Europian për stimulimin e inovacionit në Shqipëri.

Sot, shprehet Miltiadhi, “nuk do të ishte e drejtë që NenFarm të quhet thjesht një fabrikë prodhimi. Është shumë tepër se kaq. Duke qenë se ne në AND jemi fermerë, të lidhur me tokën dhe traditën shekullore brez pas brezi të kultivimit të ullirit, NenaFarm është traditë, filozofi e mënyrë të menduari, art i shprehur përmes produkteve tona. Për ne gjithçka fillon që nga kujdesi për tokën dhe pemën qysh nga rrënja. Aty pikërisht buron cilësia e produktit që më pas garantohet me kujdesin gjatë gjithë etapave të tjera, vjelja, transporti, procesimi dhe ambalazhimi. Pra një cikël i kontrolluar dhe organizuar me kujdes nga fillimi deri në fund, nga rrënjët deri në tryezën ku konsumohet produkti i NenaFarm”.

U bëra kurioz dhe e pyeta Miltiadhin për arsyen e vendosjes së emrit NenaFarm. Duke e njohur dhe vetë bregdetin jugor, e kuptova mennjëherë dhe shpjegimin e tij. Burimi i emrit ishte gjyshja e tij. Gjyshet në dialektin e Jugut më shpesh i thërrasin nena (pa ë). Në vitin e parë kur Miltiadhi u kthye në Lukovë e filloi vjeljen e ullinjve pikërisht në një nga parcelat që kishte trashëgim nga gjyshja. Por jo vetëm kaq. Nena, thotë ai, “sepse traditat tona në ushqim, që nga ullinjtë apo recetat e tjera, na vijnë dhe trasmetohen pikerishte nga gjyshet tona. Nenat/gjyshet kanë dhe japin gjithnjë dashuri, ngrohtësi, kujdes dhe përkushtim. Ato bëjnë më të mirën për familjen e tyre dhe sidomos kur vjen ora e ushqimit, nenat përgatisin gjithçka me shumë kujdes dhe dashuri”.

Kështu dhe NenaFarm, me të njejtën përkujdesje dhe dashuri i përgatit dy produktet e veta vaj ulliri Extra të Virgjër dhe ullinj për konsum në kavanozë. Vaji i varietetit Kalinjot tregëtohet tashmë në Shqipëri dhe Kanada, ndërsa ullinjtë për momentin vetëm në Shqipëri. Ndërkohë, pas përfundimit të procedurave përkatëse, ullinjtë e ambalazhuar në kavanozë pritet të hyjnë në tregun kanadez në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Ky lloj produkti, siç e shpjegon Miltiadhi me shumë pasion, “është krejt artizanal, i bazuar në traditën shqiptare dhe i përpunuar në menyrë krejt natyrale duke përdorur vetëm kripë deti dhe ujë. NenaFarm nuk përdor konservantë apo stabilizues por vetëm vaj ulliri extra të virgjër çka bën që aroma dhe shija e ullinjve të jetë natyrale sikurse dhe vlerat ushqyese, ashtu siç i ofron toka dhe tradita shqiptare”.

Produktin e NenaFarm, vajin e ullirit, sot mund ta gjesh në disa markete ushqimore apo biznese në Greater Toronto Area: Cheese Boutique, European Patisserie, Messina Bakery, Old Mill Pastry & Deli, Luga e Arte by Alba Catering & Events, Arto Bakery, Serano Bakery, Rustic Bakery, Kostas Meat Market, Mak European Delicatessen, Fresh From The Farm (Schmucker's), The HeadMeat Store, Pristine Fine Foods dhe Tre Mari Bakery.

Por si e shikon Miltiadhi të ardhmen e produkteve shqiptare në Kanada dhe jo vetëm këtu?

Thelbi i përgjigjes së kësaj pyetjeje sipas tij, “lidhet me konsolidimin e kulturës së zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare në përputhje gjithnjë e më tepër me standardet perëndimore. Promovimi i brandit shqiptar “Made in Albania” duhet të mbështetet në harmoninë e bashkëpunimit të disa aktorëve: konsumatorëve, prodhuesve, institucioneve shtetërore, shoqatave të komunitetit në diasporë dhe mediave të diasporës”. Në këtë kontekst, secili aktor ka rolin e vet të veçantë dhe thelbësor. Duke filluar nga konsumatorët shqiptarë në Kanada. Fillimisht duhet fituar besimi dhe pastaj mbështetja e diasporës për produktet shqiptare, në mënyrë që ato të bëhen të njohura edhe për konsumatorin e gjerë kanadez, pra të behen pjesë edhe e traditës multikulturore kanadeze të ushqimit.

Natyrisht ky besim në momentin që arrihet, mund të mbetet i tillë vetëm nëse prodhuesi ruan dhe i rrit madje më shumë standardet, sepse nuk duhet harruar që produkti perveçse emrit të prodhuesit, përfaqëson dhe brandin e Shqipërisë. “Çdo produkt “Made in Albania”, është një copëz Shqipëri”, shprehet Miltiadhi. Per sa i perket produkteve ushqimore shqiptare në përgjithësi, ai është mendimit që “vendi ynë ka një traditë të lashtë shumë të pasur në ketë drejtim. Kudo në Shqipëri gjenden produkte jo vetëm specifike shqiptare, por gjenden dhe varietete autoktone perimesh e frutash. Pikërisht produktet lokale unike janë ato që mund të depërtojnë më lehtë te konsumatori kanadez”.

Natyrisht për temën që po flasim, një rol i konsiderueshëm i takon shtetit shqiptar. Pa mbështetjen e shtetit, rruga e depërtimit të produkteve shqiptare në tregun jashtë Shqipërise bëhet më e gjatë dhe më e vështirë. “Kur them mbështetje nga shteti”, pohon Miltiadhi, “kam parasysh sisomos plane strategjike që mbështesin eksportin e produkteve shqiptare, çka rrit dhe autoritetin e vendit në botë dhe shkallën e tij të integrimit në një botë gjithnjë e më konkuruese dhe globale”. Natyrisht, sipas tij, kjo është një sfidë e jashtëzakonshme, por përqëndrimi mund të fokusohet tek ato produkte që japin më shumë garanci për sukses dhe që janë konkurues si në cilësi ashtu edhe në çmim.

“Po kështu”, shprehet ai, “shoqatat e komunitetit apo media që operojnë në Kanada, apo në shtete ku në mendojmë se produktet shqiptare do depërtojnë më lehtë, kanë gjithashtu një rol të veçantë promovues dhe mbështetës për të luajtur në të ardhmen”. Ato janë aleatët më të fuqishëm të brandit “Made in Albania”. Në ketë drejtim do të ishin me shumë interes aktivitetet me synim promovimin e produkteve specifike.

Ndërkohë, thekson Miltiadhi, “roli i mediave sot është më i rëndësishëm së kurrë më parë. Jo vetëm përmes reklamës dhe pasqyrimit të lajmeve mbi produktet, por mbi të gjitha përmes edukimit. Edukimi bëhet duke përshkruar dhe traditën e prejardhjen e produkteve, historinë, vlerat, përshkrimin e zonës gjeografikë nga vijnë dhe impaktin që mund të sjellë eksporti i produkteve për ta bërë më të njohur Shqipërinë dhe kulturën shqiptare në çdo komponent të saj, sepse produktet ushqimore janë ndër elementët më të rëndësishëm të kulturës së një populli”.

Ky lloj edukimi, për të cilin bën fjalë bashkëbiseduesi im, do t’i vlejë sidomos brezit më të ri të shqiptarëve që kanë lindur e po rriten jashtë trojeve të atdheut të të parëve. Krahas cilësisë së produkteve, ky lloj edukimi do të jetë edhe një garanci më shumë për suksesin e produkteve shqiptarë në tregun Kanadez apo kudo në botë.

©Flasshqip.ca

Nëse doni të mësoni më shumë për produktet e NenaFarm mund të ndiqni në mediat sociale:

 https://www.instagram.com/nenafarm_lukove/

https://www.facebook.com/nenafarm_lukove-104780431194306

Gjithashtu mund të shkruani në adresën Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. apo të telefononi në numrin 647 907-9175.