Profil & Intervista

Bashkëpunimi institucional mes shoqatave shqiptare, një imperativ më se aktual

Nga: Taulant Dedja

Bisedë me Kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Illyria” Halifax – Nova Scotia, ARDIAN HASANAJ

                                                        

FlasShqip: A mund të përmblidhet shkurtimisht historiku i prezencës së komunitetit shqiptar në Halifax dhe në provincën Nova-Scotia?

AH: Së pari më lejoni të falenderoj Portalin Flasshqip.ca për mundësinë që na krijoi për të biseduar rreth komunitetit dhe aktiviteteve të shoqatës tonë. Kjo është edhe një mundësi që na shërben për shkëmbim idesh në mes shoqatave shqiptare këtu në Kanada. Prezenca e komunitetit shqiptar në Halifax daton diku nga fundi i viteve ’90-të. Disa nga pjestarët e komunitetit me të ardhur këtu krijuan Shoqatën “Illyria” dhe bënë regjistrimin e saj në vitin 1998. Gjithsesi, fluksi më i madh i të ardhurve nga vendlindja ka qenë në vitin 1999, në kohën e luftës së Kosovës.

FlasShqip: Sa është aktualisht numri i bashkatdhetarëve tanë aty dhe si mund ta përshkruani ju integrimin e tyre në shoqërinë kanadeze? A mund të na përmendni disa personalitete të spikatura?

AH: Në provincën e Nova Scotia-s kemi një komunitet të vogël i cili dita ditës po rritet edhe më shumë me bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Ndërsa përsa i përket shifrave, këtu në Halifax jetojnë rreth 400 shqiptarë të grupuar në 100 familje.  

Komuniteti ynë është mjaft mirë i integruar në shoqërinë kanadeze. Pjesëtarët e tij kanë arritur ta gjejnë vetën në të gjitha sferat e jetës dhe kanë mundur të bëhen njerëz me ndikim në shoqërinë kanadeze. Kemi individë shumë të suksesshëm si për shembull mjekë apo artistë. Të tjerë janë sipërmarrës në biznese të ndryshme. Po ashtu specialistë të inkuadruar në sistemin, arsimor, bankar në media apo në administratën bashkiake. Lista e personaliteteve të spikatura është e gjatë dhe është e vështirë për mua të bëj dallime, Ajo që duhet vlerësuar është pjesëmarrja dhe angazhimi i tyre me përkushtim për të mbështetur shoqatën dhe aktivitetet e saj.

FlasShqip: Si është e organizuar shoqata që ju drejtoni? Cili është misioni  dhe cilat janë aktivitetet më të rëndesishme të saj aktualisht?

AH: Shoqata Shqiptaro-Kanadeze “Illyria” këtu në Halifax është e mirëorganizuar. Sikurse e përmenda më lart ajo ekziston që nga viti 1998. E gjithë veprimtaria, puna e saj apo vendimet, bazohen tek statuti.

Misioni i kryesor i shoqatës është të kultivojë, përparojë dhe ruajë frymën dhe kulturen shqiptare në Provincat e Atlantikut të Kanadasë. Aktivitetet e shoqatës janë sa informative dhe edukative, po aq edhe kulturoro-argëtuese dhe humanitare.

Aktiviteti më i rëndësishëm vjetor eshtë organizimi dhe funksionimi i shkollës shqipe. Kjo shkollë u bë 5 vjet që është hapur dhe krijon mundësitë më të mira që fëmijët të trashëgojnë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Për fat edhe Kanadaja e nxit dhe mbështet një gjë të tillë. Në listën e aktiviteteve përfshihen gjithashtu organizimet e festave të ndryshme, piknike verore për komunitetin, ndeshje sportive si dhe aktivitet të tjera social-kulturore që i shërbejnë forcimit të kohezionit brenda komunitetit.

FlasShqip: Po bashkëpunimi me shoqatat e tjera në Kanada si paraqitet?

AH: Bashkëpunimi me shoqatat e provincave të tjera në Kanada ende nuk ka nisur për ne dhe kjo është një mangësi që duhet kapërcyer sa më shpejt. Mendoj se po të kemi një forum institucional bashkëpunimi mes të gjitha shoqatave shqiptare, secila prej tyre do të përfitonte shumë nga këmbimi i eksperiencave. Institucionalizimi i bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare të të gjitha provincave është një imperativ i kohës së sotme.

FlasShqip: Si mendoni, cilat duhet të jenë marrëdhëniet e diasporës me shtetin amë dhe si i shikoni raportet aktuale mes ketyre dy faktorëve shqiptarë? Është hedhur madje dhe ideja e pjesëmarrjes së diasporës në votime … A e ndjeni aktualisht interesimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan për emigrantët në Kanada dhe aty ku jeni ju?

Mardhëniet e diasporës me shtetin amë duhet të jenë sa më të mira dhe në nivel sa më të lartë. Ne si komunitet gjithmonë jemi të gatshëm për bashkëpunim. Qeveritë e të dy shteteve amë, Shqipërise dhe Kosovës, duhet të jenë të gatshme për bashkëpunim duke krijuar mundësitë për bashkatdhetarët në drejtim të investimeve në atdhe si dhe duke ju ofruar atyre lehtësira në procedura dhe ndoshta edhe lehtësime të barrës fiskale në periudhën e fillimit të aktivitetit. Duket se interesimi i shteteve shqiptare për emigrantët në Kanada kohët e fundit është më i madh se më parë. Në Halifax patëm rastin madje të kemi në vizitë Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi si dhe Ambasadorin Lulzim Hiseni

Ndërsa pjesëmarrja në votime mendoj se do të ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe një mundësi e mirë që edhe ne të jemi pjesë e vendimit se si dhe kush do të udhëheqë dhe qeverisë në atdhe. Përveç pjesëmarrjes në votime pse mos të kemi edhe përfaqësues nga diaspora në qeveritë e të dyja shteteve, përfaqësues të cilët do të votoheshin nga ne dhe do të përfaqësonin interesat tona të diasporës në mënyrë më direkte.

-Para pak ditësh, kryetari i Shoqatës “Iliria” në London të Ontarios, Besnik Rexhvelaj, propozoi publikisht krijimin e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez”, forum në të cilin të përfaqësohen të gjitha shoqatat për bashkëpunim dhe këmbim eksperience. Si e vlerësoni një ide të tille? A mendoni që një forum i kësaj natyre mund ti shërbejë më mirë ruajtjes së identitetit tonë kulturor në vazhdimesi brenda kuadrit te shoqërise kanadeze multikulturore?

Ideja për krijimin e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez” është një ide mjaft e qëlluar dhe shpresoj se një ditë do mund të realizohet me kontributin e të gjithe faktorëve. Ne e mbështesim plotësisht. Ky forum do të ishte një mundësi për të gjithë ne. Ai do na ndihmojë të këmbejmë idetë dhe përvojat por edhe do të na afrojë më shumë me njeri-tjetrin duke u shndërruar në një urë lidhësë në shërbim të ruajtjes së identitetit shqiptar prej nesh dhe prej pasardhësve tanë.

Kush është Ardian Hasanaj?

Ardian Hasanaj është me origjinë nga Istogu, qytet i vogël i Rrafshit të Dukagjinit në Kosovë. Pas përfundimit të shkollës së mesme në qytetin e lindjes, ai ka vazhduar studimet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë ku dhe është diplomuar më 2009. Në të njëjtin vit ai ka emigruar drejt Kanadasë duke u vendosur në qytetin e Halifax-it ku edhe jetonte një pjesë e familjes së tij. Krahas punës ai nuk i është ndarë as këtu studimeve dhe tani së afërmi në qershor, pret të diplomohet në fushën e kontabilitetit pranë Mount Saint Vincent University, Halifax. Prej vitesh ai ka qenë mjaft aktiv në radhët e Shoqatës “Illyria” dhe nga viti i kaluar eshtë zgjedhur edhe kryetar i saj.

 ©Flasshqip.ca