Profil & Intervista

Tringa Rexhepi, që tringëllon bukur në art dhe në jetë

Intervistoi: Jeta Dedja

Na ndodh ta përdorim mbiemrin i/e bukur vend e pa vend, pa i kushtuar rëndësinë e kuptimit të vërtetë. Por do t’ju tregojmë sot se në ç’rast mund ta përdorim me plot gojën këtë cilësim.

Oh Zot, sa e bukur është artistja shqiptaro-kanadeze Tringa Rexhepi! Këngëtare, aktore dhe pedagoge, ajo të lë pa frymë sapo e sheh, është një bukuri e pastër femërore. Por Tringa është një grua e bukur, jo vetëm nga pamja e jashtme, por edhe sepse dallon për nga personaliteti, ajo qesh shpesh, ka mirësi dhe kujdeset për të tjerët. Ajo i ndriçon ditën njerëzve që e rrethojnë, sidomos Skotit, burrit të saj muzikant që e shoqëron shpesh me pianon e tij, i cili ia shton Tringës tringëllimat e shpirtit.

Tringa e bukur ka lindur në Gjilan dhe në moshën 8-vjeçare për shkak të luftës në Kosovë, emigroi në Kanada. Bashkë me familjen u vendosën në Halifax. Sot ajo është një vajzë me të cilën prindërit e saj të mirë krenohen, është një motër e dashur me të cilën bisedohet orëve të vona, por edhe një grua fantastike që di të jetë shoqe, kolege dhe bashkëshorte.

Me gjithë këto role Tringa e gjen hapësirën edhe për Flasshqip, me gatishmërinë e artistes që fama dhe angazhimet i pushtojnë veç kohën, por jo mendjen duke e ruajtur Tringën të thjeshtë e realiste gjer në bukuri.

Kështu duket Tringa kur na tregon kujtimet e saj të fëmijërisë në Kosovë. Biseda zhvillohet në gjuhën shqipe, se Tringa shprehet se është krenare që është shqiptare dhe se familja e saj e ka të rëndësishme ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe.

Tringa i kujton shoqet me mall, shkollën dhe liqenin Brana të Përlepnicës, festimet e Vitit të Ri së bashku me familjen, bibliotekën e nënës së saj Bedrijes dhe pikturat e të atit. Bëjmë me dije se Tringa është vajza e artistëve Bedrije dhe Zeqirja Rexhepi. (Eh..po gen artistësh)

Pas vendosjes në Kanada, Tringa tregon për vështirësitë e mëdha që hasi në integrimin e një vendi gjuhën e të cilit nuk e njihte. Më shumë ka ndjerë vështirësi prej largësisë me shoqet dhe motrat e saj të dashura, Ema dhe Yllka.

Por kur kujtonte se ishte larg luftës, ndihej e qetë dhe i gëzohej natyrës së bukur të Halifax-it si dhe mirësisë së qytetarëve kanadezë.

Iu dedikua shkollës duke studiuar lloje të ndryshme arti fillimisht aktrim në “Neptune Theatre School”.  Deri në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë në mbi dhjetra shfaqje teatrale. Ka debutuar në film në serialin “Soul” në disa episode.

Pasi mbaroi fakultetin u vendos në Toronto me miqtë e saj të shkollës, larg prindërve, për të ndërtuar karrierën në arte. Dhe ia doli…

Me këngën “Go” Tringa Rexhepi debutoi në skenën muzikore kanadeze ku u prezantua në skenën prestigjioze të Torontos, në kuadër të “Miss Globe 2015”. Më pas shfaqet si kantautore me këngën “Full time”.  Vitin e kaluar Tringa publikoi videoklipin "Pa Ty". Ajo shprehet se “Dua të bëj muzikë dhe art cilësor, jo vetëm për famë”.

Tringa gjatë gjithë kohës është në aktivitete muzikore, projekte teatri apo filmi, mësimdhënie. Gjatë koncerteve u njoh me Skotin, bashkëshortin e saj kanadez, me të cilin ka udhëtuar në Europë, Meksikë e SHBA, sigurisht dhe shumë shpesh kanë shkuar në Shqipëri e Kosovë së bashku, për të takuar familjarët e Tringës atje, por edhe sepse Skotit i pëlqejnë shumë qebapet dhe burekët e Kosovës

*Përtej karrierës së Tringës*

Kur e pyesim nëse ka në plan ndonjë bebe së shpejti na thotë: “Për momentin jo. Muzika është përparësia ime këtë vit”.  

Çfarë e bën Tringën të lumtur?

T.R: Familja dhe shoqëria më bëjnë të lumtur. Normal edhe arti, udhëtimet, kënaqësitë e vogla në jetë si restorantet dhe aktivitetet e ndryshme.

Çfarë të pëlqen tek vetja?

T.R: Besoj se jam zemërgjerë dhe mundohem të ndihmoj të tjerët.  Fakti që punoj shumë dhe i jap rëndësi kualitetit të punës time.

Për çfarë i ke ngjarë mamit?

T.R: Unë jam si mami, sepse ajo është e fortë dhe feministe! Ajo kujdeset shumë për familjen.

Si do e përshkruaje babin?

T.R: Babi ka personalitet gjigand. Ai i bën të tjerët të ndihen shumë rehat, ka humor dhe talent natyral për gjithçka në art.

Kur mërzitesh si reagon?

T.R: Kur mërzitna e thirr mamin, (po e shkruajmë kosovarçe këtë pjesë) shkruaj tekste për muzikë, eci jashtë në natyrë.  

Kujt ia tregon sekretet?

T.R: Nuk kam shumë sekrete, jam “libër i hapur”… hahaha. Por nëse kam ndonjë sekret e mbaj për vete ose ia tregoj Skotit!

 

Dhe ne të FlasShqip herën tjetër do kontaktojmë Skotin t'i nxjerrim ndonjë sekret të Tringës. :) 

 

©Flasshqip.ca/ 27.04.2018