Blog

Çfarë po e rrezikon shoqërinë shqiptare?

Nga: Ndue Ukaj

Gjuha politike është vulgarizuar. Gjuha e opinionit publik, është vulgarizuar. Ajo e institucioneve të dijes e të arsimit, është vulgarizuar. Gjuha e religjionit, është vulgarizuar. Kjo duket pamja e sotme e shoqërisë shqiptare të Kosovës, në të cilën, të duket sikur askush nuk e çan kokën për kufirin mes të mirës dhe të keqes, sinqeritetit dhe jo sinqeritetit, të vërtetës dhe mashtrimit, lajmit dhe intrigës, drejtësisë dhe padrejtësisë.

Pa dyshim, këtë atmosferë të rëndë e ka nxitur më së shumti gjuha politike e partive, prej së cilës duhet të nisë pista e analizave për kuptuar këtë fenomen degjenerues që ka atakuar shoqërinë tonë, por përjashtim nuk bëjnë as segmentet tjera shoqërore. Derisa politika ka përçuar mesazhe helmuese, media, në anën tjetër, vetëdijshëm apo jo, është shndërruar në zëdhënëse të këtij helmi, duke promovuar angarinë dhe kulturën e batakçinjve.

Opinioni publik i çakorduar, nuk di më ç’është lëvdatë reale dhe ç’është oportunizëm, sepse mbi çdo gjë mbizotëron “kultura” e intrigave dhe spekulimeve. 
Në këtë atmosferë, natyrisht, më së shumti përfitojnë budallenjtë e gatshëm që marshojnë përpara, e të cilët, dilemat nga vetvetja i kanë të abortuara.

Kemi harruar se një ditë, pavarësisht kur, do ta rrëzojmë presidentin që s’e duam, kryeministrin që s’na pëlqen, deputetin që është me dosje kriminale, ministrin mediokër, kryetarin e komunës halldup dhe duhet ta zgjedhim tjetrin. 
Po, nga do të vijë tjetri?
Ai nuk mund të pikojë nga qielli!
Por do te jetë përfaqësim i kësaj gjuhe dhe kësaj atmosfere. 
Për këtë askush nuk e çan kokën. 
E tjetri, do të bartë në supe pasojat e egra të gjuhës së çoroditur dhe të kulturë së mosbesimit në asgjë.

A është e mundur që ta ndryshojmë kursin e gjuhës vulgarizuese që ka mbërthyer shoqërinë, drejt një gjuhe të ekuilibruar?
Për mua, kjo është sfidë shumë më serioze sesa debatet që lidhen me ndryshimin e kufijve. Sepse, një shoqëri që nuk ka kohezion të brendshëm, nuk është e zonja të mbrojë asgjë.