Blog

Sali Berisha, i vetmi që ka sfiduar Antony Blinken - Nga Hajro Çini

Hajro Çini - Toronto

SHBA duket se nuk kanë parime. Edhe ato që kanë proklamuar, i paskan pasur për reklamë. Nuk ka se si të ndodhte ndryshe kur politikën amerikane e udhëheq vetëm ana materiale dhe asgjë shpirtërore apo idealiste. Por edhe pse nuk kanë parime, ka disa rregulla të cilat ndihmojnë që ajo politikë të lexohet.

Së pari, SHBA nuk respektojnë konventa ndërkombëtare edhe kur vetë i kanë firmosur apo edhe iniciuar. Shikoni se si veprojnë ambasadorët amerikanë në Shqipëri. Të gjithë i kanë shkelur nenet 41 dhe 42 të Konventës së Vjenës që kërkojnë:

Neni 41

1. Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, është detyra e të gjithë personave që gëzojnë privilegje dhe imunitete të tilla të respektojnë ligjet dhe rregulloret e shtetit pritës. Ata gjithashtu kanë për detyrë të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të atij shteti.

Neni 42

Një diplomat nuk mund të ushtrojë në Shtetit pritës asnjë veprimtari profesionale ose tregtare për përfitime personale.

Së dyti, SHBA shkelon rregullisht ligjin ndërkombëtar, ndërkohë i bëjnë presion shteteve të ndryshme që të firmosin imunitetin e amerikanëve duke anashkaluar nenin 98 të Konventës së Romës. 97 shtete e kanë bërë këtë, Shqipëria përfshirë më 2003.

Miku im virtual dhe këshilltari i Angela Merkeli, Martin Henze ka deklaruar:

“SHBA kanë treguar, në mënyrë të përsëritur, si në Afganistan, se sillet si një dem në një dyqan kinez. Mbështetja e një regjimi të korruptuar që falsifikon zgjedhjet, ndërhyrja në një parti demokratike, pro-evropiane, duke bërë presion mbi udhëheqësin, duke shkelur masivisht të drejtën ndërkombëtare në proces”.

Së treti, SHBA ndihmojnë gjithnjë individë të panjerëzishëm, të padinjitet, që ti shfrytëzojnë dhe më pas ti eliminojnë.

Çarli Lucky Luçiano ishte dënuar me 50 vite Burg në SHBA, por kjo nuk i pengoi SHBA që ta lirojnin nga burgu dhe të bashkëpunonin me të kundër Italisë fashiste.

Sadam Huseini u stërvit nga CIA për të vrarë Kryeministrin e urtë të Irakut dhe pasi e vranë atë, e sollën Sadamin në pushtet. E armatosën, e futën në luftë kundër Iranit dhe pasi dështoi në atë luftë e varën. Mafia nuk e fal dështimin!

Koloneli “progresist” Muamar Kadafi u bë pasuria e CIA dhe e mbështetën të bëjë grusht shteti.

Noriegën e vunë në pushtet në Panama dhe i dhanë detyrë që të organizonte trafikun e kokainës nga Kolumbia, kundrejt fitimit për veten e tij.

Për SHBA Bin Ladeni ishte luftëtar i lirisë kur luftonte kundër BRSS, pastaj e shpallën terroristin më të madh të shekullit dhe organizatën e tij prej jo më shumë se 150 vetë, organizatën më të rrezikshme terroriste të kohës, për t’i kërkuar shërbimet e saj sërish dhe riarmatosur në Siri.

Në fund të gjithë këta u vranë, ose vdiqën burgjeve. Askush prej tyre prej tyre nuk i sfidoi SHBA apo kërkoi që ta vinte të drejtën e vet në vend në ndonjë gjyq ndërkombëtar. Ndoshta ishin të shantazhueshëm, se SHBA kishin diçka nën mëngë për ti shantazhuar.

Mendimtari i shquar i shekullit Nassim Nicholas Taleb shkruan:

“Kur zbaton ligjin, mund të bësh të gjitha gabimet që do të bësh, sa kohë që fitimi në përgjithësi është më i madh. Kur përfshiheni në krime, ju nuk mund të bëni asnjë gabim të vogël.”

SHBA u ka ngelur sharra në gozhdë kohët e fundit në disa fronte.

SHBA hynë në Irak për ta kthyer atë në koloni të vetën. Vranë mbi 1.6 milion njerëz (pa kursyer fëmijë), bënë dëme të jashtzakonshme dhe në fund e kthyen Irakun në zonë të influencës iraniane.

Në Afganisten, u tërhoqën me bisht ndër shalë, në mënyrën më të turpshme të mundshme dhe dështuan në mënyrë spektakolare. Edhe më keq se BRSS në 1989.

Shpallën non-grata, pa asnjë fakt, politikanin më të arrirë shqiptar, më pro-amerikanin, i cili për hir të SHBA u prish me Erdoganin, që sa kohë ishte në pushtet mbështeti çdo interes amerikan.

Mirë kjo, por në shkelje të konventës së Vjenës, angazhuan të gjithë Departementin e Shpifjes (atë që deri para ca kohësh konsiderohej si i Shtetit) që ai të mos hynte në parlament, edhe pse është votuar nga votuesit shqiptarë në mënyrë të ndershme.

Shumë turp!

Ndryshe nga të gjithë të përmëndurit e mësipërm, të cilët SHBA i shpërdoruan kur deshën, pasi i kishin pasur aleatë, Dr. Berisha është dinjitoz dhe i pashantazhueshëm. Ai kurrë nuk ia lejoi vetes ti shërbente djallit dhe integriteti i tij është absolutisht i pacënueshëm. Askush, qoftë ky Blinken, Reeeker apo Kim, nuk mund t’ia cënojë dinjitetin Dr. Berishës, pavarësisht fuqisë abuzive që ata kanë në dispozicion.

Ai është i vetmi në Botë që ka sfiduar gjyqësisht dhe publikisht Blinkenin të provojë shpifjet që ai pati guximin të publikojë.

Dështimet e njëpasnjëshme të Blinkenit, veçanërisht në tërheqjen nga Afganistani dhe Iraku, e kanë tërbuar dhe ai ka dalë totalisht nga kontrolli. Unë besoj se Blinken nuk e mbaron mandatin e tij dhe se është, sipas mendimit tim, zyrtari më i dështuar dhe më pa dinjitet që ka okupuar atë detyrë deri më sot.

E vërteta është një nga 99 emrat e Zotit. E drejta po ashtu. Askush nuk mund t’i mohojë ato përjetësisht. Mund të tentojnë t’i shkelin përkohësisht, por në fund është emri i Krijuesit që vendos mbi çdo gjë.

Matematicieni i shquar Srnivasa Raghava thotë:

“Pas çdo akti heroik qëndron një situatë e cila nuk ka dhënë asnjë mundësi tjetër veç heroizmit”.

Por që të bëhesh hero duhet shtyllë kurrizore. Dr. Berisha e ka atë prej diamanti. Basha është shumë inteligjent, por nuk e ka shtyllë.

©Hajro Çini