Profil & Intervista

Dr. Ailda Mëngjesi, mjekja e njohur në Chicago i përgjigjet Pyetësorit të Jetës

Nga: Jeta Dedja

Dr. Ailda Mëngjesi është një mjeke e suksesshme shqiptare e cila jeton e punon në Chicago-Illinois, SHBA. Ajo nuk është vetëm një rheumatologe, studiuese dhe pedagoge me arritje të mëdha në fushën e mjekësisë, por edhe një poete, përkthyese, publiciste, me penë të ndjeshme e mesazhe të qarta.

Dr. Ailda është ndjekëse e portalit Flasshqip e cila një ditë ndeshi rubrikën “Pyetësori i Jetës”. Ky është një pyetësor me 31 pyetje të hartuara prej meje për personazhe të diasporës së Amerikës Veriore, por çdo lexues ftohet t’u përgjigjet 31 pyetjeve. Kështu ndodhi me Dr. Ailda, e cila me kërshërinë e saj si lexuese pati mirësinë ta bëjë veten personazh të pyetësorit dhe ta postojë në profilin e saj në FB. Ky fakt më gëzoi pa masë, se i dua njerëzit që reagojnë pa komplekse ndaj një ftese, dhe do doja ta ndaja intervistën e saj me lexues të tjerë të FlasShqip.

Dr. Ailda Mëngjesi: "Duke lexuar ndër të tjera një intervistë përgatitur nga gazetarja Jeta Dedja, lexoj në fund të saj, edhe "Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarit të sotëm" dhe kështuqë m'u duk tepër argëtuese për të mos e provuar".

   1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Vjollcë. Nuk di pse ka filluar të më tërheqë kaq shumë kjo ngjyrë. E brishtë dhe e fortë njëherësh, më kujton manushaqet kur thyhet dimri, si edhe atë ngjyrën që merr qielli kur thyhet nata. Ngjyrë shprese.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Me shpejtësinë e dritës. Ty të duket sikur asgjë nuk lëviz, ndërkohë ke kapërcyer 10 vjet dritë në hapësirë.

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Të mos bërit dot kompromis, në emër të asgjëje, madje as në emër të dashurisë. Rendja pas dickaje sublime, që sa më shumë i afrohesh aq më të pamundur e ke ta prekësh.

  1. Humbja më e vogël?

Ajo që kur e humb, kupton se në fakt ndoshta s’të ka përkitur kurrë, dhe atëherë nuk e quan më humbje.

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Largësia. Dhe pamundësia për të jetuar jetën natyrshëm, në gjendje dashurie. 

  1. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Mallit. Është absolutisht një nga ndjesitë më absorbuese, dhe në gjendje të krijojë universe paralele brenda teje, duke të penguar ta jetosh të plotë realitetin ku ndodhesh.

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia është si një telajo e bardhë, të cilën mund ta lësh të mbulohet nga pluhuri i kotësisë, derisa gjithçka rreth teje shndërrohet në një masë amorfe gri, ose mund të zgjedhësh ta ngjyrosësh, me çfarëdo lloj ngjyrash e të krijosh brenda saj mini parajsën tënde. 

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Qëniet inteligjente dhe të arritura.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Të zgjedhurit të ndaloj sytë vetëm në gjëra bukura, si dhe një lloj aftësie e arritur me jo pak mund, për të injoruar gjithçka të pakëndshme rreth e qark meje.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Me padurim… 

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nga një fjalë. Shumë herë është një lloj intuite e pashpjegueshme, por që rrallë gabon. Njerëzit e mençur dinë të të bëjnë të ndjehesh mirë në praninë e tyre. Rrallë ndodh e kundërta. 

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Për gjithçka që nuk mund të flas me të panjohurit.

  1. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Ai që të hiqet mik. Mungesa e sinqeritetit si dhe pabarazia në çdo lloj marrëdhënie e cila prish ekuilibrat shpirtërorë midis dy njerëzve.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Nuk di cila do qe formula. Di si ngjan njeriu i mirë në sytë e mi. Është ai që nuk di të gënjejë. Nuk di të abuzojë, në emër të asgjëje, as të mbijetesës. Ai që e ka kaq të shenjtë kryqin e vet, sa nuk do mund të ngulte asnjë gozhdë në kryqin e një tjetri.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Budallallëku…Ndonjëherë shfaqet si mençuri e tepruar. Flet me fjalë të mëdha, shpeshherë të pakuptueshme, vetë kënaqësi e tepruar, ndjesia e superioritetit me ose dhe pa shkak. Kam përshtypjen se jemi duke jetuar një pandemi budallallëku, për të cilën kam frikë se s’do shpiket dot kurrë një vaksinë.

  1. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Dhimbjen. Asnjë lloj dhimbje. Dhimbja është një gur tepër i rëndë për shpirtin e njeriut.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Padrejtësia. Këto kohë, më ka dalë shumë herë nga shpirti fjala - mallkuar!

  1. Urimi që merr e jep më shpesh?

Gëzuar! Ose 'Cheers!' Në anglisht për sa kohë më duhet të flas shumë më tepër këtë gjuhë.

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?

Një gjoks ku kur mbështet kokën, i harron të gjitha.

  1. Po libri që ke për zemër?

“Ushtari i mirë Shvejk” Inteligjenca më superiore është humori, dhe aty gjej një burim të pashtershëm të të dyjave.

  1. Filmi që të vjen më shpesh në mendje?

"The Age of Innocence" i Martin Scorsese.

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Një udhëtim i gjatë nëpër det.

  1. Pema që të kënaq syrin?

Portokalli në lulëzim. Më ndjell aromë fëmijërie. 

  1. Nata perfekte?

Ajo që të mban zgjuar deri në agim, dehur me avuj alkooli, muzikë, dhe të qeshurash.

  1. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Vera.

  1. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Djathi. Të gjitha llojet e djathërave.

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Ngutja. 

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Vetëdisiplina. 

  1. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Të kem lirinë që profesionin ta ushtroj pa asnjë lloj kufizimi diktuar sa nga kornizat e botës akademike, aq edhe nga perandoritë farmaceutike mbi konsumatorët ku hyjmë të gjithë pa përjashtim.

  1. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Dashuria e pacientëve.

  1. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

E argëtuar.

 

Shënim:"Pyetësori i Jetës” është një listë prej 31 pyetjesh përgatitur nga kryeredaktorja e Flasshqip, Jeta Dedja. Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Këtyre pyetjeve mund t'u përgjigjesh shkurt, por gjithashtu ato të japin lirinë për t’u zgjerur me shpjegime. Varet nga i intervistuari se ç’formë do t’i japë intervistës. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e Dr. Ailda Mëngjesi.

Flasshqip.ca