Blog

Shqiponjat pa krahë në Gji të Lalëzit - Nga Mehmet Elezi

Gjatë muajit Gusht në Gji të Lalëzit dëgjoje disa gjuhë të huaja. Anglisht më shpesh. Pastaj gjermanisht. Frengjisht, spanjisht. Të vegjëlit i shqiptonin bukur, me theks origjinal. Të mëdhenjtë me theks shqiptar, madje të dialekteve të shqipes. Të vegjëlit që i flisnin bukur gjuhët e huaja, nuk flisnin shqip.

Shumë mërgimtarë nuk u flasin shqip fëmijëve. Janë të lodhur, s’kanë durim? Nuk e kuptojnë rëndësinë? Janë të kompleksuar nga prejardhja?

Më tha një herë ambasadori grek në në Bernë:

-Çdo fëmijë me prejardhje greke këtu në Zvicër e njeh greqishten njësoj si çdo fëmijë grek në Athinë. Vullneti i madh i prindërve. Vullneti i madh i shtetit grek, që financon kokërr më kokërr mësimin e gjuhës greke në mërgatë.

Prindër shqiptarë nga mërgata, që s’u flasin shqip fëmijëve të vet, lëvizin me shqiponjën varur në qafë ose në tatuazh. Rrejnë veten. Shqiponjat e tyre janë pa krahë. Fëmijët që nuk dinë shqip nuk ndihen shqiptarë. Aq më pak kur të rriten.

©Mehmet Elezi