Letërsia është një kështjellë brenda individit - Nga Flurans Ilia
Sot do flasim pak për letërsinë, meqë jemi në kohë krizash politiko-sociale dhe dilemash ndërqytetare. Letërsia ka modulin e saj të funksionimit në raport me kohën e vet. Ajo nuk pyet për qeveri, opozitë, regjime totalitare, idolatri, konflikte konceptuale dhe realitete të tjera. Sepse letërsia është shumë herë më tepër se kaq në raport me njeriun dhe botën e tij.
Letërsia i sheh gjërat e njeriut përmbi dhe jo nga përbri, si mund të jenë të vendosura në disiplina të tjera për shembull. Letërsia është një kështjellë brenda individit që e lëvron atë, jeton dhe vëzhgon me përmasat e saj. Këto lloj krizash politiko sociale, konfliktesh të dhunshme, vetëm sa i japin një vizion, shtysë, përndezje, vëzhguesit dhe nëpërmjet tij letërsisë. Mprehin shqisat. Por nuk besoj se kanë një efekt negativ për letërsinë në vetvete. Përkundrazi.
Shkas për këtë status nga dy shembuj. Së pari nga metamorfoza aktuale e një mikes time, lexuese e shkëlqyer, njeri tërësisht i bukur, i paprekshëm në pavarësinë e saj të mendimit, sot shndërruar në makinë llomotitëse dhe një "lavatriçe di çervelo". Së dyti nga vetja, shumica e miqve të mi nuk e kuptojnë mosinteresin tim ndaj politikës në atdheun e njerkës aq sa njëri syresh më pyeti se si ka mundësi? Sepse kështu kam lindur, i thashë, nuk mundem të zhbëhem në diçka që ka marrë shekuj për tu bërë kjo që është, karakteri ynë, karakteri universal i gjithkujt në veçanti përmes dhe përtej të cilit vëzhgoj jo vetëm këtë palo krizë zgjebse të një etape kalimtare, por akoma më tej, karakterin tënd të pandryshueshëm nën spiralen shekullore të ADN-së që tundon.




















