Blog

Leksion japonez mbi pastërtinë

Nga: JETA DEDJA

E keni parasysh sa plehëra grumbullohen gjatë organizimit të aktiviteteve të ndryshme? Ose më mirë të themi në çdo vend që ka pjesëmarrje frymorësh. Është normale, mos të bëhemi moralistë kot për pastërtinë. Njerëzit kanë nevojnë të hanë e të pinë kur u duhet të qëndrojnë në një vend për minuta të tëra. Por ajo që dua të theksoj është pjesa se çfarë ndodh më pas. Pikërisht atëherë kur gjithçka përfundon dhe njerëzit shpërndahen, ndonjëherë edhe të shoqëruar me kafshët e tyre.

Ju besoj e dini, se ato që mbeten stolave apo karrigeve, apo shesheve janë mbetje të ndryshme, plastike, xhami, letre, ushqimesh, rroba, etj, etj.

E kush do ta kishte mendjen të pastronte pas një ndeshje futbolli ku emocionet kanë shpërthyer dhe emocionet, pozitive a negative qofshin të kanë vënë përpara, të ikësh e të festosh fitoren ose të luftosh humbjen me ca shishe birre?

Po për shumicën kështu ndodh, por ka një pakicë që tregon të kundërtën. Japonezët, futbollistët e kombëtares e tifozët e tyre po bëjnë xhiron e botës pas humbjes së ndeshjes me Belgjikën. Jo sepse humbën, por sepse fituan respektin edhe për shkak të sjelljes së tyre njerëzore në stadium, dhoma zhveshjesh dhe në publik. Ata pastruan gjithçka në vendet ku kishin qëndruar e më pas ikën, madje nuk harruan të linin një pusullë falenderimi në rusisht. 

Shihni fotot dhe do e besoni se sa dinjitet i japin një kombi sjelljet qytetare të përfaqësuesve të tij.

Në fund të fundit, gjërat e vogla janë ato që tregojnë vlerat e mëdha.

©Flasshqip.ca