Blog

Rreth shëmtisë arkitektonike

Nga: Ndue Ukaj

Shkrimtari gjenial, F. M. Dostojevski, te romani “Te fyer e te poshtëruar”, ka një moment kur thotë: “në banesa të ngushta, edhe mendime janë të ngushta.” 

Dostojevski, po të shihte katrahurën tonë urbanistike, disharmoninë e plotë, rrugët e trotuaret e ngushta, sheshet e pakta, kaosin urbanistik, betonin e pafund, ndërtimet pa shije estetike, do të thoshte, këtu formohen njerëz me mendime të ngushta. 
Po, sepse arkitektura madhështore na flet dhe na fisnikëron, ashtu siç na flet një roman i mirë, një vjershë e bukur, një operë madhështore apo një pikturë tërheqëse. Me një fjalë, arkitektura ka fuqi të jashtëzakonshme estetike për edukimin dhe formimin e njeriut. Sidomos për formimin e ndjenjave estetike. 
Përpara një objekti madhështor, qëndrojmë të stepur, meditojmë, flasim me të, marrim mesazhe. 
Qytetari i Kosovës, i topitur nga mungesa e gjatë e lirisë, i trullosur nga barra e rëndë politike që mban tash e sa vite mbi supe, nga ligjërimi i pështirë publik, po ballafaqohet për ditë edhe me një fenomen tjetër shëmtues: kaosin urbanistik në rritje. 
Një mik i imi, i dëshpëruar nga ky kaos, më tha: si nuk arritëm së paku të estetizojmë këtë kaos?
Kjo pyetje, për mua jetike, deri tani ka qenë një këmbanë që ka rënë për veshët e shurdhër. 
Arkitektura humane, me hapësira, sheshe, tempuj bukurie, ndikon te njerëzit, që ata të jenë më të qetë, më mendjehapur dhe më të lumtur. Në fakt, arkitektura nxit edhe ndjenjat e lirisë dhe të madhështisë.
Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet. 
Krahasuar me vendet e tjera europiane, ku arkitektura ka një traditë të pasur dhe përbën vlerë të jashtëzakonshme, arkitektura në vendin tonë vazhdon të mbetet e shkretë. Na mungojnë ndërtimet madhështore, tempujt e bukurisë, sheshet, parqet, rrugët e bukura.
Por, askush nuk na pengon që të bëjmë një planimetri më të mirë për të ardhmen, përpos shpirtngushtësia dhe mungesa e kreativitetit që e zotërojnë jetën tonë. 
Për rëndësinë dhe dimensionin simbolik të arkitekturës, ka shkruar semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco. Ai ka thënë se përdorimi i kodeve nuk është i brendshëm për arkitekturën, sepse shumë kode arkitekturore, janë në fakt të një natyre simbolike, kulturore, shoqërore dhe politike, dhe për këtë arsye, arkitekti duhet të futë punën e tij në kontekste më të gjera dhe multidisiplinare, dhe shton se, arkitekti është një semiotik, antropolog, sociolog dhe politikan në të njëjtën kohë. Më tej Eco flet edhe për funksionet e arkitekturës, duke mos u ndalë të ai primari, por edhe te mesazhi që ajo jep. 
Arkitektura e Kosovës, sot për sot, përçon mesazhin e kaosit