Privacia amerikane
Nga Albana Lifschin
Për mua do të mbetet e paharruar dita kur i preka “privacinë” Nensit.
Kjo ka ndodhur kur ndiqja studimet në universitetin e Nju Jorkut (NYU). Shkoja çdo mëngjez herët në klasë, zakonisht dhjetë minuta para fillimit të leksionit. Gjeja aty gjithmonë Nensin, një brune simpatike, të paktën nja dhjetë vjet më e re se unë. Vinte gjithnjë në të njëjtën orë. Ishte e natyrshme për mua që ato dhjetë minuta që ndodheshim vetëm të shkëmbenim ndonjë bisedë të shkurtër, të rëndomtë, apo ndonjë pyetje rreth mësimit. Por kjo nuk ndodhte. Nensi hapte librat e të linte përshtypjen sikur kridhej në lexim. Mos ndoshta e kishte kuptuar që unë isha emigrante e s’kishte interes të njihej me mua?
Një mëngjes dimri me shi, hyra në auditor e ndërsa po hiqja pardesynë për ta vënë në varëse dëgjoj zërin e Nensit:
-Ju visheni shumë bukur!
Kaq i papritur më erdhi ky kompliment sa me siguri nga befasia fytyra duhej të më kishte marre një dritë të menjëhershme. Nuk më surprizoi komplimenti, se sa fakti që Nensi hapi gojën dhe foli më në fund! Gjithmonë gjendet një mënyrë për të thyer akullin në mes dy njerëzve të huaj.
“Thank you!” e falenderova unë, dhe nuk di se si iu afrova bangës së saj mbi të cilën qëndronte libri i hapur.
Në mënyrë të pavetëdijshme hodha sytë mbi faqet e librit e me sa duket ndërkohe duhet të kisha prekur librin se ajo u tërhoq menjëherë pas, duke thënë;
- Oh, të lutem, mos ma prek librin! Ti po më invadon privacinë time!
E gjithë “magjia” e atij momenti u zhduk njëherësh.
Ai kompliment kishte qenë një formalitet, s’kishte patur kurrëfare rëndësie dhe as që ishte bërë për të vendosur një urë komunikimi me një ‘shoqe “ klase siç kisha menduar unë.
Kaq me rëndoi ai moskuptim i vogël, sa për mua u bë mësim i madh.
Sa herë ndodhesha në Metro, gjithnjë mposhtja tundimin për të hedhur vështrimin në gazetën e hapur të dikuj përbri meje. Pasagjeri patjetër do të ma kthente vështrimin me një bisht syri, - bezdisje e nënkuptuar .
Mësova të mbaj sytë ulur, dhe kurrë të mos e shoh bashkëudhtarin përballë e as atë në krahun tim. U mësova dhe unë të hap një gazete për të evituar ndonjë "incident" qesharak.

Dhe kështu ndodhi që një ditë duke mos e patur mendjen se ç’bëhej rrotull, kisha mbetur vetëm në vagon. Papritur ndjeva një erë të rëndë të pashpjegueshme. Një homeless ishte shtrirë në një nga ato sedilet e gjata ku mund të ulen dhjetë vetë njëheresh. E kuptova se përse të gjithë pasagjerët ishin zhdukur nga vagoni. Mbulova hundët me një shami dhe u afrova tek dera e vagonit për të dalë në sekondën më të parë që të hapej dera.
Uh! Mezi prisja ta lija njeriun pa shtëpi në "privacinë e tij".
(NYC, Shtator 2001)





















