Ikja e gjermanit të fundit nga Vlora!
- Nga: Artan Gjyzel Hasani
Ditët e fundit të Nentorit 1944. Kaos. Kudo rrugeve njerëz që vraponin në panik. Zhurma shpërthimesh, krismash në ajër, tym e flakë, njerëz dhe kafshë të vrara rrugëve të qytetit.
Atentatorë komunistë që lanin hesapet me kundërshtarët e tyre, hajdutë dhe plaçkitës shtëpish e dyqanesh, popull që si hamsteri rrotullohej në fatin e vet...
Një autokolonë gjermane e ardhur nga Greqia ndaloi para qepenëve të ulur të hotelit të Ali Baboçit, përballë bashkisë së qytetit dhe një ushtar trokiti fort në dritaren e vogël të sportelit.
Zoti Ali e hapi dritarezën dhe nxorri i trembur kokën.
“Mos e mbyll dritaren dhe prit aty, se pas pak do vijë Majori Hans që donte t’ju takonte”, përktheu fjalët e ushtarit një shoqërues i tyre.
Ndërsa autokolona gjermane vazhdonte udhëtimin, para zotit Ali ndaloi një triçikël nga i cili zbriti majori gjerman. Në dorë mbante një pako.
“Zoti Ali ne po ikim drejt Gjermanisë. Nëse dëshironi mund të vini me ne. Kohë të vështira e presin popullin tuaj dhe bizneset tuaja do të plaçkiten dhe ju mund të burgoseni nga komunistët.”
“Faleminderit, zoti Major, por unë nuk iu kam bërë keq komunistëve, ndaj nuk kam frikë.”
“Si të doni, zoti Ali! Tani merreni këtë pako se është e juaja. Brenda saj janë dy çarçafët, jastëku dhe batanija që më patët dhënë kur u nisa për në Greqi një vit më parë nga hoteli juaj për t’iu bashkuar regjimentit tim në luftime atje. Ju falenderoj!”, tha majori Hans, nderoi ushtarakisht dhe u largua.
Pak kohë më vonë komunistët e ardhur në pushtet ia morën hotelin dhe shtëpinë, zotit Ali, e shpronësuan dhe e dëbuan drejt kalvarit të internimit dhe burgosjes së djalit të vetëm...




















