Blog

Shqipëria e perjetshme - Nga Flurans Ilia

Përgjatë ditëve të ngrohta, kur të prek poret një puhizë e freskët ajri, më kujtohen ca vende idilike ku Shqipëria e përjetshme pozon. E kam të shoqëruar këtë ndjesi me flladin, kanionet, ajrin dhe ujin e atyre viseve, me jehonën e zërit.

Nuk e kuptoj përse përmallem dhe më krijon një gjendje të caktuar kjo pamje? Dhe çfarë ndodh? Përjetimi që njeriu pëson për të imagjinuar sërish ato vise nuk ka më lidhje me toponominë e vendit si nocion gjeografik, apo cilitdo vendi tjetër me të cilin të ka lidhur fati dhe rrjedha. As me ndjesinë e fenomeneve natyrore. Por me pikturën e krijuar në mendje e cila vazhdon të jetë po aty e paprekshme, e përjetshme.

Diku më shumë a diku më pak, njeriu e riprodhon veten me të njëjtat metoda njësoj si natyra. Hallka ku i gjithë ky proces zinxhir ndryshon spiralen e zhvillimit, ngelet pikërisht ndërgjegja e papërkthyer në gjuhën e imazhit. E vetmja hallkë autentike ku kthimet nuk ndodhin si shkak-pasojë e hapave tona me kahje të kundërta.

Unë kërkoj që kthimi të ketë me vete paketën e fëmijërisë te ato kujtime, së bashku me imazhin, gjë e cila nuk ndodh. Jam i sigurt për skizmën që ka ndodhur. Por ama mos hajde e të më japësh mendje dhe këshilla didaktike se si unë e shoh dhe duhet ta shoh Shqipërinë dhe se si ajo është në të vërtet. Ky është ndryshimi midis nesh. Dikujt i ra për fat të arratiset nga imazhi, e dikujt tjetër të vdesë brenda tij.

©Flurans Ilia