Z. Kryeministër Haradinaj, ndaleni Presidentin!
Nga Blerim Muriqi
I nderuar Kryeministër, jeta jonë ka emblemën e kohës që po kalojmë. Asaj ku e ku i japim edhe vetë ngjyrë, kuptim e mundime. Sot fati e ka ndarë që ju ta drejtoni vendin. Pluralizmi i ka këto, edhe të vegjëlit politikë marrin përgjegjësitë e para kur rregullat e lojës lejojnë dhe ua kanë nevojen. Sot u dhunua kushdo që dhimbja e së shkuarës i bëri të dalin në protestë për të mos lënë kriminelët e dhimbjes së gjithë neve të shkojnë në tempujt e riteve nga ku moren bekimin e masakrave ndaj popullit tonë dhe ju jeni kryeministri nga ku duhet të ketë dalur ai urdhër.
Më vjen keq për këtë, por nuk më vjen keq që ju drejtoni vendin. Kam ëndërruar diten kur parimet ku u ngjizen idealet e lirisë, parimet dhe idealet e Lëvizjes popullore do vinin në drejtim të vendit të lirë dhe do e udhëhiqnin atë drejt bashkimit me Nënën tonë, Shqipërinë. Historia e re foli ndryshe nga sa deshem e aspirojmë ne dhe ne nuk kemi pse i bëhemi armik asaj (Historisë). Rruga është e gjatë. Një gjë e dimë sikur dhe “të gjitha rrugët çojnë në Romë”, edhe bashkimi do vijë një ditë! Ne mund edhe të lodhemi por historia nuk lodhet e kombi nuk vdes!
Ka filluar një zhurmim i përgjithshëm, qytetarësh e zyrtarësh politikash, në rajon e në kancelaritë e botës për marrëveshje shqiptaro-serbe. Korrigjim kufijsh, ndërrrim territoresh, pse jo mbase nën plaf bisedohet edhe bartja e popullsive. Këto janë termat që janë vjerrur në hamendësimet popullore dhe jo pa shkas, sepse politika po zien që nga gojët e presidentit Thaçi e atij serb Vuçiç dhe ka filluar të bëhet jo vetem retorikë, por edhe brengë e trajtesë e të mëdhenjve të botës. Kushdo dëshiron të bëjë diçka në këto momente kaq domethënëse për vendin. Rreziqet janë të shumta, ndaj dhe detyrimi është i madh.
Ju e keni në dorë të bëni diçka që do na qetësojë ne qytetarëve. Ne nuk mund ta bëjmë të paqenë fqinjën tonë Serbinë, por duam të besojmë se ju nuk do lejoni ta sjellin atë vendimarrëse në punët tona. Është kohë e vendimeve të mëdha, dhe ndoshta vendimi më i madh është të mos lejohen të luajnë me fatin e vendit.
Bashkimi i politikës dhe marrja e mendimit nga elita intelektuale janë dy detyrat më madhore për kohët që po kalojmë. Po u arriten këto dy gjëra, gjithë temat janë të menaxhueshme. Loja me kufijtë sot bartë rreziqe të mëdha. Një temë e tillë me Serbinë ndoshta një ditë edhe duhet hapur, por sot në kushtet e një pabarazie, kur ajo akoma nuk na njeh si subjekt ndërkombëtar nuk mundemi e as kemi të drejtë të bisedojmë për territore as për shkëmbim e as për korrigjim. Në kushte paqeje e në njohje të ndërsjellë do ndryshonin gjërat dhe mbase do bëhej e domosdoshme. Lugina ka të drejtë të jetë po aq sa ne shqiptare.
Shtatori po vjen dhe bisedimet nuk kanë të ndalur. Ato do fillojnë të dalin prej fshehtësisë, si për temat, poashtu edhe për rrugën e bërë. Presidenti siç shprehet ka shkuar larg. Se a është kjo mirë apo keq, le ta gjykojë vendimi i përbashkët politik pasi të ketë marrë asistencen e duhur këshilluese të elitës intelektuale e profesionale të vendit! Juve ju takon të bëni gjithë përçapjen për të arritur një gjendje të tillë besueshmërie mes politikës (sot keq të fragmentarizuar dhe armiqësore), dhe të angazhoni armatën e profesionistëve në krah të politikës.
Po ia arritët këtij kushti të domosdoshëm do jemi krenarë me respektin tuaj për detyren që sot mbuloni si kryeministër i vendit. Nëse jo, do mbeteshim krenarë po të shihnim dorëheqjen tuaj dhe rrëzimin e kabinetit, jo pse duam ikjen tuaj, por se besojmë në vetëm dy gjëra sot. O të orientohet mirë Presidenti në bisedime, me asistencë e pushtet mbi të nga politika, e cila do duhej të ishte e këshilluar nga mendjet e ndritura, o të ndalet ai. Presidenti ndalet vetem duke e çuar vendin në zgjedhje.
Pavarësisht vendimeve në kuvend, ai do vazhdojë itenerarin e kush e di ku akorduar. Partia prej ku vjen ai është e lidhur një me një në marimangen Thaçi. Ai sikur dhe në gjithë institucionet e vendit ashtu edhe në ish partinë e tij është një sistem funksional.
Juve ju takon të merrni hapin e parë, i cili në fakt mund të jetë edhe i fundit për këtë cikël pushteti, por them se ia vlen!
Është praktikë në letrat e hapura që shkruesit të përdorin shumë argumente, akuzë a përkrahje pafund për të shembëllyer në favor të të kuptuarit. Unë po mjaftohem me kaq pak gjëra, sepse çështja është edhe e thjeshtë, edhe e qartë.
Pushteti i juaj vërtetë lëngon dhe qeverisja lë shumë për të dëshëruar, por momenti që po kalojmë dhe gërshërët që po i rrinë mbi kokë hartës së vendit prevalojnë peshën e performancës qeverisëse.
NDALENI Presidentin! Ndaleni, qoftë me kontroll politik (po qe nevoja dhe me shkarkim), qoftë me çuarjen e vendit në zgjedhje të shpejta duke rrëzuar Qeverinë edhe pse është e jotja! Këtë ia ke borxh vendit!
Populli ynë reagon vonë dhe plogësht, por historia mbetet po aq e pashpirt sikur edhe për gjatë gjithë jetës njerëzore.





















