Profil & Intervista

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Erisa Kreshpa

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, që do të thotë se nuk është përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja. Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e Erisa Kreshpa, analiste biznesi në IT, Ottawa.  

  1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

E zezë-mix emocionesh.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Herë me shpejtësinë e dritës e herë me të breshkës.

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Pa dyshim zhvendosja në Kanada.

  1. Humbja më e vogël?

Çdo gjë materiale e kategorizoj si të tillë.

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Largësia nga njerëzit e familjes.

  1. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Mungesës së frymëzimit dhe motivimit.

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

E bën më kreativ.

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

E bukura.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Ecje në natyrë dhe leximi.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Merrem me ndonjë gjë tjetër dhe e heq mendjen.

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Vëzhgoj sytë, dhe dalloj emetimin e energjisë.

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Bisedat më të preferuara janë rreth ideve dhe çështjeve më të nxehta aktuale në botë

  1. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Ata që japin këshilla pa ua kërkuar.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Njerëzit që janë në paqe me veten.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Më duket shumë e vështirë të jap një përkufizim. Por di të them që shqetësuese janë ato raste kur budallallëku "vesh kostum".

  1. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

Nuk do guxoja t’i jepja këshillë po do t’i ofroja një gotë verë.

  1. Pishmani më i madh në jetë?

Thjesht do preferoja të isha marrë më shumë me sport.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Ka raste plot, po sidomos kur më duhet të shkoj diku dhe bora është deri në gju, e pa pastruar.

  1. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

“Pi macja uthull”.

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Këtë fuqi e ka vetëm deti.

  1. Po libri i fundit që ke lexuar?

"Te kafeneja ekzistencialiste" (Sarah Bakewell). Një libër që ka në qendër jetën dhe idetë e Sartre, De Beauvoir dhe Merleau-Ponty.

  1. Kënga që do këndoje në një karaoke?

“Sara perche ti amo”, meqë është bërë dhe trend kohët e fundit.

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Në Banff, Alberta.

  1. Dita tipike e dimrit tuaj kanadez?

Rrisim konsumin e verës dhe bëjmë më shpesh “painting nights”.

  1. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Kafja.

  1. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Tiramisu (klasikja italiane, jo kjo e amerikanizuara).

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Mënyrën e të folurit tipike "mesdhetare".

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Të mund të këndoja bukur.

  1. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Vështirë të bëhen parashikime për të ardhmen me këto zhvillime që po merr teknologjia. Rëndësi ka që hap pas hapi të ndjekim tregun dhe tendencat, për t’u përshtatur sa më shpejt.

  1. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Arritja më e madhe në aspektin profesional është pikërisht ndërgjegjësimi për rëndësinë e ruajtjes së balancës punë-jetë.

  1. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

"Punëmbaruar".

 

 ©JetaDedja/Flasshqip.ca