Vreshtat e Shqipërisë Ilirike - Nga Luan Rama
- Published in Kulturë
Fragment nga libri “Vera ky nektar i njerëzve dhe hyjnive”
Shumë kronistë të Antikitetit, si grekë, por veçanërisht romakë, në librat e tyre shkruajnë dhe për verërat shqiptare. Catulle i Romës, duke shkruar për Dyrrachium, shkruan se ai konsiderohej si “Taverna e Adriatikut”, meqë ishte një port i rëndësishëm ku ndalonin shumë anije, e padyshim, tavernat kërkonin verë. Ai thotë se ky qytet kishte më shumë prostituta se në çdo vend tjetër të Mesdheut. Të dhënat rreth vreshtave në shekujt e mëvonshëm janë të rralla, meqë studimet dhe kërkimet në këtë fushë kanë munguar, ndryshe nga interesimi i treguar për arkeologjinë, historinë kombëtare, gjuhën, etj.
Po të vizitosh vetëm muzeun e Apolonisë së Fierit, një mori gjetjesh arkeologjike flet për kultivimin e rrushit si dhe prodhimin e verës. Të ekspozuara në stenda të veçanta aty janë gjithë objektet e gjetura që tregojnë se ku mbahej vera, me çfarë shërbehej, me çfarë kupash pihej, etj. Gjetjet janë të mrekullueshme dhe shumë prej tyre të zbuluara nga arkeologu francez Leon Rey, por dhe arkeologët shqiptarë më pas, deri në ditët tona.
Janë aty kupa të ndryshme, enë disi të sheshta, në metal apo në qeramikë, enë të mëdha e të thella ku depozitohej vera, apo amfora; ishin kratere, hidrie, kylikse, kupa jonike e dorike, ojnohe… Straboni shkruante për vreshtat e mira të brigjeve të Ilirisë e po kështu Aristoteli për verën e ëmbël ilire me mjaltë, të fisit të Taulantëve. Madje, hardhitë shqiptare të Ilirisë udhëtuan nëpër Mesdhe e gjer në jug të Francës, siç e dokumenton dhe historiani R. Pijossou.

Vetëm kërkimet e viteve të fundit, veçanërisht në zonën e Ballshit, pra rreth bazilikave të vjetra ortodokse të Bylisit të lashtë, kanë hedhur dritë mbi kulturën e vreshtit dhe prodhimin e verës dhe kjo padyshim nga prania e murgjëve, ku vera ishte e domosdoshme për ata, siç ishte ajo në gjithë vendet e tjera të Perëndimit kristian. Gjetja para disa viteve e 21 pitosave (të cilat kanë deri në tre hektolitra) si dhe kantina e vjetër prej guri e peshkopatës së Bylis, me vendin ku shtypej rrushi dhe ullukun nga rridhte vera, tregojnë për traditën e lashtë të prodhimit të verës në Shqipëri në shekujt IV, V apo VI. Që nga ajo kohë shumë shekuj janë kaluar dhe padyshim që pushtimi i gjatë osman e rrënoi traditën e vreshtarisë rreth kuvendeve fetare, kishave e manastireve.
Jo pak udhëtarë të huaj, veçanërisht francezë, por dhe austriakë, gjermanë, anglezë apo italianë, kanë shkruar për mbresat e tyre edhe rreth vreshtave shqiptare apo verës autoktone që kishin mundur ta shijonin gjatë udhëtimeve të tyre. Bëhet fjalë kryesisht për shënime të udhëtarëve të shekullit XIX, të cilët ishin historianë, gjeografë, arkeologë, etnografë ose konsuj me qëndrim në Shkodër apo në Janinë. Në shënimet e tij rreth Mirditës, në një relacion dërguar Quai d’Orsay në Paris (Ministrisë së Punëve të Jashtme), konsulli francez De Wiet shkruante se «Me rrushin e Oroshit dhe të Kaçinarit, si dhe atë të Kalivarit është e lehtë të bësh një verë të shkëlqyer, nëse vilet e rrushit zgjidhen mirë. Verërat e Troshanit dhe të Kallmetit janë shumë të mira…»
Përshkrime të vreshtave bëjnë Auguste Dozon, konsulli francezë në Janinë, Hyacinthe Hecquard, konsull në Shkodër dhe konsuj të tjerë apo historianë siç ishte Victor Bérard, i cili duke vizituar varrezat e Elbasanit, pikas dhe traditën e vjetër pagane ku njerëzit vendosnin në varrin e të vdekurit fruta e mes tyre, rrush të thatë, për çka shkruan dhe historiani tjetër francez Albert Dumont në vitet 70’ të shekullit XIX.

Historiani francez Robert Cyprien, që udhëtoi nëpër malet shqiptare në vitin 1840 dhe që do t’i kushtonte një studim të gjatë shqiptarëve apo «Popullit të badhë», siç i cilësonte ai, shkruan në studimin e gjatë të tij se «… Duke iu afruar Shkodrës, ne shohim ato fshatra të vogla anash rrugës, të ngjashme si shporta me shelgjishtër, ku një popull i fuqishëm e i pastër, punon e këndon, i frymëzuar nga ato male që ngrihen shkallë-shkallë gjer në lartësitë e dëborës. Pa çetat shkatërruese të malazezëve, këta njerëz punëtorë do ta bënin këtë vënd të mbjellë me vreshta e ullinj si një Eden të vërtetë…» Ai na kujton gjithashtu se «Shqiptari i Shqipërisë së Epërme kultivon vreshtat, ndërsa ata të Epirit kultivojnë ullinjtë…”
Auguste Dozon-i që udhëtonte në fillimin e viteve 1870 në Shqipëri, shkruan në relacionin e tij dërguar qeverisë franceze, për vende si Glina, Leskoviku dhe anash Langaricës, ku pikas vreshtat. Më pas, konsulli, lë Elbasanin dhe i drejtohet Tiranës, ku në Krrabë ndeshet me kodrinat me vreshta. “Sipas meje, Tirana është një nga vëndet më të këndshme të Turqisë së Evropës. Qyteti është i vogël, por ujrat rrjedhin ngado dhe pemë të të gjitha llojeve të shfaqen nga të katër anët. Fushat janë të rrethuara me gardhe, çka është e veçantë në Turqi. Ato ngjajnë me peizazhin normand, ose dhe me atë lombard, pasi vreshtat kapen pas drurësh të vendosur enkas për to…”

Arkeologu Alfred Gilliéron, kur kalon nëpër Myzeqe më 1876 dhe ndalon për të ngrënë në një manastir, shkruan se “edhe pse një manastir kristian, ne nuk mundëm të gjejmë as dhe një pikë verë, sepse muslimanët i kanë shkatërruar të gjitha vreshtat përreth…” Gilliéron e kujton me humor historinë rreth verës, me të cilën aq shumë ata ishin mësuar në Paris, por që këtu nuk gjëndej gjëkundi, pasi hoxhallarët i kishin zhdukur gjithë rrënjët e vreshtave që ekzistonin më parë, për të treguar kështu respektin ndaj fesë së tyre dhe ndaj fjalës së profetit Muhamet.
Aleksandër Degrand, konsulli tjetër në Shkodër, përshkruan Komanin dhe tregon sesi gjatë ekspeditës së tij, fshatarët autoktonë i sillnin rrush nga vreshtat e tyre. Por rrushi dhe vera zë vend dhe në përrallat shqiptare të mbledhura jo vetëm nga rilindasit shqiptarë si Thimi Mitko, apo ata të diasporës, veçanërisht në Italinë e jugut, por dhe nga historianët e albanologët e huaj, si në tekstet e mbledhura nga Dozon, Hahn, Pedersen, etj. Në fakt edhe Marin Barleti në librat për epokën e Skënderbeut, na dëshmon për vreshtat e zonës së Shkodrës, Drishtit, etj.
Në shekullin XVII, udhëtari i famshëm turk Evlia Çelebi, i cili e vizitoi qytetin e Tiranës më 1661 shkruante për të se: "Tirana është vojvodillëk në territorin e Sanxhakut të Ohrit. Është kasaba 150 akçesh. Shehri ndodhet në një fushë të madhe. Ka xhamia, hane, hamame, ka çarshinë dhe sheshin e pazarit, vreshtat dhe kopshtet janë të panumërta. Të gjitha strehët janë të mbuluara me tjegulla".

Sot interesi për verën në Shqipëri duket se është zgjuar, veçanërisht në mesin e këtij dhjetëvjeçari që po jetojmë. Prodhuesit shqiptarë të verës dhe zotëruesit e vreshtave po shtohen dita ditës, vreshtat po rigjenerohen, enologët dhe degustatorët po shtohen, somelierët e rinj janë të pranishëm në lokalet me sqimë. Festivale e konkurse të verës që gërshetohen dhe me artin. Një kulturë që po zhvillohet me shpejtësi kur mendon se prodhimet shtohen në mënyrë mjaft të ndjeshme, kantinat gjithashtu siç janë shumë kantina si “Duka”, “Kallmeti”, “Arbëri“, “Bardha” e shumë të tjera.
Jeta ka ndryshuar shumë në Tiranë e gjetkë. Ndërtime dhe banesa me arkitekturë gjithnjë e më interesante, komplekse industriale, parqe, galeri arti, dyqane mode, etj. Këtij peizazhi të ri nuk i mungojnë dhe dyqanet e verërave, që shpesh i sjellin nga Franca dhe Italia. Dhe tani këta tregëtarë e somelierë dinë t’i zgjedhin ato. Madje verërat po i bëjnë me emër restorantet që i mbajnë, ku në krye, padyshim, janë verërat franceze, ato me të cilat mburret Franca. Duket se shqiptarët, që i janë rikthyer verës, po kërkojnë të ringjallin traditën e dikurshme, atë për të cilën flasin dhe udhëtarë të huaj të shekujve XVI-XIX, kur shpesh flisnin dhe për verën e mirë shqiptare. Dhe jo vetëm në jug, por dhe në luginat malore të veriut shqiptar, ku shquheshin në rradhë të parë murgjit e manastireve katolike, benediktinë apo françeskanë... Por mjerisht, mijëra e mijëra hektarë vreshta u shkatërruan vetëm gjatë kohës së tranzicionit. Lumturisht, jo pak njerëz tashmë i kanë kthyer sërish sytë nga vreshtat.

Pronarët e restoranteve me emër, sot mendojnë të prodhojnë verërat e tyre, siç ndodh dhe në Francë, Itali apo Spanjë, ku vera është art dhe një nga vlerat e tyre të mëdha. Dëshira e tyre është të prodhojnë verë. Por jo vetëm kaq. Eshtë një pasion i ngjashëm me ata që adhurojnë artet, që koleksionojnë pikturat, etj. Për më tepër është diçka e shëndetshme, e këndshme, që të afron me miqtë. A nuk thoshte Plutarku se «Vera ka vetinë që të bën të flasësh hapur, lirshëm dhe të thuash të vërtetën»? A nuk fliste Shakespeare për «shpirtin e padukshëm të verës», ndërkohë që Napoleon-i kishte shprehjen e famëshme: «Pas de vin, pas de soldats», («Po s’ka verë, s’ka as ushtarë»). Verën «Bordeaux» e duan dhe e kërkojnë në të gjithë botën. Shqiptarët e njohin pothuaj të gjithë, edhe pse verërat e Bourgogne-s janë si «zonja» më hijerënda, aristokratike e që të përhumbin me sharmin e aromën e tyre.
Nëse shekuj më parë kishte «Akademi Arti», tashmë ka dhe «Akademi të Verërave». Enologët, somelierët, degustatorët mblidhen dhe ndajnë çmime. Gjithçka është kthyer në një ritual klasik. Francezët, kur duan të krahasojnë verën e Bordeaux-së, (Bordosë), me atë të Bourgogne-s, (Burgonjës), për të parën thonë «Ajo» dhe për të dytën «Ai», meqë është një verë disi e rëndë dhe e fortë. Vera e Bourgogne-s (atdheu i «La Tâche», «Vosne-Romanée», «Richebourg», etj,) ka tokën e mirë, ndërsa ajo e Bordeaux-së ka shumë më tepër diell. Dhe padyshim degustimi i verërave, si në vendet e zhvilluara ashtu dhe në Tiranë, ka poetikën e vet, atë të verës, të artit të degustimit.
Dihet që degustimi fillon sëpari me shikimin e verës, pasi duhet ta shohësh atë, intensitetin e ngjyrës, ku ngjyra e lehtë është një verë e lehtë, ngjyra e ngjeshur është një verë e fuqishme; verat me dritë janë të forta, por me kalimin e kohës e kuqja bëhet disi kafe dhe kur bëhet kafe, ajo ka marrë fund. Pastaj është degustimi «olfactif», ai i aromës, duke lëvizur pak gotën që vera të çlirojë aromat e saj për të nxjerrë atë pafundësi aromash që janë rezultat i tokës, i llojit dhe moshës së vreshtit, vallë ka aromë lulesh, frutash pylli, erzash, gjethesh, druri, sileksi apo të tapës së keqe çka shijen e verës s’do ta ketë të mirë?... Më pas kemi degustimin për të provuar shijen, ku mund të dallohen katër shije themelore si ajo e kripur, e hidhët, acide dhe e ëmbël. Por kryesoret janë acide dhe e ëmbël…












