Beograd-Tiranë: Rrëfimi për dy qytete - Nga Veton Surroi
1.
Para dy vjetësh, leku dhe dinari serb u përputh që të kishin vlerë të njëjtë. Kjo e lehtësonte përllogaritjen e kostove për turistët serbë që qenë të mirëpritur në Shqipëri dhe kishin fjalë miradie për mikpritjen, madje disa rëndom do të shpreheshin mirë edhe për rrugën e qetë e të sigurt tranzit nëpër Kosovë për të shkuar e kthyer prapa.
Liderët e dy vendeve shprehnin afërsi të madhe publike dhe bashkë-udhëhiqnin projektin e “Ballkanit të Hapur”. Kjo afërsi në disa mjedise në Kosovë u pa me sy kritik, prej një mosbesimi të lehtë deri te teoritë e konspiracionit, jo pak të ushqyera nga bashkërenditja e dy liderëve me ish-kryeministrin Thaçi në projektin e ndarjes territoriale të Kosovës.
Përgjatë viteve, do të rriteshin spekulimet rreth afërsisë së dy vendeve, gjegjësisht, të dy liderëve të tyre. Që të dy liderët do të përdornin të njëjtin ekip izraelit që zhvillonte sondazhe të shpeshta dyjavore dhe përgatiste fushatën zgjedhore të partive të tyre për zgjedhje. Që të dy liderët do të hapnin dyert për projekte të mëdha ndërtimore - Beogradi në Ujë, Marina e Durrësit - për investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe që si investim sollën emrin dhe skicë-projektin e që si rregull prisnin që paratë e investimeve të jepen nga investitorët (zakonisht të brendshëm) emri i të cilëve mund të mbetej i garantuar me anonimat.
Një perceptim i afërsisë përcolli ndërhyrjet konsistente të kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të Kosovës - të pakonsultuara me udhëheqjen e Kosovës e në kundërshtim me interesat e Kosovës - me krijimin e përshtypjes së një “vëllazërie” të re Tiranë-Beograd. Për konspiracionistët ishte hyrje e shpejtë në krijimin e analogjive historike, që nga koha e kryeministrit serb Pashiç për daljen e Serbisë në portin e Durrësit apo veprimeve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në krijimin e asaj të Shqipërisë.
2.
Leku shkoi rrugës së vet të forcimit pas vendimit të kreut të vendit që parasë që hyn në Shqipëri nuk i kërkohet dëshmia e prejardhjes e as detyrimi që të qarkullojë nëpër sistem bankar. Dinari, ndërkaq, e ruajti stabilitetin dhe respektin, ndërsa rroga mesatare e qytetarëve të vendit dyfishohej në sajë të investimeve të huaja në industrinë e vendit.
Sikur leku e dinari, që të dy vendet janë të ndryshme dhe liderët e tyre po ashtu. Shqipëria është një vend pa probleme me fqinjët, ka filluar negociatat e anëtarësimit në BE dhe ka rritje të parashikueshme e të lartë në turizëm (dhe ndërtim). Serbia është një vend me probleme të hapura e identitare me së paku tre fqinjë, një vend që ka hapur qëmoti procesin negociator të anëtarësimit në BE dhe ka shënuar një rritje impresive ekonomike bazuar në ruajtjen e zhvillimin e bazës së saj industriale dhe investimeve të huaja. Kryeministri Rama është figurë e nurshme e ndihet në shtëpi në tubimet e liderëve perëndimorë; presidenti Vuçiç ka arritur që në kushtet e një rrëmuje gjeopolitike botërore të respektohet nga liderët kryesorë perëndimorë dhe njëlloj nga presidentët Putin dhe Xi Jinping.
E, megjithatë, përkundër dallimeve në orientim gjeopolitik e afinitete intelektuale, dy liderët ndajnë së bashku një sfidë që mund të jetë e madhe si për ta personalisht, ashtu edhe për vendet e tyre. Kryeministri Rama dhe presidenti Vuçiç janë në krye të lëvizjeve politike që kanë tejkaluar formën e garës mes partive politike. Vjollca, me të cilën piktori dhe kryeministri Rama ngjyrosi Partinë Socialiste me shkrirjen e suksesshme të ngjyrave rozë (të socialistëve) dhe blu (të demokratëve) qe forma më elokuente për të treguar se kjo parti nuk kishte më kufij ideologjikë - do të ishte një lëvizje “popullore”.
Presidenti Vuçiç në formë rituale ka përsëritur se Partia Popullore e Serbisë është një “parti tendë”, nën të cilën hyjnë që të gjitha ideologjitë, mendimet, shtresat shoqërore. Partia Socialiste e Shqipërisë është njëkohësisht pararojë e pensionistëve që ende besojnë se janë në Partinë e Punës, klasës së mesme qytetare, të profesionistëve të rinj që kërkojnë punë shtetërore, e milionerëve dhe “të fortëve” të Shkodrës dhe Elbasanit; SNS e Vuçiçit kishte njëkohësisht kryeministre homoseksuale dhe një anëtarësi të gjerë homofobe.
3.
Sivjet mund të kontestohet legjitimiteti i të dy lëvizjeve prijëse të dy vendeve. Ky kontestim nuk do të bëhet me zgjedhje, ka forma manifestimi të ndryshme në të dyja vendet dhe nuk ka një rezultat lehtë të parashikueshëm.
Serbia ka hyrë në vitin 2025 me protestën kundër pushtetit të një lëvizjeje organike studentësh e nxënësish, përkrahur nga shumë sektorë të tjerë të shoqërisë, që nga bujqit, sindikalistët e artistët e teatrit. Shkaku fillestar i protestës ishte tragjedia e 15 të vrarëve nga rrënimi i një pjese të ndërtesës së stacionit hekurudhor në Novi Sad - ndërtesë e rinovuar nga një kompani kineze e me një kontratë fillimisht të fshehtë - por ajo shumë shpejt mori dimensionin e konfrontimit mes shoqërisë dhe sistemit. Kur presidenti Vuçiç filloi të jepte shpjegime dhe të kërkonte dialog me studentët, përgjigjja e tyre ishte shumë e thjeshtë - “ai nuk është kompetent”.
Në sistemin kushtetues të Serbisë, kompetencat e presidentit të vendit janë qartazi të përkufizuara. Qytetarët e vendit, ndërkaq, shohin pothuajse çdo ditë paraqitje të presidentit të vendit që shpjegon se cilat fshatra janë lidhur dje me asfalt, sa pritet t’ua rrisë pensionet në çerekun e parë të vitit, sa patate dhe fasule gjenden në rezervat e shtetit, sa tanke ka ushtria serbe dhe sa copa artilerie do prodhuar për të mbushur rezervat e ushtrisë, sa copë goma prodhon fabrika kineze Linglong në Serbi dhe sa ishte prodhimi i pardjeshëm i energjisë elektrike në termocentralin afër Beogradit, sa gaz mundi të hyjë dje e sa nesër nga Bullgaria për në Vojvodinë, cili prijës i opozitës sa ka në xhirollogari private, kush çka i ka thënë një ambasadori në një ndeje diplomatike... Presidenti Vuçiç është i gjithëfuqishëm dhe këtë nuk e fsheh në paraqitjet e tij të përditshme, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën.
Studentët janë ngritur kundër këtij sistemi i cili nuk ka mekanizma vetëkorrigjues të demokracisë.
Partia/lëvizja në pushtet është ajo e cila punëson, ajo e cila kontrollon gjyqësinë, shërbimet sekrete, pjesën më të madhe të skenës mediatike e kështu me radhë dhe në krye të kësaj lëvizjeje gjendet një person.
Me një vetëdisiplinë, me heshtje kolektive të qindra mijëra njerëzve në sheshe në minutat e ndërrimit të moteve, me kapacitet për të mbledhur të gjitha sferat e shoqërisë, lëvizja studentore mund ta çojë Serbinë në pikën e katarsisit demokratik, ku do të artikulohet një shumicë që do të kërkojë transformimin demokratik të vendit, dikur edhe me zgjedhje të lira sipas standardeve evropiane.
Ndonëse nuk dihet kur do të ndodhë përmbysja, Serbia tashmë ka hyrë më 2025 me një gjeneratë të re pjekurie demokratike që do të kërkojë ta shfrytëzojë një parullë të Shqipërisë së vitit 1990, që të jetë edhe ajo si e tërë Evropa.
4.
As në Shqipëri nuk ekziston mekanizmi vetëkorrigjues i demokracisë. Përshkrimit për Serbinë se “Partia/lëvizja në pushtet është ajo e cila punëson, ajo e cila kontrollon gjyqësinë, shërbimet sekrete, pjesën më të madhe të skenës mediatike e kështu me radhë dhe në krye të kësaj lëvizjeje gjendet një person”, i duhet shtuar veçantia ekzotike e Shqipërisë ku kreu i kësaj lëvizjeje është po ashtu, kryearkitekti dhe kryeurbanisti në nivel territori kombëtar i qyteteve veç e veç. Lartësia e kullave në Tiranë, veçoritë artistike, studioja arkitekturore që duhet të bëjë dizajnin dhe shumë hollësi të tjera përcaktohen drejtpërsëdrejti prej kreut të lëvizjes/shtetit, të po të njëjtit që ka autoritet të pakontestueshëm politik për të shkarkuar e emëruar zyrtarë që nga ministrat, shefat e policisë, gardianë të burgut, administratorët lokalë të ndërmarrjes së ujërave dhe pak a shumë çdo funksioni publik administrativ ndërmjet këtyre pozicioneve.
Zgjedhjet parlamentare në kushtet, ku pos kontrollit të plotë të lëvizjes/parti/shtet disiplinimi i votës bëhet edhe me ndihmën e klaneve kriminale, nuk tregojnë për mundësinë e mekanizmit vetëkorrigjues. Shqipëria, sikur Serbia, nuk kishte opozitë me legjitimitet të mjaftueshëm qytetar për t’i prirë presionit transformues në rrugë. E për dallim prej Serbisë, në Shqipëri nuk lindi një lëvizje organike që do ta kontestonte sistemin - lëvizja më e madhe e të rinjve të Shqipërisë është bërë dhe bëhet duke emigruar përtej kufijve të vendit.
Kështu, në Shqipëri duket për momentin vetëm një rrugë kontestimi e sistemit, SPAK së bashku me gjykatën përcjellëse. I ndodhur çuditshëm në këtë gjendje (absurde bile të vihet në paralele me lëvizjen studentore në Serbi) puna me të cilën përballet SPAK është monumentale: kudo që hyjnë prokurorët e veçantë janë duke prekur në organizmin e gjallë të sistemit endemik të korrupsionit e të krimit të organizuar. Për dallim prej relacioneve prokurori-shoqëri të vendeve demokratike ku krimi e korrupsioni janë devijim nga norma, SPAK është gjetur në një moçal ku krimi dhe korrupsioni mund të dalin të jenë norma vetë. SPAK po përpiqet të dëshmojë se si në korrupsion janë zhytur ish-udhëheqësit e vendit që sot janë në opozitë, duke paralajmëruar njëkohësisht se është duke u marrë me pjesëtarët e pushtetit të tanishëm, të njerëzve të afërt me njeriun më të pushtetshëm në vend.
Dhe nëse arrin në atë pikë atëbotë do të gjendet te konstatimi i studentëve të Serbisë që lidhet me vetë natyrën e partisë/lëvizjes/shtet: nëse ajo me liderin e pakontestueshëm vendosin për pak a shumë çdo gjë të rëndësishme në vend, si mund të mos vendosin për mekanizmin themelor të funksionimit të sistemit, korrupsionin?
5.
Nuk dimë se kur dhe si do të përfundojnë lëvizjet në Serbi e Shqipëri; suksesi i asnjërës nuk është i garantuar.
Por, tashmë dimë se kemi hyrë në vitin e kontestimit të sistemit, të atij që në mungesë të mekanizmave vetëkorrigjues të votës, ka nevojë për mekanizma të tjerë.
© Veton Surroi - KOHA