Blog

Shpirti i motrës!

Nga: Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës)

Sa herë dëgjon trokitjen e portës përjashta, Nesimit i vjen ndër mend nata e qametit atë dhjetor 1970. Qamet ngaqë shiu binte litar, por edhe qamet se ashtu i vate çdo gjë më pas.
Nesimi jetonte në një fshat të Kolonjës, pranë kufirit. Një përrua i ndante me fshatin grek. Shumë herë bagëtitë shkartiseshin, herë të Nesimit andej e herë dhitë greke këtej. Por në aksham rregullohej bagëtia, seicila në haur të vet. Te ky fshat denbabaden banonin fisi i Nesimit. Dega e kishin mbiemrin dhe nuk e dinte kush shpjegimin, qenë racë e urtë, punëtorë dhe të ndershëm e të drejtë. Në motin që flasim Nesimi ishte shtuar me një çun. Bashkë me gocën dhe çunin e parë u bë me tre kalamaj. Jetonin me të keq. Toka prodhonte pak se ishte zhurrishte. Ca misra e ca jonxhë korrnin. Frymën e mbanin me ca bulmet nga dy dele që iu lejoi kooperativa t’i mbanin për vete.
Atë mbrëmje kur trokiti porta Nesimi po trazonte zjarrin. Të digjeshin dhe dy mbeturinat nga kërcuri që vuri në drekë. Se do shtrihej të flinte. Ganimetja, e shoqja, rehatoi fëmijët e fjeti para një ore. Ishte lodhur murga, puna e tepërt e kishte rrudhur dhe rrënuar.
Brofi burri dhe drejt portës. Pandehu se ishte Mustafai, fqinji i tyre. Por te dera pa Golen, vëllain e gruas.
-Bujrum, kunat!
U përqafuan dhe u shtrënguan një copë herë.
-Mos e zgjo Ganimeten!- gati e urdhëroi Golja. -Mora leje nga reparti që t’u shihja ju, por në fakt dua të arratisem. 
Kaq tha dhe qetësia ishte si shtrëngatë tek Nesimi. Golja ishte ushtar, erdhi të hidhej në Greqi, mendoi Nesimi dhe e pyeti për vetëmbrojtje:
-Të pa njeri?
-Jo.
Në fakt edhe pa ndeshur këmbë fshatari e dinte krejt reparti i Goles se do vinte te motra, pra te Ganimetja.
Heshtja i mbërtheu.
-Kur?-e pyeti.
-Ja, tani. Më hidh deri matanë përroit se më pas...
Nesimi u ngrit vrik dhe veshi çizmet.
-E di që do kesh pasoja, por unë...
-S’ka gjë, s’ka gjë. Mjafton të rregullohesh ti,-iu përgjigj Nesimi.
Dolën nga dera e pasme, hynë në plevicë dhe morën një hosten me majë. Ta kishin për mbrojtje se rreth fshatit lëviznin dhelpra dhe qenër. Nata ishte pus. Shiu litar. Nesimi e dinte symbyllazi rrugën. Prapa Golja rrëzohej ose nga pengimi nëpër gurë,ose nga frika e arratisjes.
-Mos u frikëso!- i dha zemër Nesimi.
Nga zhurrma përroi dukej i fryrë. I egër dhe i rrëmbyer. Ndenjën ca minuta deri sa Nesimi e përfshiu Golen dhe e hodhi mbi kurriz. Hyri drejt e në rrymë dhe ajo i mori para. Po vetëm ca metra se më poshtë Nesimi nguli këmbët mbi ca gurë dhe e la Golen matanë.
-Ik tani dhe paç fat e shëndet. 
Pastaj u fut prapë në përrua dhe ia doli ta përballojë vrullin e ujit. Në shtëpi hyri qull. I dridhej mjekra nga e ftohta. Kur po donte të ndërrohej bëri zhurmë dhe u ngrit Ganimetja. Sa e pa ashtu rendi drejt dollapit t’i nxirrte rroba të thata.
-Golja u arratis,-i tha gruas.
-Hë?- pyeti ajo dhe u zbeh. Më tej i zuri mëngjesi duke folur për ditët që do vinin.
Ato ditë ishin netët e jetës së tyre. Pas 24 orësh erdhën dhe i morën të pestë në një GAZ me mushama të zezë dhe i internuan lart në malet e Kurbneshit. I rrasën në një barake pupuliti e i lanë atje në mëshirë të acarit. Nesimi ia nisi në minierë shtyrës vagonash. Ganimetja në fushë të hapur seleksiononte mineralin. Në shi e në dëborë punonte atje te pirgjet e mëdha të gurëve. Fëmijët i conin në cerdhe e kopësht. Askush nuk u thoshte as mirëmëngjes. Të tre fëmijët i linin veçan te një tavolinë, pa të drejtë të loznin me fëmijët e tjerë. Kështu për 20 vjet rresht, 20 pranvera varg. Sa mbaruan shkollën 8-vjeçare as në të mesme nuk i lejuan.
Në shtëpi e përmendnin Golen, por me zë të ulët.
-Kam shumë mall,-thoshte shpesh Ganimetja.
-Hiç mos ki dert, Golja do ia ketë dalë se është djalë i shkathët,- e qetësonte Nesimi.
Kur u hapën ambasadat djemtë ikën me vrap nga Kurbneshi. Drejt në Durrës dhe pas dy ditësh përfunduan në Itali. Nesimi mori Ganimeten dhe iku në Tiranë. Mori shtëpi me qira dhe nisi punë si murator tek firma e një kushëriri. Po vinte më në fund pranvera dhe për ta. Kishte ca toka për të marrë andej nga Kolonja, por nuk u nxitua se atyre skërkave askush nuk ua kishte zilinë.
Një ditë në shtëpi e gjeti Ganimeten të qeshur e të lumtur. Kishte mësuar se Golja jetonte në Amerikë, qe mirë, martuar, kish dy fëmijë dhe puna i kishte shkuar mbroth.
-T’i mësojmë numrin e telefonit dhe ta marrim sa më parë,-u gëzua Nesimi.
E fjalë pas fjale arritën t’ja gjejnë telefonin. Ishte darkë dhe vajtën plot emocion te posta. Ngritën receptorin dhe formuan numrin me ata gishtrinjtë që mezi hynin te sumbullat që rrotulloheshin. Matanë dëgjohej sinjali pi,pi,pi.
-Hello!
-Alo, familja e Goles.-pyeti Ganimetja.
-Po.
-Jam Ganimetja, motra e Goles. A mund të flas me vëllain.
-Golja ka dy javë që ndodhet në Tiranë. Ka blerë hotelin e madh atje, do rrijë atje edhe ca ditë.
Ganimetja nuk dinte si ta vazhdonte më tej bisedën. I ra receptori në tokë.
-Çfarë ke? - pyeti Nesimi.
Ajo nuk foli. Doli nga kabina dhe rrinte si e ngurosur. Nuk besonte. Mos e mashtruan, mos ishte Gole tjetër ai që folën.
Ia tha Nesimit, por ai e qetësoi. 
-Deri sa ka erdhur për të blerë hotelin e madh do ketë pasur kokëçarje. Eshtë punë parash, o grua, i zjen koka. Do lirohet e do na kërkojë. 
Shkuan në shtëpi dhe nuk flisnin. Se të dy qenë edhe të çuditur, edhe të dëshpëruar.
-Ja nesër sikur do na trokasë te dera, do vijë e do na përqafojë,-i tha Nesimi dhe qeshi.
Ganimetja e përqafoi dhe mes lotëve i tha:
-I miri im. Vure në rrezik jetën e të gjithë familjes për vëllain. Jetuam në internim 20 vjet për vëllain. Ngelën pa shkollë fëmijët për vëllain. E prapë veç mirësi nxjerr nga goja jote. Borxhin nuk ta ka vëllai. Ta kam unë, por nuk kam aq jetë sa të ta shlyej. 
U qetësuan mes fjalëve të njëri-tjetrit dhe ranë të flinin përqafuar. 
Ditët ikën e mendja te Golja. Me sytë te porta.
-Sikur trokiti?
-Të bëjnë veshët-i thosh Nesimi.
Një mbasdite dera gati u ra përtokë. I binin me shkelma.
-Erdhi,-bërtiti Ganimetja dhe vrap ta hapte. Para rrinte postieri dhe një kuti e madhe. 
-Djali u ka dërguar televizor nga Italia.
U mor Nesimi me të dhe pas dy orësh e ndezën. Muzikë e gëzim. Pastaj lajmet, pastaj klithma e Ganimetes:
-Nesim, Nesim hajde shpejt. Golja është ky?
Qe një burrë i gjatë, i qeshur, i pashëm, plot shëndet.
-Po, ai qenka.
Ganimetja nisi të qajë. Iu afrua ekranit, e përkëdhelte me të dy duart dhe puth e puth.
-Shpirti i motrës, i bukuri i motrës, ylli i motrës.
Lajmet mbaruan, por gruaja rrinte mbi stol ngjitur me televizorin dhe po priste lajmet e tjera. Herë pas here hidhte sytë nga dera e pyeste:
-Trokiti kush? Hape Nesim, hape se po vjen vëllai...
Nesimit iu kujtua Kostandini që dhe i vdekur kaptoi shtatë male të shihte motrën. Golja edhe gjallë... Por i largoi mendimet e këqija. Ja,sikur ka erdhur, ja...
-Nesim po troket dikush? Hapja vëllait portën!