Do martojmë Malon!
- Nga: AGIM XHAFKA
(Tregimi i së dielës)
Nuk kishte shqiptar para ca vitesh që nuk e kishte parë skeçin, me parodinë e famshme në fund: ”Do martojmë Malon!” Trupa e estradës profesioniste të Fierit ishte në zenith që nga vitet ‘70 dhe njihej botërish kontributi aty i shkrimtarit satiro-humoristik, Pëllumb Kulla.
Materialet e këtij kollosi na bënin që mos lëviznim kanal, ta linim tv te Tirana, kur fierakët na dhisnin gazit. Por dhe na bënin të mendoheshim. Se skeçet e tyre ishin mbështjellë me ambalazh,”Made in Ezopi.”
Një mëngjes, andej nga viti 2000, duke pirë kafe me disa aktorë të Teatrit Kombëtar dëgjoj se muajin që vjen Pëllumb Kulla do mbushte plot 60 vjet. Sa mbaroi kjo frazë, propozova:
-T’ia festojmë te Pallati i Kongreseve. Me krijimet e tij dhe me një shfaqje të madhe.
Ca koka u kthyen drejt meje, ca sy më panë me çudi e më pas pati plot qeshje. Tallje e pastër. Kaq u tha te kafja dhe u pandeh se me kaq do e lija.
Si parantezë po shtoj, ato vite kisha dëgjuar për Pëllumbin si krejt populli ynë, por në fakt nuk e njihja personalisht. Asnjëherë nuk ishim takuar, parë në sy apo folur në telefon. Ndaj iniciativa për të festuar me një recital ditëlindjen e tij më buroi nga respekti që humori i këtij mjeshtri më kishte gatuar. Në mendjen time ai ishte më shumë se një shkrimtar. Nga që idetë i paketonte aq bukur, aq këndshëm sa emocionet më rrënqethnin, shpirti më lumturohej dhe truri më punonte me ritme avioni. Estrada e Kullës për mua ishte si ajo ikona e Shën Mërisë, që gjyshja ime nuk e hoqi kurrë nga dhoma dhe që çdo ditë e mbushte me vaj kandilin që nuk shuhej asnjëherë.
Dëshirën nisa ta kthej në projekt. Shkova në Fier. Mblodha aktorët që ato vite ishin në letargji. U fola për një shfaqje në Tiranë, bash te Pallati i Kongreseve, me plot 2.200 spektatorë. U gëzuan, e pëlqyen, e miratuan e...Nisën pengesat. Ca aktorë ishin në Greqi se nuk i ushqente më estrada. Të tjerë ishin në profesione të ndryshme. Dëgjoja dhe shënoja. Por vetes i premtoja:”Nuk tërhiqem!”
U bëra telegram të ikurve, caktova një javë prova në Tiranë. Dhe bëra gati spotin televiziv. Thjesht, me shprehjen: ”Do martojmë Malon, shfaqet në Tiranë në datën kaq e aq sepse Pëllumb Kulla mbush 60 vjet!”
Dilte dhe e lajmëronte Agron Llakaj. Në makinë si nuse ishte veshur këngëtarja Bleona Qerreti. Ndodhi ajo që prisja. Reklama tamam si shiu në Sahara. U thith e gjitha. Ndërkohë nuk kisha prenotuar sallën. Kur mora vesh çmimin e qirasë m’u rrotullua toka. Por më punoi mendja. Kërkova ta paguante televizioni shqiptar dhe unë do e lejoja ta xhironte falas. Pranuan menjëherë. Se ishte prodhim cilësor për ta. Më pas prisja telashe pa fund. Më duhej një kuratore femër, krahas Agron Llakajt. I thashë Zamira Kitës, korçares plot talent e nur e...tha po menjëherë. Kërkova të këndonte duet Edit Mihali me Ardit Gjebrenë. Të gatshëm në çast. Ndërsa Aurela Gaçe sa dëgjoi në telefon se duhej të këndonte..”Atje më ke vëlla, pa problem.” Dhe qershia mbi tortë lajmi se parodistët e Vlorës do të këndonin një parodi kushtuar ditëlindjes së mjeshtrit Kulla.
Kur mendoja për dekorin, sa do kushtonte e si do e paguaja më erdhi zgjidhja. Skenografi kishte zmadhuar një firmë të Pëllumbit dhe atë e vendosi si sfond. Pra gjithçka gati qysh para dy javësh. Edhe biletat u shitën para dy javësh. Edhe unë e mbylla celularin për dy javë.
Shfaqja qe një superspektakël. Me një publik që vetëm qeshte dhe kërcente. U lumturova. Më dukej sikur po i shlyeja një borxh Pëllumbit që në ato vite të tmerrshme na ndizte zjarr shprese dhe gëzimit i shtonte dritën.
U shkrojt dhe u fol ca kohë për ngjarjen kulturore. E ndodhi që m’u krijua mundësia të shkoja me shérbim në Amerikë, në Washington. U lidha me Pëllumbin dhe ia thashë. Pasi më falenderoi më kérkoi t’i çoja një kasetë të asaj nate. E mora në tv dhe fluturova. Kisha emocion se do shihja Amerikën për herë të parë, se do takoja vajzat e mija që ishin me studime aty dhe se do njihja idhullin tim, Pëllumb Kullën.
-Mbarova punë në Washington, nesër vij me autobuz në New York,-i them.
-Pa merak, dal unë e të pres,-më tha Pëllumbi.
-Po si do njihemi?
-Do kem një karton në gjoks me emrin Agim,-më tha.
Dhe ashtu ndodhi. Agim lexova te gjoksi i një burri të gjatë, simpatik, kokoroç dhe me një nënqeshje që siç duket e ka thelbin e humorit në pjesët që do shkruajë në të ardhmen. U përqafuam si miq e shokë. Se unë kisha vite që e kisha pranuar të tillë. Pastaj më çoi te shtëpia e tij dhe pritja e Xhulit ishte sikur priti vëllanë. Aq të shpenguar e miqësorë ishin. Në një çast, pas darkës të lëpije thonjtë, erdhi casti i kasetës. Nisi shfaqja në New York. Shihja atë çift aq të mençur, të bukur e të shtruar dhe gëzohesha që ishim lodhur për art dhe për vlera. Një çast Pëllumbi lotoi. Mendoja se po shprehte mirënjohje, por tha:
-Këta pleqtë që qajnë janë prindërit e mi në Tiranë.-dhe tregoi një çift si portretet e Gojas. Me dritë, por dhe me muzg.
Kishte ca kohë pa i takuar dhe mallëngjimi kuptohej. Në mëngjes më shëtiti në krejt qytetin. Më tregoi aq shumë për New Yorkun sa për shumë vite kur të shkoj s’kam nevojë për guidë. Më çoi te stacioni i autobuzit. Do ikja për Boston, tek vajzat. Ndarja me Pëllumbin ishte sikur u shmalla me vëllain. Arti të bën ta dashurosh veprën, personazhet, idetë, ndjenjat, por të afron dhe me krijuesin. Ndërton me të një raport ngrohtësie sipas asaj që shijon. Për mua Pëllumbi qe autor kaq cilësor sa me shpirt i hyra një aventure që edhe mund të isha turpëruar. Por më nxiti Pëllumbi të ngrija gjithë atë Kullë në Pallat të Kongreseve në nisje të mijëvjeçarit. U bëfsh 101 vjeç mjeshtër! Më shumë s’ke ç’e do...





















