Pikë-pikë! (Shënime me dhe pa humor)
- Nga: Vangjush Saro
Botimi i një libri është FESTË. Mirë është që gjatë festës të mos bëhemi tapë fare…
Kaq shumë fjalë, publikime, kaq shumë (siç i thonë) letërsi… Jo. Është E PAMUNDUR!
SHKRIMTARI I VONUAR qasej me modesti dhe rrinte si nuse e bukur kur filloi të shoqërohej me ne (një rreth krijuesish pak a shume të njohur) aty nga viti 2000. Por pas disa kohësh, zu të kërcente si kokoshkë:
“Dëgjo, këtu, dëgjo. E di unë këtë... Po lëre, pra, më dëgjo mua...”
Unë për vete, as e dëgjoja, as e dëgjoj.
Ajo që nuk iu shqit letërsisë dhe artit, edhe në këto kohë, ishte PATETIZMI, i shprehur sidomos në kalimin nga njëra gjendje (e bindje) në tjetrën, në mënyrë ekstreme; pra, pothuaj njëlloj prolektkulti. Për rrjedhojë, shpesh hasim klishé të cilat janë e kundërta e atyre që përdoreshin nga shkrimtarët më të rëndomtë të Realizmit Socialist.
Çka është një VANITOZ(E)... Ngrefoset vend e pa vend. Nuk kupton thellë, por e pranon me “modesti” madhështinë. Përpiqet të duket me edukatë, i zgjedh fjalët. Publikon pareshtur selfie ose fjali që ngjajnë sikur i ka formuluar ndonjë fisnik(e). I tërheq mirë “fijet”, duke bërë të përulurin (të përulurën) por i lëpin paq komplimentet, sidomos ato nga gjinia tjetër. Përshëndet fëmijët me rastin e festës së tyre në mënyrë publike, sikur të ishte ministër a ministre e Arsimit. Etj.





















