Blog

Shqiptari ende e lidh fatin personal me politikanin - Nga Zejadin Dedinca

Zgjedhjet në Shqipëri zyrtarisht përfunduan. Çfarë u bë, u bë, rezultati, sipas meje, do të nxjerrë vullnetin e sovranit. Do të shohim si e shohin shqiptarët qeverisjen aktuale. Do e dekorojnë apo do e dëbojnë me votë. Zgjedhje më të qeta s’ishin parë në ato anë, u tha. Për së largu përcolla ecurinë, deklaratat në media të të dyja palëve, exit poll-et e rastit.

Zemra ime është e lidhur përjetësisht me Shqipërinë dhe një pjesë e familjes time është atje, në bastionin që nxjerr flakë. Kurioziteti se kush do t’i fitojë këto zgjedhje na përfshin edhe ne shqiptarët e Kosovës kudo që jemi, sepse në dorë të kujt të do jetë mëma bijëve që e duan në të mirë e në të keq ka shumë rëndësi për ne. 

Si do të vazhdojë e ardhmja, mbetet për t’u parë edhe unë do ta shoh duke e prekur me këmbë. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare apo vendore unë do të jem ligjërisht një votues i sigurt, por s’mund të rrija indiferent në këto paraardhëset. Ne jemi një, do apo s’do politika. Po se deshëm ne Shqipërinë natyrale, s’do e bëjë dot as politika. U pa se ç’bëri qeveria aktuale në këtë drejtim. “Përpjekje” dhe “vëllazërime” që vetëm në të mirën tonë nuk ishin. Premtimet mbetën nëpër takimet e axhendave të tyre dhe u justifikuan me diplomacitë politike.

Çdo vit pushimet e mia i kaloj në Shqipëri (dy herë në vit) dhe i shpenzoj atje të gjithë shumën që parashikoj për të pushuar, duke ndihmuar bizneset shqiptare që 100 probleme mbijetese kanë.  Politika mbitaksuese, inspektorët grykës që ua marrin frymën dhe kushedi sa prej tyre i mbyllën “qepenat”. Edhe sikur të mos mjaftonte, pandemia u dha shkelmin. 

Këto zgjedhje me listat e hapura të kandidatëve treguan shumë. Kush ishin më të dashurit, më të shkathtit, më popullorët edhe ata që vetëm nën logon e partisë morën pjesë.

Këto zgjedhje e ndanë Shqipërinë në dy kampe, ku zor se marrin deputetë parti të tjera. Pa dalë ende rezultati final të dyja kampet janë në ethe, populli është në ethe, secili e do fitoren, por sipas gjasave shqiptarët janë popull mazokist dhe pa diktat mbi kokë nuk ecin dot gjatë.

U bëri dëm demokracia e disa viteve, e mira u zuri sytë edhe nuk përballuan dot, dhe gjaku i thërret, sepse populli shqiptar nuk është ende profesionist. I mban shpresat te partia që udhëheq, duke lidhur fatet me politikën.

Shpresoj që një ditë Shqipëria t’i ngjajë atyre vendeve ku profesionistëve të mos iu “prishet gjaku” nga politika sepse ata ia dalin pa ndihmën e politikës dhe me krahët e veta!

Shpresoj që Shqipëria t’i hapë sytë për potencialin që ka, sepse shqiptarët këtu, matanë oqeanit, ia dalin edhe sikur të jenë në fund të pusit për të gjetur det!

Shpresoj që një ditë shqiptarët të mos ua ndjejë kush është kryeministri, kush është kryebashkiaku, kush është deputeti, përveçse për njohuri të përgjithshme, pa lidhur fatet e tyre me askënd përveç njohurive dhe aftësive të tyre!

Urimi paraprak është fitoftë më i miri! Sa më i mirë është fituesi, koha do të tregojë!

©Zejadin Dedinca