Tërmeti pa ngjyra politike - Nga Endrit Mullisi
Histori dëgjojmë keto ditë. Disa të dhimbshme, të tjera për të qeshur, e të tjera që të bëjnë të mendosh. Komentet e njerëzve që “vetëm tërmeti i nxjerr shqiptarët nga kafeneja” është për t’i parë në shumë këndvështrime.
Sigurisht lajmet mbi tërmetet që do mund të ndodhin, kanë sjellë një ndarje tjetër kësaj here në radhët e gazetarisë.
Disa reflektime të miat po i rendis më poshtë pa i peshuar nga rëndësia.
Parapërgatitja në ndërtime
Pavarësisht se Shqipëria dihet që është në zonën e tërmeteve dhe nuk ka të rritur në Shqipëri që nuk e ka përjetuar tërmetin, parapërgatitja është një nga ato që figuron në listën e mungesave. Tërmeti nuk merr leje, por ne duhet të ndërtojme duke marrë parasysh situatën më të keqe të mundshme dhe jo më të mirën. Shkallët rezervë duhet të jenë parashikuar me ligj për çdo pallat. Kutia e emergjencës në çdo kat pallati etj. etj. Pra, po të ketë më tepër edukim në këtë fushë, si blerësit, ndërtuesit dhe ata që japin lejet e ndërtimit, do e kenë parasysh këtë gjë. Ky është një kombinim tresh i shkencës, moralitetit dhe ligjit të zbatueshëm.
Përgatitja për emergjenca
Po të hiqen disa shpenzime qejfi për koncerte të panevojshme, mund të krijohen magazina nga ku brenda orësh mund të shpëndahen pajisje që do ndihmojnë ata që preken sepse fatkeqësitë natyrore në Shqipëri nuk kanë të sosur. Prandaj të mos i mbajmë sytë lart dhe të themi lutje si justifikime për neglizhencën.
Themelet shoqërore
Në këtë linjë mendimesh dua të them që përgatitja për “tërmetet” shpirtërore ka nevojë per vëmendje po ashtu. Tërmeti i ndodhur në 1967 në Veri-Lindje të Shqipërisë shkatërroi më pak sesa “tërmeti” komunist me nxjerrjen jashtë ligjit të besimit fetar dhe shkatërrimit dhe përdhosjes së objekteve të kultit. Ende nuk shikoj një reflektim rreth asaj që ndodhi 50 vjet më parë. A mos duke shkatërruar disa themele të provuara si të qëndrueshme, ne u bëmë nje komb me themele të lëvizshme dhe kemi rrezikun që të mos jemi më një komb pas disa kohësh?
Amerika që ënderrojmë shumë të shkojnë ende e ka në vende publike “In God we Trust” – “Ne mbështetemi në Perëndinë”. Evropa me traditë të krishtere, ende vazhdon të jetë synimi i shumicës së shqiptarëve. Pse kaq vështire për ne si komb të përulemi dhe të pendohemi për atë që kemi bërë? Ndoshta sepse po vazhdojmë të sillemi njësoj? Ndoshta kemi toleruar (për përfitime politike apo materialiste) zhvillimin e fesë në Shqipëri, por thellë kemi mbetur një komb që më mirë pranojmë të jemi skllever sesa të penduar?
Kombe jane zhdukur (ne mburremi që ky i yni ka mbetur në këmbë) edhe pse me qytetërim të zhvilluar. Ndoshta ky termeti mund të na ftojë të rimendojmë themelet e shoqërisë sonë, duke filluar nga gjithësecili që arrin të lexojë dhe të kuptojë. Ndoshta një shkaterrim i pashmangshëm do i japë mundësi brezave që do vijnë të ndërtojnë mirë që nga fillimi, pa u përpjekur të arnojnë secili sipas verbërisë së vet.





















