Presidenti, piktori dhe doktori - Nga Rushan Xhaferi
Doktori
Na ishte një herë e një kohë një doktor. Doktor zemre. Doktori kishte një etje shumë të madhe për liri dhe demokraci sa që kur studentet ju turrën regjimin komunist, mori zemër, jo të tijën sepse ajo ishte zemër pule, por atë te forcës së popullit që në ato kohë kur dëshira për të harruar komunizmin ishte aq e fortë sa mund të besohej i pari njeri që tregonte gishtat në forme bige. Dy gishtat lart gënjyen shqiptarët mbi qëllimet dhe ambiciet e kardiologut. Xhaxhi Ramizi, Presidenti i atëhershëm, e kishte bëre zgjedhjen e tij. Këtij vendi të sëmurë i duhej një doktor. Dotor mavria. Përpjekjet e doktorit e bënë vendin dhe më keq. Pas zhgënjimit nga demokracia erdhi edhe zhvatja e kursimeve duke e mbyllur me një lufte civile... Gjendje iatrogjenike. Thuhet se është iatrogjenike kur shkaktohen nga trajtimi mjekësor. Në greqisht, fjalë për fjalë do të thotë “sjellë nga mjeku” (nga greqishtja e lashtë ἰατρός/iatros, “mjeku” dhe γένεσις/genesis, “origjina”). Doktori gati e vdiq popullin. Por popujt janë të pavdekshëm.
Piktori
“Kujtojnë se jam piktor”, do të thoshte artisti fallco qe lyeu disa pallate dhe pastroi Lanën. Boja mbuloi fasadat e ndërtesave ish-komuniste. Ndërtime të tjera mbuluan kryeqytetin ku thuhet se lejet e ndërtimit kushtonin shumë shtrenjtë. Tepër shtrenjtë. E di, e di, nuk mund të jesh edhe artist edhe politikan i pastër. Por Sorosi kishte gusto dhe i duhej një artist për të inspiruar një popull pas një doktori gati vdekjeprurës. Të lyesh me bojë është cilësi. Por kur jep disa shtresa, ajo e 20-ta nuk bën më efekt. Piktori kthehet në bojaxhi dhe llustrat kanë pak vlerë.
Një tjetër piktor, Van Gogu, ka vuajtur vazhdimisht nga sulmet psikotike dhe jostabiliteti mendor, sidomos në vitet e fundit të jetës së tij. Gjatë viteve, ka pasur shumë diskutime se nga vjen sëmundja e tij mendore dhe se si ndikon në punën e tij. Duhet te jesh pak skizofren për të qënë artist. Por kur drejton një vend, gjendja psikotike dhe jostabiliteti mendor nuk kane si viktima telajot prej pëlhure por jetë njerëzish.
Presidenti
Skrapari, vënd i rakisë së famshme, nxorri në pranverën e vitit 1969 një foshnjë që sa hapi sytë thuhet se shqiptoi fjalën President! Prindërit u hutuan dhe nuk e kuptuan si një foshnje prej disa orësh mund te fliste. Mirëpo, ky “Jezus” shqiptar, nuk kishte kohe të humbiste dhe t’u shpjegonte njerëzve ambicjen e tij. Ai do t’ua tregonte me vepra. Ndoshta femijë, dikush do ta kishte quajtur “kokë qën”, perkedheli jugore. Dieta i humbi peshën por i fuqizoi forcën e kafshimit. Të gjithë ja kishin frikën. Dhe ky herë shkonte me doktorin dhe herë me piktorin, derisa u lëshua për të qënë i pari, kaloi nga president në president. Mungesë imagjinate apo lëvizje strategjike? Imuniteti t’i fal mëkatet, siç partia të heq njollën.
Pas një mjeku dhe një artisti, i duhej edhe një ekonomist vendit. Veç e veç, këta “patriotë” e kishin ca të vështirë dhe kuptuan që duhej bashkëpunim. Tre shokët vendosën të shkëmbejnë postet e kryeministrit dhe të presidentit me radhë. Më së fundi, mes ketyre “Tre Moskëtierëve”, kërkon të zërë vënd një i katërt: “Luli i vocërr”, avokati që thotë se ka vetëm për ambicje të mbroj ë popullin shqiptar. Lum si ne!
Montreal, Shkurt 2019
Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë doemos linjën editoriale të FlasShqip.ca




















