Kulturë

Mbi librin e Luan Ramës ''Shtigjeve të hershme të Historisë'' - Nga Aleko Likaj

  • Published in Kulturë

''Shtigjeve të hershme të Historisë'', që ka parë dritën e botimin pak ditë më parë në Tiranë, është libri më i ri i shkrimtarit, kineastit, publicistit, diplomatit dhe studiuesit Luan Rama.

Pa dyshim, Luan Rama është dhe mbetet në këto vitet e fundit një nga studiuesit më në zë e cilësorë të fushës së kulturës sonë kombëtare. ''Ky libër është thjesht një panoramë e atyre ngjarjeve e personazheve që personalisht më kanë lënë mbresa të veçanta siç janë jetët e profetëve, mendimtarët e parë të njerëzimit apo trubadurët si Homeri, ungjijtë dhe tekstet apokrifë të kristianizmit, ngjarje që lidhen me Shqipërinë që nga luftrat e Cezarit dhe Pompeut tek luftrat mes normandëve dhe bizantinëve në trojet shqiptare. Dashuria për librin, puna me bibliotekat, zbulimi i fakteve të reja historike, është një ngazëllim më vete dhe bibliografia e këtij libri e dëshmon këtë'', thotë vetë autori në parathënien që shoqëron botimin.

Në veprën që kemi në duar ndesh e lexon, por edhe shijon me një kënaqësi të veçantë, një gamë të gjërë ngjarjesh nga bota e bëma të personazheve historikë, me një gjeografi admiruese për atë periudhë që përfshin jo vetëm Mesdheun, por që shkon edhe pranë Lindjes së Largët. Kryesisht nga ato që na ka ofruar historia si lëndë nëpër bangat e shkollave dhe që i kemi ndjekur, ngjarje të cilat i referohen kapërcyellit të shoqërisë njerëzore nga fundi i epokës para erës sonë në fillimet e erës së re. Luftra, beteja që hynë në histori, ndryshime kufijsh, heronj popullorë dhe pushtetarë tiranë e megjithatë dhe në atë mugëtirë kohrash të rënda, kupton përmes librit që njeriu i thjeshtë, shpirti human ka adhuruar gjithnjë të mirën, të bukurën, dashurinë njerëzore dhe ka ecur përpara drejt dritës së largët të ardhmërisë së tij për të ardhur deri në ditët tona.

Me shume interes me duket edhe fakti që autori ka sjellë në librin e tij, si për të mbushur një lloj boshllëku, histori, apo jetë personazhesh nga bota religjioze, parë këto nga një kënd realist, larg dogmave që qarkullojnë zakonisht për ta dhe në funksion të besimeve. Kështu, përveç Jezusit e Muhametit, aty gjen Maria Magdalenën, Apostullin Pavël (Pali), Juda Iskarioti-n e të tjerë të cilët zenë faqe të rëndësishme në vepër. Por aty flitet edhe për luftrat e Cezarit dhe Pompeut në brigjet e Ilirisë, për normandët që luftuan kundër bizantinëve me rrethimin e kështjellës së Dyrrachium-it, rrethimi i parë i një kështjelle në historinë e Europës, apo për “Paqen e Devollit” dhe luftrat e Charles I d’Anjou, mbreti i Napolit, por për një kohë dhe i Shqipërisë, i cili luftoi kundër bizantinëve në trojet shqiptare.

Studiuesi Luan Rama ka mundur të qëmtojë e të përzgjedhë për një kohë tepër të gjatë e në një mënyrë sistematike, në arkiva e biblioteka pariziene dhe në vënde të tjera të Europës, me durimin e pasionin e një krijuesi me shumë përvojë në këto fusha, një sërë dokumentash arkivore për ti sjellë ato tek lexuesi. Ajo që bie në sy në këtë vepër është gjykimi i ftohtë dhe qëndrimi që mban autori në lidhje me spektrin e ngjarjeve që përfshihen në vëllim, duke ruajtur parametrat shkencore të një studimi. Këtë e tregojnë më së miri edhe vetë referencat ku bazohet, edhe pse logjika e studjuesit në këtë rast është primare, por gjithmonë duke e ruajtur atë raport. Përpos karakterit zyrtar të studimit, e gjithë vepra shquhet edhe për stilin dhe gjuhën figurative që pasuron edhe me sens artistik ngjarjet dhe subjektet e përshkruara. Kjo e bën librin akoma më të afërt me lexuesin dhe këtë të fundit me botën shkencore të cilës i referohet.

Përvoja si krijues e Luan Ramës mund të them që i jep një vlerë nominuese veprës, për ta cilësuar kësisoj atë si një nga më të spikaturat ndër botimet e fundit të kësaj fushe. Por ''Shtigjeve të hershme të historisë'' është vetëm një pjesë e punës voluminoze që ka bërë, realizuar, shkruar e botuar Luan Rama. Një sërë librash e botimesh të tjera me stil shkencor, kanë qenë objekt i vëmendjes edhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në disa aktivitete të organizuara, siç ishte edhe takimi i shtatorin të kaluar, ku u promovuan tre libra me studime e përkthime.

Me një prodhimtari të lartë botimesh në këto vitet e fundit, autori i ''Shtigjeve të hershme të historisë'' duhet të ndjehet krenar për çfarë ka dhënë dhe përcjellë, për vlerat tona kombëtare si studiues, publicist, krijues e përkthyes. Mbi dyzet vëllime numërohen në korpusin e tij krijues. Këtu do të përmend shkurtimisht disa prej tyre, që autori përveçse në gjuhën shqipe i ka botuar edhe në gjuhën frënge në shtëpitë botuese pariziene si ''Durazzo-t, dozhët e purpurt'', mbi familjen Durazzo, e emigruar më 1389, e cila i dha Republikës së Gjenovës 9 dozhë, ''Shqipëria e konsullit Auguste Dozon'', Botimet Ideart, Tiranë, 2007, ''Jean Moreas', poeti nga Morea'', ese mbi poetin arvanitas dhe themeluesin e simbolizmit francez Jean Moreas, Botimet Globus R, Tiranë, 2009. ''Më quajnë Dora d’Istria'', Botimet Albas, ''En Grèce, avec les Arvanites'', përkthyer në frëngjisht, Les Livres Rama, Tiranë, 2018 etj.

Është me vend të theksoj dhe të shpresoj, që një pjesë e mirë e botimeve të autorit Luan Rama, të mund të përfshihet edhe në programin e shkollave tona në atdhe, sepse mendoj që i shërbejnë në rradhë të parë edukimit e formimit të brezave të rinj. Përveçse kanë një karakter njohës për botën që na rrethon, mbi të gjitha këto krijime kanë dhe një karakter të fortë kombëtar. Natyrisht kjo pjesë i takon Ministrisë së Arsimit dhe studiuesve që merren me hartimin e programeve të saj mësimore.