Letërsi

Aventura letrare e Epistolarit të Zaratës - Nga Luan Rama

Një libër i botuar në disa gjuhë të huaja

Ndodh që dhe një fakt me rëndësi në një gazetë të kalojë pa u ndjerë dhe pa reaksione nga lexuesi, por që në laboratorin krijues të një shkrimtari mund të kthehet në një tregim, i cili në punë e sipër merr formën e një romani. Dhe kur ky roman gjen jehonë në kritikën letrare shqiptare dhe atë të huaj, kjo padyshim kthehet në një aventurë të vërtetë letrare.

Kur botova në shqip «Epistolarin e Zaratës», libri kishte vlerën e një gjetje, atë të një burgosuri politik të mbyllur në ishullin e Zvërnecit bashkë me të burgosur të tjerë politikë dhe që aty nis të përkthejë në shqip «Ferrin» e Dantes. Një gjetje që ngërthen diçka universale, atë të dhunimit të lirisë dhe ku i burgosuri politik gjen prehje dhe një kuptim të luftës së tij, përkthimin e Dantes, çka për të është një klithmë kundër dhunës dhe mbytjes së lirisë.

Pas jehonës së botimit të librit në shqip nga kritikë e studjues Blerina Suta, Flurans Ilia apo Kliton Nesturi etj., libri u përkthye në anglisht nga Miranda Shehu Xhilaga dhe u botua në Melburn të Australisë nën titullin «Zaratha’s Epistolary», për të cilin botuesi Nick Walker, shkroi: «Jam shumë kureshtar ndaj shkrimit të këtij libri. Duket që është një letërsi e një cilësie të lartë dhe e punuar me shumë përkujdesje në të gjitha aspektet. Eshtë po aq tërheqëse për mua dhe mendoj ndërkohë se asnjë shkrimtar anglez apo australian do mund të shkruante në këtë mënyrë, duke bërë aluzion për një autor klasik dhe duke evokuar në mënyrë kaq të efektshme dhe padyshim në shijen e një shkrimtari si Koestler apo Kafka (Milton apo Blake veçanërisht para disa shekujsh), apo Craven dhe Philip Adams.”

Në shkrimin e saj, kritikja letrare australiane Elisabeth Wade, ndër të tjera ka shkruar: “… Koha që ka ikur dhe trashëgimia e saj që rivjen plot emocion janë të vetmet gjëra në dispozicion të Frederik Çobës kur ai i shkruan Brunës. Atëherë letra ishte e mangët dhe e vetmja dritë ishte ajo nën një urë të ndezur pishe. Ushqimi ishte i pakët dhe mbijetesa e vështirë. Shenjtët në muret e manastirit vështronin, por s’mund të bënin asgjë për t’i ndihmuar. Morali mbahej aq sa mundej dhe ndonjëherë binte nga vuajtjet ç’njerëzore të trupit dhe të shpirtit… I tërhequr jashtë mase nga mërgimi i Dantes dhe eksperienca e tij në ferr, në të njëjtën kohë Fredi ishte i ndriçuar nga drita e “Beatriçes” së tij, Brunës. Endrra dhe zhgjëndra, drita dhe errësira, realiteti brutal dhe ireal, kujtesa dhe trallisja mendore, humbja graduale e shpresës dhe fluturimi i imagjinatës, e kanë damkosur jetën e këtij ishulli të humbur ku ai dhe shokët e tij të burgosur politikë shqiptarë ishin të dënuar. Dhe letrat ndoshta kurrë s’mund të shkonin në destinacion. Ky libër është një vështrim unikal, tronditës dhe prekës mbi jetën intime të një njeriu të pasionuar dhe të dashur, të një mësuesi, të cilit i mungon familja dhe që shqetësohet për nxënësit e tij e që njëkohësisht ai do t'u lërë trashëgimi përkthimin e Dantes të gjithë atyre që e duan lirinë. Dhe këtë mund ta bënte vetëm me “Ferrin”, ku reflektohet gjendja e mjerueshme e këtyre njerëzve dhe shpresa se një ditë këta rrathë ferri do të kapërcehen. Edhe njëherë falenderoj Miranda Xhilagën për privilegjin që më dha për ta rishikuar tekstin e kësaj vepre të letërsisë shqiptare dhe shpresoj të kemi bërë atë që duhej ndaj punës së shkrimtarit Luan Rama, i cili synoi t’ia paraqiste “Epistolarin e Zaratës” botës anglofone.”

Pas botimi në gjuhën angleze, ishte botuesi francez i “Petit Véhicule”, Luc Vidal, poet dhe botues, i cili në parathënien e tij për librin e përkthyer tashmë nga Eloïse Le Petit, do të shkruante: “… Një libër politik? A është e saktë kjo fjalë? Jo, nuk e besoj. Diktatura e tmerrshme shqiptare e Enver Hoxhës, e cilësuar si Republika Popullore Socialiste, ishte një nga më të izoluarat dhe më vrasëset. Që nga viti 1980, ndryshimet në bllokun e Lindjes u mundësuan nga Mihail Gorbaçov dhe Shqipëria ashtu-kështu ndiqte rrjedhën e saj. Kur një diktaturë dhe diktatori burgos burrat dhe gratë me shkaqe të rëndomta, atëherë pyesim veten se si në emër të ideve që duan të çlirojnë njeriun nga prangat, të cilët kërkojnë pak zemër dhe dashuri, arrijnë pa turp që ta skllavërojnë njeriun dhe të vrasin çdo arritje. Qëllimi i tyre është padyshim të përjetojnë një urrejtje të jashtëzakonshme për tjetrin dhe gjithçka ta bëjnë për të qenë në piedestal. Kështu është krijuar Narcisi në pjesën e tij të hijes.

Kam botuar librin tënd “Udha e gjatë në tunelin e Platonit - fati i artistit në çensure, 1945-1990.” Ky libër thotë gjithçka për këtë gjendje tragjike, si një plagë që u është bërë këtyre burrave dhe grave. Është fati i keq i artistëve në vendin tënd, Shqipëri, që ti e denoncon me forcë dhe me një ndershmëri intelektuale, spikatëse, çka është integruar në refleksionet e tua politike e poetike. Kjo dashuri tek ty është sinonim i dashurisë së lirisë. Unë e di që ti je një poet. Libri yt “Territoret e shpirtit”, që kam botuar, dëshmon për lirizmin tënd të vërtetë dhe veç të tjerash dashurinë tënde për poezinë. Paul Eluard ka qenë padyshim një ndihmesë e madhe për ty në shkrimet dhe ndërgjegjësimet e para. Poet, kineast, ti je ngjizur shpirt e trup në këtë dramë të jashtëzakonshme. “Epistolari i Zaratës” që sapo ke shkruar na shfaq kompleksitetin e kësaj historie të madhe, e historisë personale të njerëzve dhe të historisë së artit. Thashë se ke kompozuar, sepse për mua, në këtë rast kjo është më shumë se sa të shkruash. Dhe gjithçka tingëllon harmonike dhe tragjike në librin tënd. Ai bashkëbisedim që ti vendos në letrat e Çobës për Brunën, dashurinë e tij, është shumë i thellë, prekës dhe vibrues. Ajo çka krijon lirizmin tënd dhe interesin e këtij libri është krijimi i asaj ehoje në greminën e dramës së ferrit të përjetuar nga Çoba dhe shokët e tij, si dhe forca e veprës së Dante Aligherit me citimet e zgjedhura që shoqërojnë zhvillimin e shkrimit tënd. Për më tepër që Çoba gjatë kohës që mbahet i burgosur përkthen këtë vepër të jashtëzakonshme. Duke lexuar tekstin tënd kemi ndjesinë se gjithçka vazhdon njëlloj dhe asgjë nuk ndryshon. “Njerëzit kanë fytyrat e Neronit, Antigonës, Kasandrës, Çirçes, të Edipit, Herakliut dhe të Menelas… Të njëjta tragjedi, veç dekori ndryshon!” - thekson ti.

Ishulli i Zaratës ka shijen bashkëkohore të një zhytjeje drejt ferrit ashtu siç imagjinohej në mitologjinë greke. Lundërtari, ashtu si Koron, pra Rrapushi, është aty për të na e kujtuar këtë figurë mitologjike. Ndoshta në zemrën e përkthyesit që dashuron Brunën, ashtu si Dante Beatriçen, ky ishull i Zaratës, kur gjithçka të përfundojë, do të bëhet ajo parajsë e thjeshtë për të cilën ti flet. Nuk po evokoj jetën e të burgosurve që aq shumë ti e ke ndjerë dhe e përcjell në librin tënd, po ashtu për praninë e Popit, priftit, që gati çmendet, apo atij gardiani kampi, roja mizor Cerbère, duke vërtetuar ditë pas dite se idiotësia njerëzore dhe burokratike mund të sundojë si një zot. Përshkrimet e natyrës, zhurma e detit që të burgosurit veçse mund ta imagjinojnë, prania e klithmës së zogjve, realiteti i afreskeve, zhurma e një avioni sipër supeve të tyre dhe kështjella, ditët e hetimit dhe pyetjet në qelitë e Tiranës e gjer tek vdekja e qenit Guli, tregojnë artin tënd të evokimit dhe përshkrimin të saktë përmes fakteve të jetës së përditshme të këtyre njerëzve në atë “no man’s land” të atij ferri.

Komentet mbi Danten dhe Firencen të mpleksura me mbijetesën e të burgosurve dhe nevoja e ëndërrimit tek Çoba e bëjnë akoma më bindës artin tënd romanesk. “Por Dante nuk kishte mundur ta imagjinonte një apokalips të tillë”, shkruan ti me fjalët në gojën e Fredit. Beatriçe për Danten ishte ylli i mëngjesit. Ashtu dhe Bruna, ajo e heroit tënd gjer në fundin e tij të tmerrshëm dhe zhdukjen e tij, kohë kur ai sapo kishte mbaruar përkthimin e veprës, e që shënonte fundin e tij. Më së fundi, pikërisht atëherë Bruna kishte mundur të merrte një leje për të takuar të dashurin e saj. Por tepër vonë.

Tregimi yt rrjedh bukur me një histori që të bën të drithërohesh. Eshtë një afresk i gjallë, realist dhe i thellë. Gjithçka është trallisës tek Dante, shkruan ti duke menduar botën e përkthyesit. Tregimi yt e tregon këtë trallisje që shpreh vepra e Botiçelit që i bashkëngjitet këtij libri. Kështu tregohet solidaritetit vëllazëror që lind mes njerëzve të kthyer në hije. “Miqësia e tyre nuk mund të thyhet nga ideologjia”, nënvizon ti. Ajo që përjeton Çoba dhe shokët e tij të pafat, është prova e gjallë e analogjive me botën që shkruan Dante. Eshtë një dashuri e madhe që nga “Komedia Hynore” shfaqet në veprën tënde.

13 letra insignes kompozojnë veprën tënde. Trembëdhjetë letra të forta dhe transparente që përforcojnë idenë e mbrojtjes së lumturisë me gjithë tragjeditë e çastit dhe që akoma janë aktuale e të mundshme në kujtesën tonë të qartë dhe vëllazërore. Ne nuk i gëlltisim më bollat që i këndojnë një bote më të mirë, horizonti i të cilës është i prangosur nga mustaqet e babait të popujve, Stalinit. Ne kemi nevojë për “anijen e dehur” të poetit Rimbaud. Kemi nevojë për ëndrrën “uliksiane” të Frederik Çobës, vëllait tonë të harmonisë në poezi dhe të asaj fluture që ndalet dhe ulet në supin e tij, sikur të vendoset mbi supet tanë. Në pasthënien tënde ti tregon se si lindi në shpirtin tënd dhe në zemrën tënde “Epistolari i Zaratës”. I them vetes se tani që ti pëlqen aq shumë “Komedinë Hyjonore” mund të duam dhe këngët e Bitëlls-ave. Frederik Çoba është ulur aty buzë detit E shoh kështu të ulur duke medituar mbi trishtimin dhe gjendjen e tij, me pëshpërimat e një të ardhmeje më të mirë për dashurinë e tij Bruna, Beatriçen e rigjetur.

Ky vizion më bën të mendoj për librin “Zero dhe Infinit” të Arthur Koestler dhe epilogun e hapësirave të lirisë ku deti blu i ofrohej atij që donin ta mbyllnin në sferën burokratike. “Njeri i lirë, ti do ta gëzosh gjithnjë detin”, këndonte Baudelaire. Ti më shkruaje kohët e fundit një letër mbi bindjen tënde se duhej besuar në profecinë e poezisë për të ardhmen tonë në udhët e të bukurës. Më shkruaje në mënyrën e një Rimbaud-je apo të një poeti shqiptar, Migjeni. “Respublica littéraria” që ti uron të krijohet një ditë në Shqipëri, shpresoj ta shoh të shfaqet në këtë Francë që ne duam. Në shkrimin tënd letrar dhe poezinë tënde, është dhe prania e atij gushëkuqi, fjalë dhe fraza mbi bukurinë e për pelikanë të bardhë në Zarata. Atëherë, ne duhet t’i shtrëngojmë gjatë duart tona dhe të presim me durim lindjen e kësaj dite…”

Pas versionit në frëngjisht, i cili u botua nga “grand format”, pra në një format të madh dhe me ilustrime të Boticelli-t nga “Ferri” i Dantes, pikturuar në shekullin e XVI, Epistolari u përkthye dhe në italisht nga ish-pedagogia e latinishtes në universitetin e Tiranës, profesoresha Roza Ruci Dishnica, e cila prej afro 30 vitesh jeton në Itali. Libri u botua nga shtëpia botuese “Scribo”, e Firences, nën kujdesin e Denada Ndrecës, ku dhe u organizua një takim me lexuesin, në një librari të njohur të Firences, qytetit të lindjes së Dantes, qyteti ku ai dashuroi përjetësisht Beatriçen e tij. Botimi në Firence ishte në kuadrin e përvjetorit të madh të Dantes, përvjetor që u festua në gjithë botën.

Por aventura letrare do të vazhdonte: Epistolari do të përkthehej dhe në greqisht nga Gjergji Mosko, libër që u botua në vitin 2021 në kohën e pandemisë së Covid-19 nga shtëpia botuese “Αποστακτήριο” në Selanik. Më së fundi është përkthyesi i njohur hollandez, Raul Schuylt i cili i është përkushtuar veprës së Kadaresë, i cili ka treguar një interes të veçantë për Epistolarin me idenë për ta përkthyer atë dhe prezantuar në një shtëpi të madhe botuese.

Dante Aligherit do ti mjaftonte veçse kjo poemë e gjatë me 33 këngë, nën titullin Comedia (që më pas historianët e letërsisë e quajtën Comedia Divina) që ai të bëhej një nga referencat më të fuqishme letrare të njerëzimit. Tashmë e dimë interesin që shqiptarët treguan për Danten që në shekullin XIX me përkthimet e pjesëshme (veçanërisht nga poetët e mëdhenj arbëreshë) e më pas të plota ne shekullin e XX sidomos nga Pashko Gjeçi dhe Mark Ndoja. E padyshim që përkthimet do të vazhdojnë edhe më vonë të kësaj kryevepre botërore e cila është botuar pothuaj në të gjitha gjuhët e botës. Padyshim më intrigon fakti se si një vepër letrare tingëllon në gjuhë të tjera në krahasim me versionin origjinal, çka është një fushë jo aq e njohur për mua.

Sigurisht, për Epistolarin e Zaratës kanë shkruar dhe kritikë shqiptarë. Një vlerësim të veçantë librit i kushtoi shkrimtari Flurans Ilia në shënimin kritik botuar në portalin shqiptaro-kadez Flasshqip.ca dhe revistën “Haemus”, Bukuresht, ku ndër të tjera ka shkruar: “…Mu në zgripcën e thepisur të këtij kaosi mendor, Epistolari i Zaratës më erdhi si melhem, si ilaçi i duhur për të më ringritur sërish në këmbë si njeri. Por edhe me një forcë estetike që vetëm veprat e vërteta mundet të japin në këto rrethana të absurdit të jetëve tona. Nuk do e teproja aspak po ta klasifikoja librin dhe stilin superb me të cilin është shkruar, si më të mirin që kam ndeshur së fundi nga letërsia jonë, si edhe nga ajo e përbotëshmja e çastit (2017-2020). Përqasja e asaj fryme po aq tokësore sa edhe universale me jehona nga Inferno i Dantes dhe shtjella dramatike e historisë së të ndjerit Frederik Coba, janë shkrirë aq natyrshëm dhe me mjeshtëri nga pena juaj, aq sa do thosha me zë të lartë "tepër i bukur për të qenë kaq i vërtetë"! Vetëm një mjeshtër mundet të të udhëheqë drejt këtyre realiteteve të pavdekshme të letërsisë. Dhe ju ia keni dalë mbanë të mbërtheni lexuesin. Këtë po ua thotë një lexues nga ata më të devotshmit, murg i fjalës, rishtar i letërsisë, që kanë kapërcyer dhe vazhdojnë të kapërcejnë një jetë të tërë nën shoqërinë e Librit. E shoh të gjithë Epistolarin si një film në ekranin e madh të kinemasë. Qysh kur mbylla faqen e fundit dhe gjer tani që po të shkruaj. Nuk mundem ta heq nga kujtesa si imazh. Kaq i gjallë? Kaq i gjallë, aq sa gacmon aty ku dhimbja dhe ngazëllimi i njeriut tejkalon çdo kufi. Një metafizikë e tërë e cila gjallon brenda realitetit të qenies njerëzore, dhe jo vetëm! Një mrekulli në kontekstin ndërtimor dhe përzgjedhjen me Fjalën…”

Nga ana tjetër, dhe shkrimtari Kliton Nesturi botoi i pari shkrimin kritik për librin, nën titullin “Lux in tenebris” ku ndër të tjera shkruante: “… Meritë e autorit është se, sado të gatshëm që mund t’i ketë gjetur këta personazhe, ai ka ditur të hyjë deri në qelizë të tyre. Këtë shkrimtari ka ditur ta ndërtojë mjeshtërisht nëpërmjet rrëfimit. Në “Epistolarin e Zaratës”, letrat shkojnë vetëm në një drejtim, nga ishulli-përtej, ndërsa gjithë ngjajet që ndodhin matanë, autori na i jep të reflektuara tek Frederik Çoba, nga komunikimi që ai mban me Brunën, apo të burgosurit e tjerë mbajnë me të afërmit e tyre. Ka mjaft episode, të cilët të bëjnë të shohësh thellë historinë dhe të mendosh drejt së ardhmes. “A nuk e jetuam edhe ne banorët e shekullit XX këtë ferr luftrash me miliona të vrarë e të gjymtuar? Dy luftëra të mëdha nuk i mjaftuan botës për të kuptuar ferrin e vërtetë, dhe ja tani, një luftë e re duket në horizont...” Vetë personazhi i Frederik Çobës, dikur, para lufte një mësues gjimnazi, është një prej atyre intelektualëve idealistë që shpresonin tek e ardhmja dhe rinia e atdheut. Ndonëse në qendër është figura e Mark Ndojës, përkthyesit të “Ferrit”, ai përfaqëson të gjithë ata intelektualë që u dënuan padrejtësisht nga regjimi komunist. Ndryshe nga shumë vepra që kanë në qendër persekutimin nga regjimi komunist, ku autorët shpesh bien nën trysninë e politizimit, “Epistolari i Zaratës” është një vepër letrare, ku ndihet, spikat dashuria dhe humanizmi, dy kundërpeshat më të mëdha ndaj totalitarizmit dhe errësirës. Për nga mënyra e ndërtimit, vizoni që përcjell dhe stili, kjo vepër mbetet gjithnjë e gatshme për t’u ekranizuar apo për t’u vënë në skenë. “Epistolari i Zaratës” është një vepër që i vjen letërsisë shqipe në kohën e duhur, në këtë kohë kur të gjithë kanë nevojë të reflektojnë qartë e të shohin drejt së ardhmes. Është “Lux in tenebris”... “Drita mes errësirës”...”

Në një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar në Napoli nga Universiteti i Studimeve orientale nën titullin “Il selienzio e forma” studjuesja Blerina Suta, autore e disa librave kritikë, mbajti një ligjëratë rreth këtij romani, në titullin “Të përkthyerit si alegori e një zëri kundërshtar në Shqipërinë komuniste: “Epistolari i Zarates” i Luan Ramës - ku ndër të tjera ajo shkruan: “Pyetja e shtruar nga poeti italian E. Montale se “çfarë mund të përfaqësojë Dante për një shkrimtar të ditëve të sotme”, në një “të sotme” pa hapësirë e kohë, duket se e ka përfshirë edhe shkrimtarin shqiptar  Luan Rama,i cili ngjyen penën e tij në mirazhin e mrekullisë danteske në atë periudhë “mesjete” komuniste të Shqipërisë, duke na njohur me një histori të rallë opozitare në një vend të lindjes që nuk pati shfaqje disidence, ndërkohë që atë e gjejmë në vende të tjera të kampit komunist  të “shkrirjes së akujve”; (siç e quan Matvejeviç). Romani merr si zanafillë botimin e disa letrave që Mark Ndoja i dërgon gruas së tij, Milenës. Ai është një ndër përkthyesit e Dantes në shqip, intelektual i vërtetë (shkrimtar, studjues letërsie, me formim klasik e përkthyes i letërsisë klasike në shqip (Homeri, Horaci, Dante), i letërsisë romantike (Karduci, Hajne), i modernizmit ( D’Anuncio) si edhe i asaj nga shqipja në italisht, veprimtar antifashist e komunist, politikan shqiptar, i dënuar në Shqipërine komuniste, si shumë të tjerë, pas Luftës së Dytë Botërore, për arësye të parimeve ideologjike që ai shprehu lidhur me letërsinë. Preteksti i dënimit për M. Ndojën, sipas fashikullit të hetimeve të botuar së fundmi, ishte përkthimi i një satire të Haines, “Gjermania si një përrallë dimri”, me anë të së cilës, siç lexohet në një fragment të dokumentit të akuzës, paskesh dashur të paraqesë gjendjen e vendit, për të thënë se edhe aty shkrimtarët keqtrajtohen nga Partia dhe Pushteti.

Historia e Mark Ndojës shpreh një nga rrugëtimet më të ndritshme në udhën e asaj historie të Shqipërisë që mbart shtypjen dhe heshtjen, nën atë trysni që diktatura ushtronte ndaj inteligjencës shqiptare. Pas botimit të parë të romanit të vet, Luan Rama njihet me letrat dhe historitë e ndryshme të burgosurve të tjerë politikë e preket thellë nga ngjashmëria e tipareve njerëzore dhe analogjia në përpjekjet për përballimin e realitetit të dhimbshëm gjatë proceseve politike e dënimeve. Autori i romanit zgjedh në mënyrë simbolike të na tregojë nëpërmjet letrave përvojën përkthimore te pjesa e “Ferrit”, edhe pse materiali që përmbajnë letrat, një preteks nga historia e Mark Ndojës, tregon në fakt çka ai i shkruan së shoqes gjatë përkthimit të “Purgatorit” dhe një pjesë të “Parajsës”, gjatë burgosjes në ishullin e Zvërnecit. Autori Rama e ka riprodhuar kontestin me syrin e regjizorit, duke e përshkruar ishullin e Zaratës me po ato tipare parajse që ka ishulli i Zvërnecit, pranë bregdetit të Vlorës. Në ishull e vetmja ndërtesë e ngritur rreth shekullit XIV ishte shndrruar në burg e të burgosurit, veç rojeve, si shoqëri të vetme kishin shenjtorët e paraqitur në ikonat bizantine të pikturuara nëpër mure.

Romani sfidon gjininë epistolare nëpërmjet alegorisë që i mvesh subjektit të trajtuar: përmbajtja e letrave që personazhi i dërgon së shoqes dhe na shfaq një mënyrë qëndrese ndriçimit të mendjeve duke iu kundërvënë errësirës që pjell heshtja e regjimit. Përmbajtja e letrave, që ngjyen penën tek Dante, jo vetëm lidhur me citimet në krye të çdo letre e gjetkë por edhe për sa i takon pranisë së një dimensioni më gjithpërfshirës e transfrastik, [kuptimi që ndonjëherë cek një dukuri ku kapërcehet kufiri i pranisë së një fraze apo shprehjeje duke përfshirë kështu mbase edhe një tekst të tërë] jepet si një material jetësor i aftë të trasformojë ndërgjegjen e vetë personazhit-përkthyes; një alegori për rrugën që ndjek zëri i qartë dhe i zhurmshëm i njohjes e i artit në aktin e tij shpëtimtar për jetët e shtypura nga një dhunë e heshtur... Letrat e personazhit “përkthyes” shfrytëzojnë në mënyrë të përsëritur analogjinë mes botës së objekteve dhe imazhin-objekt të universit dantesk: “në heshtjen e plotë që mbretëron në ishull, dëgjohet një kambanë me tingull “të shurdhët”, simbol ky, i klimës së terrorit që merr kuptimësinë e vet në analogji me imazhin që na jep përshkrimi dantesk i rrethit të shtatë të Ferrit kur i referohet “Veshit të Dionisit” të Sirakuzës - shpellë në trajtë veshi, ku tirani pati mbyllur kundershtarët e vet, viktimat që mbaheshin nën mbikqyrje vazhdimisht, nga frika se mund t’i thurrnin komplote.

Trama e thurur dallohet për mënyrën alegorike të të shprehurit: heshtje dhe tingull, fjalë me kuptime të kundërta (fig. retorike e oksimaronit) që rrijnë pranë e pranë të vendosura në një skemë në formë kryqëzimi në modelin rrëfyes të epistolarit, duke bërë që zërat fizikë dhe heshtja të ndërrojnë rolet. Të trajtuarit e ideologjisë komuniste si “një vend ku dielli hesht” (e nuk shkëlqen), lidhet me heshtjen që ndeshim në fragmentet ku gjejmë përshkrimin fizik të të burgosurve: që nga errësira që mbështjell mbërritjen e tyre në ishull ku “dëgjohen vetëm splash-splashet e përplasjeve të lopatave të varkës që rrahin ujërat” e deri në përshkrimin e “qetësisë së madhe që nis të mbretërojë mbi ata trupa të mbuluar me rrecka". Në këtë kontekst heshtjeje, ndjesia e personazhit-përkthyes të veprës së Dantes merr vlerën e “një drite hyjnore ripërtëritëse”.

Citimet nga Dante në krye të çdo letre bëhen simbol i zërit shurdhues të “dhimbjes që çpon” (Kapitulli V) tek (cit. autori) “populli dantesk që ka humbur buzeqeshjen duke qenë i mbyllur në vendin ku Stalini konsiderohet një hero”. Në këtë pikë, teksti zhvillon dhe pasurohet me një zë morali gjithnjë e më të fuqishëm, duke i dhënë kuptimit të heshtjes fizike të përshkruar në letra një semantikë të kundërt: ... trupat fizikë janë “në agoni”. Edhe kur rrëfimi tregon zërin shurdhues e të egër të diktaturës, të mishëruar në urdhërat e atyre që ruanin të burgosurit, [Ndërkohë “Bulldogu” që kish dalë jashtë për të parë horizontin, kthehet nga të burgosurit duke thirrur: - Qelbësira, hyni brenda! Çfarë prisni! Të burgosurit mbetën një çast pa ditur ç’të bënin. Një breshëri e madhe shpërtheu nga automatiku i tij drejt qiellit. “Bulldogu” qesh e ulërin i egzaltuar: - Kuba do fitojë... Rroftë Gjenerali Fidel Castro! Rroftë Ho Chi Min! E dëgjuat?! Kauza juaj dështoi. E sërish të shtëna drejt qiellit.] Po në këtë mënyrë të shprehuri gjejmë në roman, falë citimeve danteske, edhe pjesë të tjera: […Grupi i të burgosurve e pa me trishtim, në heshtje, ndërsa ngulte veshtrimin ende te ajo grykë e gjatë topi...] Le t’i kthehemi romanit në fjalë ku edhe pse personazhi - përkthyes e ndjen se zëri i vet “humbet në errësirën e natës” (Letra e Pestë), analogjia me imazhet e gjuhës danteske e ndihmon të ndërgjegjësohet e “të ndihet i lirë bashkë me shokët edhe pse të mbyllur në qeli, edhe kur ua mbyllin gojën” (Letra Trembëdhjetë).

Epilogu i romanit ku protagonisti tregon se ka ndryshuar, “Tani që mbarova së përkthyeri “Ferrin” e shoh jetën në mënyrë tjetër”, është shtjellimi i një përvoje nga më të shkëlqyerat, për shpëtimin e njeriut me anë të fjalës. Kur protagonisti shpall se “Dante nuk është më ai që pata lexuar dikur”, se “Dante është një tjetër”, mund të pohojmë se është vetë autori Rama që ka ndryshuar së bashku me personazhet: Dante që pati lexuar gjatë studimeve të tij nuk është më po ai, tanimë që njeh përkthimin e vargjeve të tij të përdorura lirshëm në roman. Të tregosh mbi përkthimin e Dantes në kushtet e rënda të mesjetes komuniste, ndihmon të individualizosh konturet montaliane të “një mesjete të re ku nuk arrijmë të dallojmë karakteret”, në një botë si kjo e sotmja, kaq shumë e zhurmshme e pa një stil...”

©Luan Rama