Mjerimi i një politike që duhet të perëndojë
- Nga: Blerim Muriqi
Fundi i së keqes nuk ka ardhur akoma. Bazuar në rrugët që po ndjekim dhe për drejtuesit që kemi, atje do biem shpejt. Të kesh president njeriun që sa herë dialogoi në emër të vendit dha territore dhe cënoi rendin kushtetues është jo vetem fatkeqësi, por edhe faj i përgjithshëm popullor. Ne po e durojmë këtë gjë, ne po i pranojmë të tilla gjëra, sepse nuk po pamundësojmë asnjë nga këta zhvillime.
Presidenti në delirin e tij a në kapje e panik, me ndikimin e tij në kapjen shteti e pushtetit, ka degraduar e zhbërë gjithë funksionalitetin institucional dhe ka vënë në letargji gjithë kapacitetin intelektual të vendit. Dorën në zemër, kapaciteti intelektual te ne ka qenë gjithmonë i tillë në oportunitet, mbase një relike mbetur me besnikëri origjinaliteti nga mësimi jugosllav. Ai po e dëmton vendin!
Rajoni vërtetë ka nevojë për paqe të qëndrueshme me këtë edhe për marrëveshjen shqiptaro-serbe dhe paqja nuk vjen nga historia, por nga mësimi e dhimbja e saj. Veçanarisht, jo paqja shqiptaro-serbe. E shkuara noton në gjak.
Serbët bënë shtazën me vrasjet e shpërnguljet që na detyruan përgjatë gjithë historisë sonë të armiqësive. Gjenocidet janë shembëllimet që lexohen kudo territoreve tona të vrara e djegura. Shumë nga to sot janë territore brenda Serbisë politike. Drejt një fati të tillë po e çon Serbia edhe rrethimin e fundit shqiptar, që e ka në dorë ta dhunojë deri në zhbërje, Luginën, pengun dhe ndërgjegjen tonë kombëtare, pastaj do i kthehet Sanxhakut që po mëton të zgjohet. Lugina ka të drejten e saj, ne kemi detyrimin për të. Sanxhaku ka nevojë për ngrohtësinë tonë.
Sikur gjërat po rrjedhin, marrëveshja e nevojshme shqiptaro-serbe ngadalë po shndërrohet në marrëveshje Athisari plus. Autonomisë serbe (njëfarë republike serbe pa ushtri, por me autoritet egzekutiv e territorial dhe gjetje funksionaliteti si të drejta e funksionalitet edhe në jug të Kosovës) po i fryn fllad i shpresës. Nga Hashimi pritet gjithçka! Ai ose është një Kozmopolit i lindur mbetur sëmurë, ose një i “tredhur” i kapur deri në asfiksim.
Me bishën nuk mund e as duhet të jesh buajr! Ajo miqësinë tënde e ka për shkathtësi preje. Vuçiç erdhi në Kosovë pa u penguar e duke u kujdesur nga policia jonë. Por, bisha mbetet bishë, ajo do prenë e saj. Ndaj ai në Ujman e kudo promovoi funksionalitetin e shtetit serb, pushtetin e tij dhe aspiraten e tij, etjen shovene.
Po të ishte Vuçiç ndryshimi serb në çka po mundohet të na bindë presidenti ynë duke i hapur dyert atij për kudo në Kosovë, ai do vinte nga Lugina dhe si shenjë ndryshimi do shpërndante abetaret për fëmijët shqiptarë. Por jo, ai është bisha serbe gjetur në rrethanë të vështirë.
Tashmë pasi u bë e qartë se presidenti ka shtrirë përtokë e zhbërë pushtetin e kujtdo institucioni a të përzgjedhuri, aktorëve të politikës u takon të kenë kuptuar e parë se fjalët-vendimet e tyre mbeten flluska sapuni në erë. Është koha që ky vetëdijësim shpotitës ata t’i bëjë pjesë të kundërshtisë. Fundja rrëzimi i qeverisë së pari do duhej të fillonte nga rrëzimi i presidentit. Kosovës i duhen zhvillime të mençura për të lënë dramatiken atje në skutat e mosndodhjes.
Aksionin e tillë, i takon ta nismëtojë NISMA, sepse në rrethana të tilla sikur gjindemi ne, ajo mund dhe duhet të bëhet çelësi i unitetit veprues. Të tjerët kanë mbjellur shumë inate e përplasje edhe personale, me çka e kanë të vështirë të mund t’i lidhin nyjet e nevojshme për të mbajtur drejtimin.
Sfondi i mjerë i politikbërjes sonë na trishtoi dje. Derisa Vuçiç deklaronte se ai vetem ia kishte komunikuar Mogerinit ardhjen në Kosovë me theks Ujmanin politik nga ku performonte integritetin e shtetit serb, presidenti ynë bënte protagonistin me prononcime të mjera, kryeministri kujdesej të bënte pastruesin, kryetari i Kuvendit bëri strucin dhe futi koken në fshehje, LDK-ja s’kishte si të dilte të bëzante, shpresën e tyre, Albinin, e kishin çuar te Berisha (një zhvillim ky që do vëmendje të veçantë). Berisha i embargos së thyer në ndihmë Millosheviçit dhe i armëve për Karraxhiçin e Mlladiçin u bë thyerja, ku kuptimi real i burimit organizativ politik të Albinit përçapet të vërtetojë teorinë se ai vjen nga nëntoka e shërbimeve serbe.
Vallë të jetë kaq i kapur e diletant përfaqësimi i politikëbërjes sonë?!!!
Dua të besoj se ajo do këndellet në ditët në vijim!
Ramushi dhe Kadriu më nuk besohen as për fjalen e as për vendimarrjen po nuk u bënë palë për të rrëzuar presidentin.
Fatmir Limajt nuk i takon sot përfaqësimi i trupës negociuese dhe as duhet të humbet në të tillë mashtrim. Ai duhet të guxoj ta bëjë NISMEN vatrën e unitetit rreth rrëzimit të presidentit.
Paqen me Serbinë dhe marrëveshjen mes popujve a shteteve duhet ta determinojë e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e popullit tone, e jo interesi i një njeriu të kapur a të sëmurë sikur po na shfaqet presidenti Thaçi në gjithë këto vite e vendimarrje.
Lus qytetarët të kuptojnë urgjencën e këtij veprimi dhe të bëjnë presion tek politika që i përfaqëson!
E lus NISMA-n të veprojë shpejt në këtë drejtim!
E lus shoqërinë civile të bëjë presion për këtë agjendë!
Ramushit i mbetet t’i mbajë fjalët!





















