Blog

Vjosa Osmani, “valltare” apo “akrobate”? - Nga Artan Gjyzel Hasani

Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Një lajm i mirë dhe një sëmundje e vjetër e shqiptarëve. Kosova zgjedh përsëri një presidente femër. Vjosa Osmani emri i saj. U hoqën qafe emrat dalëboje të të fortëve që kanë qeverisur pa sukses shtetin e Kosovës. Tani është radha e të zgjuarve. Ky është lajmi i mirë. Risi.

Euforia gjer në ekzaltim dhe ekstazë, jo vetëm e feministëve, por e shumicës dërrmuese të publikut për dikë që akoma nuk është provuar në detyrën e sapomarrë është sëmundja e vjetër e jona.

Gëlonte dhe akoma gëlon Facebook nga një entuziazëm që nuk ishte parë në ato vise që nga bombardimet e NATO-s mbi Beograd, formimi i shtetit të Kosovës apo shenjtërimi i Nënë Terezës.

Kështu kemi brohoritur deri në pështirosje edhe për Albinin, Edvinin, për këta që përfaqësonin shpresën dhe ndryshimin e madh. Pastaj zhgënjimi po aq i madh.

Kemi brohoritur e vënë dorën në zjarr edhe për ca burra të tjerë para këtyre. E përsëri zhgënjimi. Dhe para tyre histeri dhe ekstazë për diktatorin E. Hoxha. Dhe pastaj zhgënjimi me koston më të lartë për publikun idhujtar dhe mbarë popullin.

Duket që shqiptarët nuk shërohen dot nga kjo sëmundje e neveritshme e krijimit paradhënie të Idhujve. Akoma i quajnë “udhëheqës” të zgjedhurit e zemrës së tyre politike dhe harrojnë që për vende pa peshë si Shqipëria dhe Kosova nuk ka më udhë për t’u hequr, por ka veç një valle për t’u kërcyer. Dhe atë valle e kanë krijuar të tjerët dhe jo ne shqiptarët.

A do ta heqë vallen e tyre globaliste Vjosa Osmani? Apo do të bëjë akrobaten mbi telin e tendosur të patriotizmit tonë të rremë e patetik?

Të dy opsionet nuk më ngjallin ndonjë optimizëm afatgjatë në raport me vetë Kosovën ku, ashtu si edhe në Shqipëri, kemi korrur atë që kemi mbjellë ne vetë.

Po mbase jam gabim dhe kjo mbetet për t’u parë. Deri atëherë urime dhe sukses në punën e re, zonja Presidente!

©Artan Gjyzel Hasani