Blog

Në trotuaret me tavolina ku ka jetë - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Pak ditë më parë, “dollia shqiptare” u shpall vlerë e trashëgimisë kulturore jomateriale, për të nderuar ritin tonë të ngrohtë e mikpritës. Po mendoja, dollia është një rit me përmbajtje poetike, sociale, historike, psikologjike, filozofike dhe politike, por a nuk meriton të njëjtin status edhe kafeja shqiptare?

Sepse kafeja, te ne, është institucion. Është mëngjes. Është takim pune. Është bisedë shpirtërore, thashethem lagjeje, paqe pas grindjes, ngushëllim pas vdekjeje. Është e para që të ofrohet. Ajo nuk pihet për t’u zgjuar, por për të jetuar.

Shqiptarët nuk shkojnë thjesht për kafe. Ata shkojnë për të analizuar politikën botërore, për të sharë qeverinë e për ta lavdëruar atë, për të zgjidhur halle, për të gjykuar me kuç e me maç, për të thurur plane, për të pritur dikë të vijë, për t’u zënë e për t’u pajtuar, e ndonjëherë thjesht për të ndenjur. Dhe gjithë sa përmenda përbëjnë akte njerëzore dhe institucione të përditshmërisë.

Ndaj kur dëgjon që po hiqen tavolinat nga trotuaret, nuk është çështje estetike, as pastrim i hapësirave publike, është amputim kulturor. Qeveria kërkon të urbanizojë një komb duke e çrrënjosur nga zakonet e veta.

Sigurisht, qeveria mund të vendosë rregulla urbane, shumë dakord. Njerëzit mund ta kryejnë ritualin e kafesë edhe në ambientet e brendshme të kafenesë. Por ku është lezeti i soditjes? I rrezeve të diellit? I përshëndetjes së kalimtarëve të njohur?

Në qytete me dimër të zgjatur si Montreali, sapo fillon të shkrijë bora, të gjitha kafenetë nxjerrin me padurim tavolinat jashtë, dhe njerëzit radhiten për një karrige në diell. Taraca, rruga, veranda shndërrohet në vendin më të dëshiruar. Ndërkohë në Shqipëri, tavolinat në trotuare konsiderohen pengesë nga qeveria, a thua se aty ka ngecur i gjithë procesi i integrimit europian.

Sigurisht, ndoshta ka shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe janë lodhur nga tavolinat dhe karriget që pushtojnë trotuaret. Ndoshta ua kanë vështirësuar jetën dhe lëvizjet. Por fakti që këto tavolina vazhdojnë të vendosen dhe popullohen, do të thotë se janë të kërkuara. Po të mos kishte kërkesë, ato do ishin bosh.

Se në fakt, ç’punë prishin qytetarët në trotuare duke gjerbur kafenë? Nuk po protestojnë kundër qeverisë, nuk bërtasin, nuk po thurin grushte shteti, vetëm po diskutojnë me pasion se opozita ka marrë fund dhe se vendi po shpopullohet. Gjatë këtyre bisedave ndodh të njohin ndonjë kalimtar e ta ftojnë për një kafe, të shkëmbejnë ca llafe, të ndajnë një copëz përkatësie, pa shumë salltanete, aty, në trotuaret me tavolina ku ka jetë.

(☕️ lëng dhe lëndë, që nuk më mërzitet kurrë)

© Jeta Dedja/Flasshqip.ca