Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Armenida Qyqja

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, që do të thotë se nuk është përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.
Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut.
Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e shkrimtares, autores së 8 librave me poezi e prozë, Armenida Qyqja.
1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?
E kaltër.
2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?
Me një shpejtësi marramendëse për shkak të ndryshimeve dhe impenjimeve të shumta.
3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?
Përsa i përket financave, kthimi në shkollë. Studente part-time në Simon Fraser University. Përsa i përket anës njerëzore: emigrimi në Kanada.
4. Humbja më e vogël?
Paratë. Janë të zëvendësueshme. Gjërat e tjera në jetë, jo.
5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?
Besimi i tepërt në aftësitë dhe përkushtimin e të tjerëve me botimet e mia, daljet para publikut me mangësira krejtësisht të evitueshme.
6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?
Të qënit e pafuqishme për të ndihmuar njerëzit më të dashur.
7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?
Nuk e di për njerëzit në përgjithësi, por për mua bën së paku dy gjëra: 1) më detyron të analizoj shkakun dhe se ç'duhet të bëj për ta ndryshuar gjëndjen, 2) mundohem dhe asaj gjëndjeje t'i gjej varg e ta kthej në art.
8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?
Dashuria. Është ndenja që më ndez, më vë në lëvizje në të gjitha planet dhe më bën një njeri më të mirë.
9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?
Aktivite fizike, dëgjim muzike, lexime dhe sigurisht shkruaj.
10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?
I urrej pritjet dhe bëj të pamundurën për t'i përshpejtuar gjërat dhe mundohem të humbas veten në punë.
11. Si i dallon njerëzit e mënçur?
Dëgjimi i vëmendshëm dhe fjalitë e sintetizuara.
12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?
Më pëlqen të ndaj planet për të ardhmen, shkëmbimet e ideve, më pëlqen të flas për gjëra të bukura, pozitive.
13. Profili i “mikut” të padëshiruar?
Njerëz që gërmojnë privatësinë, që pyesin dhe flasin kur e dinë shumë mirë që duhet të heshtin.
14. Cila është formula e njeriut të mirë?
Njerezit që në çdo rrethanë e ruajnë mirësinë dhe nuk tjetërsohen. Mundohen gjithnjë të reagojnë pozitivisht dhe të jenë të dobishëm.
15. Përkufizimi i budallallëkut?
Budallallëku nuk ka përkufizim dhe ia del të më surprizojë gjithnjë.
16. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar
Mos bëj asgjë për momentin, derisa të jesh i qetë.
17. Pishmani më i madh në jetë?
Mos hyrja në Liceun Artistik për pikturë. Nuk e di sesa e zonja do të kisha qenë në atë fushë (dhe frika e dështimit më zmbrapsi) por do të më kishte afruar shumë më teper me letërsinë dhe artet e bukura.
18. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?
Aksidentet në trafik.
19. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?
"Baba i mërzisë është nëna e dijes". Ia kam thënë shpesh herë vetes dhe fëmijëve.
20. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?
Bregdeti shqiptar. Me të lidhet pjesa e lumtur e fëmijërise, pushimet e çdo vere.
21. Po libri i fundit që ke lexuar?
"Pavdekësia", Milan Kundera.
22. Kënga që do këndoje në një karaoke?
"Tomorrow is a lie", nga Lara Fabian.
23. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?
Një udhëtim i gjatë nëpër Itali.
24. Dita tipike e dimrit tuaj kanadez?
Në shtëpi duke lexuar. E urrej shiun dhe të ftohtin.
25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?
Qumështi.
26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?
Bakllavaja e bërë si një herë e një kohë.
27. Zakoni që do doje mos ta kishe?
Padurimi.
28. Aftësia që do doje të kishe?
Të isha më e ditur dhe më e talentuar.
29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?
Jam duke studiuar që ta ndryshoj profesionin që ushtroj si ndihmës dentiste, pasi nuk e shoh veten të fiksuar aty derisa të dal në pension. Më pëlqen ndryshimi dhe liria.
30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?
Botimi në prozë.
31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?
E surprizuar nga pyetjet.
©JetaDedja/Flasshqip.ca