Sport

Nostalgjia e futbollit shqiptar: Iljaz Çeço feston 75 vjetorin - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu

“Legjenda” e Dinamos dhe një nga ikonat e arta të fubollit shqiptar, Iljaz Çeço, lindi si sot më 3 Janar, 75 vjet më parë në Lushnje, nga prindër me origjinë nga Filati i Çamërisë.

Pa dyshim një nga futbollistët më të mëdhenj të gjeneratës së tij (vitet 60-70’) dhe pa dyshim një nga princat e mesfushës në futbollin shqiptar.

Çeço solli një filozofi të re në futbollin shqiptar. Mund të konsiderohet edhe play-maker i parë real në futbollin tonë.

Shkëlqen që në moshë të njomë si një talent i lindur. Në Spartakiadën e pionierëve në Durrës në vitin 1959, shpallet lojtari më i mirë, megjithëse ishte vetëm 12 vjeç (kur shumica e pjesëmarresve ishin 14 vjeç).

Lojtari më i ri që ka luajtur në Kategorinë e parë të Kampionatit shqiptar të futbollit, kur ishte vetëm 15 vjeç (13 Janar 1962, Traktori-Korabi).

Kam degjuar një histori të vërtetë për kohën që Çeço ishte ende në tetëvjeçare.

Nxënësit e klasës i kërkojne leje profesorit të matematikës, të njohurit Ismail Turdiu, për të shkuar dhe për të parë në stervitje shokun e tyre. Profesori tiranas habitet, duke menduar që një nxënes i shkelqyer si Çeço mund të bëhej gjithçka në fusha të tjera.

Ai i shoqëroi nxënësit e tij në stervitje dhe u mahnit me talentin e nxënësit të tij më të mirë duke u bërë një nga inkurajuesit e “pionierit” Çeço në rrugën e futbollit. Për më tepër, Traktori i asaj kohe drejtohej nga një mik i Prof. Turdiut, nga një tiranas 24 karat, Adem Karapici, emër shumë i madh i futbollit.

Pas gati 2 vitesh me Traktorin e Lushnjes, Lazja, transferohet tek Dinamo, ku debuton në Nëntor 1963 kundër Vllaznisë së Shkodrës. Nuk i kishte mbushur ende 17 vjeç.

Ndeshjen e parë ndërkombëtare me Dinamon e luan në kuadër të Kupës Ballkanike, më 8 Prill 1964, kundër Levskit të Sofies, duke zëvendesuar Skënder Jarecin, për të cilin ishte ndeshja e fundit e futbollit e luajtur.

Merr numrin 8 të mjeshtrit të madh Skënder Jareci, me të cilin do të interpretonin pas disa viteve melodinë me të bukur dinamovite të historisë.

Lojtari më i ri që ka luajtuar me përfaqësuesen shqiptare në një takim ndërkombëtar zyrtar (kundër Holandës më 25 Tetor 1964) kur ishte vetëm 17 vjeç.

Mesfushor inteligjent, virtuoz dhe shumë teknik me topin, kapiten historik i Dinamos së Tiranës në vitet e saj më të arta.

Për ata që nuk e kanë parë, Çeço ishte një lloj Andres Iniesta shqiptar, por që pasonte dhe jepte "assist" si Xavi…

I vështirë për çdo kundërshtar për t’i marrë topin.

Në qoftë se do të kishim një statistikë të “assist” për golat e shënuar nga Zhega dhe Pernaska, Çeço do të ishte në vend të parë.

Lazja ishte dirigjenti i një orkestre fantastike  me Fred Gjinalin, Lorenc Vorfin, Taip Çutrën, Çlirim Hysin, Medin Zhegën, Shpetim Hoxhën, Ilir Pernaskën, Shyqyri Ballgjinin, Vasillaq Zërin, Faruk Sejdinin, Gani Xhafën, Jani Ramën, Ahmet Ahmedanin, Ilir Luarasin, Rifat Ibërshimin, Enver Hafizin, Haxhi Mergjyshin, Ibrahim Kodrën, Torez Çirakun, Andrea Markon, Muhedin Targajn, Aleko Bregun, Artur Çobanin, etj., që luajtën “muzikën” e mrekullueshme të Mozartit shqiptar të futbollit, të paharruarit Skënder  Jareci.

Iljaz Çeço luajti 11 ndeshje me ekipin përfaqësues (1964-1971). Karriera e tij me ekipin kombëtar përfundoi më 14 Nëntor 1971, në ndeshjen me Turqinë (3-0) kur ai ishte vetëm 24 vjeç. Erdhën vitet kur filloi vetpërjashtimi i futbollit shqiptar nga aktivitetet ndërkombëtare.

Për mendimin tim, Iljaz Çeço mbetet numri 8 më i mirë që kam parë në futbollin shqiptar.

"Strategu" (sipas Anton Mazrekut), "Ustai", "Brigadieri", ishin nofkat që thërritej kapiteni dinamovit nga tifozët dhe simpatizantët e lojës se tij.

Lojtar tepër korrekt. Gjatë gjithë karrierës se tij sportive (1962-1978) ka marrë vetëm një karton të verdhë.

Ndeshja më e madhe e Çeços është ajo kundër Ajaks Amsterdam në 16 Shtator 1970, kur Tirona e madhe e Myslym Allës, ndali hollandezët fluturues në “Qemal Stafa”, në atë barazim të paharrueshëm 2-2.

I pyetur pas ndeshjes se cilët ishin lojtarët shqiptarë që pëlqeu më shumë, traineri holandez Rinus Michels u shpreh për numrat 13 dhe 14 (respektivisht Zhega dhe Çeço).

■ 5 herë kampion me Dinamon (1967, 1973, 1975, 1976, 1977).

■ 3 herë fitues i Kupës së Republikës (1971, 1974, 1978).

■ Ka shënuar mbi 120 gola gjatë karrierës së tij në ndeshjet zyrtare (kampionat, kupa, spartakiada dhe ndeshje ndërkombëtare).

■ 2 herë fitues i “Anketës Sportive” si futbollisti më mirë në vitet 1965 dhe 1967 (bashkë me Panon).

■ Në vitin 1970 ishte fitues i Anketës vjetore të gazetës Sportit Popullor "5 sportistët më të mirë te vitit", bashke me Nexhmije Bilalin (atlete), Agim Fagun (basketbollist), Faruk Kalleshin (peshengrites) dhe Panajot Panon (futbollist).

Jetë të gjatë Iljaz Çeços, legjendës dinamovite “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Mjeshtër i Madh”, "Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjes"!

©Saimir Kadiu