Play me, I’m yours!
- Nga: Mimoza Ahmeti
Apasionuar pas Google kujtonte se aventuronte kur navigonte.
Dalloi në ekranin e vet një hacker të marketingut të lartë!
Ҁ’bën ti këtu? pyeti i fyer.
Dua ta dish që jam këtu! i tha ai.
Ti mund të ishe këtu edhe pa e ditur unë!
Jo, dua ta dish që jam këtu. Ta dish!
Po ti paske vjedhur gjithë numrat e mi, madje dhe hidraulikun e familjes.
Edhe elektricistin, bile! Dhe ato Real Estatet që bëjnë gjoja sikur vijnë për të sjellë qiraxhinj te ti…e të sorrollasin e të marrin kohën, i sjell unë…
Ҁʾthua! Po sa kohë ke që bën këtë punë?
Tre plus dy.
Qënka një fakultet i tërë! Ke jetë tjetër?
Thjesht marketoj mesazhet dhe lidhjet e tua!
Kujt? pyeti ai i habitur.
Ja, atyre atje. Dhe tregoi me dorë dy burra që po rrinin në ballkonin e Godinës Patriarkale.
***
Të nesërmen u lëshua në rrugët e Parisit. Nuk kish popull në botë që mund t’u fliste të panjohurve me aq përkushtim sa parizienët. Ti doje të ikje pasi kishe pyetur, ata nuk të linin.
Kapitur kënaqësie, vendosi të pijë një birrë në “Bouquet du Nord”.
Aty gjeti një vejan të trishtuar.
E shoqja i kishte lënë një letër, me të cilën ia falte të gjitha tradhëtitë, edhe pse ia numëronte një e nga një.
Kjo letër e pengonte të ridashurohej, prandaj dhe po vuante…
Tradhëtitë ndodhin për njohje të reja…i tha atij. Edhe mua më tradhëton çdo ditë një hacker…Ti tradhëtar, unë i tradhëtuar dhe ja ku jemi bashkë duke pirë:
Salut!
Je shumë i mirë -i tha francezi, dhe i dhuroi një puthje.
Bouquet pak hapa e ndan nga “Gare du Nord”.
Aty është një piano: “Play me, I am yours” (më luaj, unë jam e jotja), nga ato qindra që shpërndau Luke Jerram nëpër stacione, ku luajtën mbi dhjetë milion udhëtarë përgjatë pritjes së trenave.
U zbraz si i çmendur mbi tastjerën e saj duke dalë nga çdo lloj izolimi.
Kur mbaroi u hutua se pa sa udhëtarë e kishin rrethuar. Ai nuk dinte as notat! Një vajzë i dhuroi një zemër!
Nga darka mori një shtrat në një hostel, në një dhomëz ku flinin dhe tre frymë të tjera.
Do të bënte një gjumë shqerre aty.
Po t’ia përmëndte dikush ëndrrën shumimofobe, për një botë të vogël, me pak njerëz, ku të gjithë e njihnin njeri-tjetrin, me siguri do të hidhej nga krevati!
Miliard të panjohur, miliard shanse, miliard fuqi…e fate!
Bota e tij, ajo më e mira, i dorëzohej të panjohurit! Ishte ai e vetmja masë lirie.
Lidhjet me grupe e miq e njohje të gjata, se pse mbanin një erë prishësirë...
Gjoksi që pat gulfmuar gjatë ditës po fashitej ngadalë.
Ndërsa mbylli qepallat ai po hapej si ajo piano në “Gar du Nord” drejt Universit Human të Panjohur.
Me afsh i mërmëriti:
“Play me, I am yours”!
Tetor 2018





















