Blog

Koalicion dështakësh - Nga Arben Kallamata

Njëri: Bëri zgjedhje me vetveten, pa opozitën për të vendosur një sistem pa pikë legjitimiteti. Shpërbëu dhe nuk arrin të ngrejë sistemin e drejtësisë. Kishte në dorë dhe nuk mundi ta fuste vendin në negociata për të hyrë në Europë. E ka vendin më të përçarë dhe më të çoroditur se kurrë; njerëzit të zhgënjyer plotësisht, të etur për të ikur nga sytë këmbët larg çifligut të tij - dështim i plotë. Megjithatë nuk jep dorëheqjen.

Tjetri: Bërtet me të madhe dhe nuk ia var asnjeri. Anullon zgjedhjet dhe ato vazhdojnë të zhvillohen pavarësisht vulave dhe firmave të tij. Dekreton të tjera zgjedhje por nuk ia var kush. Asgjë nuk ndodh. Asnjeri nuk merr mundimin ta dëgjojë apo ta ndjekë, megjithëse është kreu i shtetit – dështim i plotë. Nuk e jep dorëheqjen.

I Treti: Ka kaq vjet që përpiqet t’i hipë kalit por s’i hipën dot. Ulëret mitingjeve, shpall greva, ngujohet çadrave, por nuk arrin asgjë, as në zgjedhje vendore dhe as në ato qëndrore. Nxjerr grupe armiqësorë brenda partisë, tërhiqet nga parlamenti, djeg mandatet, i bindur se do të arrijë diçka. Nuk arrin asgjë - dështim i plotë. As ky nuk e jep dorëheqjen.

Dështakë të pandreqshëm që nuk e pranojnë dështimin. Ndërkaq, një shoqëri e tërë përçahet e përplaset mes vetes në një përpjekje të çmendur ku njerëzit i bëjnë tifozllëk dështakut të tyre të adhuruar; vorbull idiote që nuk bën gjë tjetër veçse ruan të paprekur karriget e tre dështakëve.