Blog

Shkrimtarë nga halli apo nga qejfi

Nga: Raimonda Moisiu

Ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e kritikës letrare për të njohur e promovuar vlerat e  shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshirë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë.

Ka një masivitet të njerëzve që shkruajnë. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por pa asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Me një nivel nën mesataren letrare e artistike, këta “autorë” jepen pas sasisë së faqeve vetëm e vetëm për të fituar në mendjen e tyre titullin shkrimtar, a poet e për ta shitur atë si margaritar në publik.

Këta “shkrimtarë”, “krijues,” mitomanë dhe grafomanë, ndodh të jenë aq gjuhë-njohës sa edhe kur publikojnë titullin e romanit e shkruajnë plot gabime ortografike. Sepse ka raste që këta “krijues” nuk janë vetë autorët e asaj gjësë me kapak dhe shkronja që shesin për roman, ndonjëherë ua shkruajnë të tjerët, ndonjëherë ua vjedhin të tjerëve, ndonjëherë kthejnë histori të dëgjuara në kafene ose në mendjen e tyre e i shesin për histori reale, medemek të jetuara.

Ka prej këtyre që i zë "Sindroma e reputacionit të shkrimtarit" dhe si rrjedhojë fillojnë të hedhin paranë majtas e djathtas për të blerë pakëz muzë, frymëzim a talent pse jo dhe karrierë. Nëse ke para mund të garantosh botimin në shtëpi botuese prestigjioze dhe të shitesh si best-seller e të sigurosh më pas ndonjë çmim.  

Kjo racë shkrimtarësh groteskë, paralajmëron vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe varfërinë intelektuale të shoqërisë.

Nga ana tjetër, të kondicionuar nga nevoja disa shkrimtarë të mirë ngucen të prodhojnë letërsi tregu, bëjnë krijime me porosi sipas nevojës së tyre por edhe urisë së botuesve për shitje malli me shumicë. Dihet që letërsia nuk të bën të pasur, krijuesit paguhen shumë pak dhe që të arrihet një standard normal jetese duhet prodhuar shumë.

E keni vënë re edhe ju besoj se prurjet në letërsi janë të shumta, po kështu edhe shtëpitë botuese të cilat u ngjajnë tregëtarëve të shumicës tek tregu i medresesë më shumë sesa modeleve të editorëve elitarë të superlexuar.

Nisur nga këto kam një mendim konstant se para se të botohen veprat letrare duhet të kalohen në shqyrtim nga bordet e specialistëve të letrave, t’u bëhën recensat dhe vlerësimet. Nga fluksi i madh e poetëve, po vdesin poetët bashkë me poezinë. Shumë pak po blihen librat me poezi, refuzojnë libraritë t’i marrin përsipër shitjet për shkak të inflacionit poetik. Prandaj është e domosdoshme që bashkë me të njomin të mos digjet i thati. Kjo do të thotë që autorët e rinj të tregohen të duruar dhe të mos vrapojnë ta skuqin në tavë sapo e pjellin vezën e artë.  Kështu do rritet cilësia dhe rrjedhimisht të gjithë do të përfitojnë në të ardhmen.

Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. 

Shkrimtari Stephen King ka thënë se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një Gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. 

Të jesh krijues sot i çfarëdo lloj gjinie nuk është luks, është mëse njerëzore.

Por ndryshe nga njerëzit që nuk shkruajnë shkrimtari me lëtërsinë e tij mund të jetë një dëshmitar kyç për kohën kur ka jetuar dhe kështu letërsia kthehet në një dëshmi të gjallë për njerëzimin.

Prandaj botimet dhe shkrimet duhet të merren seriozisht dhe të kalojnë filtra profesionalë. Kujt do t’i pëlqente që në një të ardhme të merreshin për bazë historike ca shkarravina piktorësh në tentativë apo fjalë të hedhura në letra të shtrenjta të shkrimtarëve me portofol?

Shkrimtari, artisti e poeti duhet të dijë se letërsia, vargjet poetike dhe peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik e ekonomik. Që kjo lloj historie të mos shkruhet më shkrimtarët në çdo kohë kanë detyrën e luftës ndaj tiranisë, mashtrimit, padrejtësisë, gënjeshtrës, dhunës dhe shkatërrimit.

Këtë duhet të bëjnë krijuesit e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin as për pseudokolegët e tyre e as për gjithë dramën shqiptare që s’po ka fund në realitetin shqiptar.

 

Tagged under Raimonda Moisiu