Mbi mashtruesit e liçensuar - Nga Jeta Dedja
Ka njerëz që për vite me rradhë investojnë në mashtrime publike. Ata krijojnë organizata me objekte misione për paqen e demokracinë, mbrojtjen sociale, ndihmat ndaj fëmijëve apo fuqizimin e grave. Krijojnë tituj për veten e të tjerët. Organizojnë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. U afrohen njerëzve të njohur “t’u blejnë” anëtarësinë si një karrem për njerëzit e tjerë. Mundohen të përthithin në brendësi të organizatës së tyre njerëz me reputacion në fusha të caktuara dhe t’i bëjnë publike emrat e tyre për të krijuar një historik të besueshëm të organizatës. Krijojnë website, portale, faqe të ndryshme, zëra në Wikipedia me qëllim të gjitha për të sajuar vërtetësinë në sytë e botës. Njëlloj si ato profilet false në Facebook që u bëjnë komente dhe “like” gjithë friends-ave për t’i futur në borxh e ata t’ua kthejnë qokën, e kështu profili fillon e duket real.
Sapo organizata fuqizohet përmes anëtarësimeve në vende të ndryshme të botës, atëherë fillon aktiviteti për imazhin publik të tyre. Dhe në çdo vend të botës gjenden njerëz që mund të gënjehen nga një certifikatë me titull, aq më tepër kur këtë e merr dhe e reklamon ndonjë ish-ministër, princ, biznesmen apo artist. Njerëzit janë të djegur për pakëz lavdi, sidomos ata që vuajnë nga komplekse dhe këta mashtruesit e mëdhenj dinë të hyjnë në psikologjinë e njeriut. Këta komplekset e tyre më të madha i shesin publikisht si pikat e tyre më të forta, për të fituar simpatinë e masës. Sepse viktimizimi është një nga teknikat e blerjes së simpatisë, empatisë a dhembshurisë.
Shqipëria veçanërisht është kthyer në një fole për organizata të gënjeshtërta. Kaq janë shtuar, saqë po përbëjnë fenomen. Kontrollet ndaj tyre janë të pakta. Ministria përkatëse liçenson këdo që i paraqitet me një buzëqeshje në xhep. Ndërkohë që nën objektin e “jofitimit”, këto shoqata me një kozmetikë “të jashtme“ mund të kryejnë aktivitete të paligjshme, ku mashtrimi është më i parëndësishmi ndër to. (të më ndjejnë për përgjithësimin, por organizatat e dobishme për shoqërinë e kuptojnë që s’flas për to).
Por s’ka gjë, në emër të së drejtës së organizimit, verifikimi ka kohë. Mjafton që ministrja apo ministri të nderohet me një copë letër të printuar në zyrën e sekretares së Kryetarit/kryetares së Organizatës fantastike me një titull Doctor Honoris Causa, dhe çdo gjë do të shkojë vaj. Ministrit do t’i duket sikur ka kryer vërtet studime doktorale, ministres do t’i duket vetja misionare për paqen në botë, apo gruaja e suksesshme siç është edhe moda, dhe kështu të gjithë jetojnë të lumtur brenda mashtrimeve që qarkullojnë milionat e projekteve!
©JetaDedja





















